Vegjetarianet e cuditshem shqiptare

Vegjetarianet e cuditshem shqiptare
“Do të vij një ditë, në të cilën, vrasja e një kafshe do të konsiderohet njësoj si vrasja e një njeriu”. Leonardo Da Vinçi, artisti i madh, autori i Mona Lizës, ishte një vegjetarian kaq ekstremist, sa blinte zogj në kafaz, vetëm për t’i lënë menjëherë të lirë. Njësoj si Da Vinci e menduan shumë mjeshtër të tjerë të artit, filozofisë dhe kulturës botërore, por, ende deri tani, ajo ditë s’ka ardhur.

Të paktën jo në Shqipërinë tonë. Jo vetëm për faktin se ne bëjmë kurban qengjat për festën e Bajramit, jo vetëm se therim pula të zeza, sa herë kemi qenë në prag të një aksidenti, jo vetëm se vrasim peshk me dinamit e dalim për gjueti sorkadhësh, jo vetëm se i hedhim poshtë të gjithë këlyshët e maceve e vrasim qentë “rrugaçë” nëpër qytete, jo vetëm se na kanë mbuluar qoshkat e tymit dhe restorantet e sheshqebapit. Jo, jo vetëm për kaq. Mbi të gjitha sepse ne shqiptarët jemi mishngrënës, po aq sa jemi sanguinë, po aq sa jemi ballkanas. E ajo që vihet re nga bisedat, është një tjetër plan. Përshtypja që mbetet është se nuk kemi shumë shanse ta kuptojmë, e le më pastaj ta mirëkuptojmë, këtë zgjedhje jete.

Pa i hyrë shumë filozofisë së të qenit vegjetarian, e parë më thjesht, tek ne mungon si kultura, ashtu dhe informacioni për këtë kategori të habitshme njerëzish “që jetojnë me jeshillëqe”. Sigurisht që të qenit vegjetarian lidhet së pari me dashurinë dhe dhembshurinë ndaj kafshëve, por është gjithashtu dhe një çështje ambientalizmi. Industria e prodhimit dhe përpunimit të mishit, është provuar se është katër herë më ndotëse ndaj mjedisit, sesa ndotja e shkaktuar nga industria e transportit. Tek ne, shumë pak mund ta dinë këtë, por edhe po ta dinin të gjithë, do të ishim përsëri po aq neglizhentë dhe të papërgjegjshëm, me po të njëjtën lehtësi që jemi të papërgjegjshëm kur hedhim plehrat vend e pa vend, kur presim pyje e djegim kodra të tëra me ullinj, kur betonojmë bregdetin e kur helmojmë liqenet.

A do të vinit një bast, me sa të doni apo me sa ju ndodhen në xhep, se në Shqipëri nuk ka vegjetarianë? E keni të fituar, ta dini! Mund të thuhet se sado i zellshëm të jesh në profesionin e gazetarit, më lehtë mund të gjesh thesarin e Ali Pashës (që po e kërkojnë edhe ne Greqi), sesa një komunitet vegjetarianësh. Kemi së fundi madje edhe një komunitet të ndrojtur homoseksualësh, por jo vegjetarianësh. Ata thjesht nuk egzistojnë si të tillë.

Ndërsa në Itali, statistikat tregojnë se ekzistojnë 7 milionë vegjetarianë, duke ruajtur raportin një në dhjetë njerëz është i tillë, kërkimet tona për një javë të tërë për Shqipërinë, rezultuan vetëm me një personazh, Blertën, fotografen e revistës tonë.

“Jam një vegjetariane qysh prej shtatorit ’09. Më në fund ndihem mirë me veten, sepse arrita të realizoj atë që kisha shumë e shumë kohë që e mendoja”. Blerta e hodhi këtë hap të rëndësishëm pasi u takua me disa miq të saj amerikanë, të cilët ishin vegjetarianë. I përket grupit ovo-lacto-vegetarian, e në pjatat e saj hyjnë të gjitha zarzavatet, frutat, veza, qumështi e nënproduktet e tij, por jo mishi me nënproduktet, peshku dhe frutat e detit.

Arsyet e kësaj zgjedhje, për Blertën, ishin dy: së pari ajo i do shumë kafshët dhe as që do ta mendonte më ndonjëherë të konsumonte diçka që ka vuajtur, për të dhënë shpirt në pjatën e saj, e së dyti, sepse ajo është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve mjedisore, që lidhen pikërisht me industrinë e përpunimit të mishit, por edhe shkatërrimin e faunës në tokë. E ndërsa nxiton të theksojë se vegjetarianizmi nuk është një tekë e saj bashkëkohore, por një bindje jetësore, Blerta tregon se ajo që e acaron më shumë është pikërisht injoranca rreth këtij fenomeni, pasuar nga pyetja “E çfarë ha ti, atëherë...?!”. Por, edhe pse është, pothuajse, e vetme ndër bashkëkombësit e saj, ajo nuk ndihet e vetmuar. Tani ajo është një vegjetariane, në të njëjtën mënyrë të thjeshtë të të konceptuarit e të qenit një Tiranse, një vajzë e re, një fotografe, një shqiptare, dhe, veç kësaj, në Tiranë, ka njohur shumë të huaj që janë vegjetarianë.

Ky ishte në fakt dhe konkluzioni i kërkimit tonë. Vegjetarianët në Shqipëri, vazhdojnë të mbeten të huajt, kalimtarë, me punë apo misione e tyre në vendin tonë. Si për shembull Serena Vitale, vajza italiane që jeton në Tiranë që prej marsit 2008. Deri tek ajo na çoi dietologia e saj, Blerina Bombaj, të cilën e kontaktuam për të marrë nga afër mendimin e një specialisti rreth kësaj mënyre të ushqyeri, menysë së vegjetarianëve, pluseve dhe minuseve të saj. Gjatë aktivitetit të saj pesë vjeçar si dietologe në Tiranë, Blerina ka pritur më shumë se dy mijë klientë, dhe i vetmi vegjetarian mes tyre, është vetëm Serena.

Vajza që vjen prej Tarantos, tregon se në Shqipëri është ndjerë shumë mirë lidhur me vegjetarianizmin e saj. “O Zot, nëse do ankohesha për Shqipërinë, ç’mund të mbetej të thosha për Tunizinë...! Atje po që ishte shumë e vështirë për mua. Këtu mund të gjej një kuzhinë të mirë italiane, fruta dhe zarzavate të freskëta, e, mbi të gjitha, ju gatuani byrekë të mrekullueshëm, e të shijeve të ndryshme”. Ajo është rritur në Jug të Italisë, në një qytet ku peshkimi ishte bazë e ekonomisë vendase, por peshku është ushqimi që nuk ka ngrënë kurrë në jetë të saj. “I kam parë në dyqan, kur isha më pak se fëmijë. Pata një impakt që më pikoi, dhe nuk e hëngra kurrë. Nënën time nuk e shqetësoi kjo, sepse unë vazhdova të haja qoftet e gatuara prej saj, deri në moshën 13-vjeçare, kur i thashë “Stop!” edhe mishit. Është kjo mosha kur ti fillon e njihesh me botën, dhe në gjendje të marrësh vendime rreth asaj që të rrethon”.

Tashmë ajo ka plot 20 vjet që jeton si vegjetariane e bindur, edhe pse thekson se nuk do ta bënte këtë me fëmijët e saj të ardhshëm, sepse kjo duhet të ishte një zgjedhje personale dhe jo e induktuar. “Nuk jam përpjekur kurrë të bind njeri të bëhet një vegjetarian, sepse nuk jam e sigurt nëse kjo është zgjedhja me e mirë për këdo”, tregon Serena. Bashkëshorti i saj, Vincenzo, nuk është vegjetarian, por e kupton atë më mirë sesa e ëma e saj shumë vite më parë, kur e çoi të bijën tek doktori nga frika se duke mos ngrënë mishin dhe peshkun, ajo nuk do të rritej, por do të mbetej aq sa ishte. “Atëherë, edhe mjekët ishin më pak të informuar. Tani nëna ime e ka pranuar domosdoshmërisht zgjedhjen time, ndërsa Vincenzo, më njohu të tillë. Unë nuk kam aspak dëshirë të gatuaj mish për të, sepse ndihem njësoj keq, por po aq më vjen dhe inat që ai e ka komoditetin të provojë të gjitha pjatat tradicionale të vendeve ku shëtisim”, thotë ajo duke qeshur.

“Vegjetarianë”, relativisht apo aspak “vegjetarianë”...!!!

Po po. Tek ne mund të mos ekzistojnë vegjetarianët e vërtetë, por ja që ekziston - dhe ka jo pak të tillë, - një tjetër kategori “tekanjozësh” ndaj mishit dhe peshkut. Edhe pse nuk e kategorizojnë veten “të denjë” për t’u quajtur pjesë e komunitetit të vegjetarianëve, ata nuk e vënë në gojë, as mishin e as peshkun. E kjo që prej kur kanë lindur e kanë filluar të ushqehen me lugë. Jo sepse u dhimbsen kafshët, shpendët e peshqit, por, thjesht, sepse nuk arrijnë as ta shijojnë e as të asimilojnë këtë lloj ushqimi.

Geri Muho është një 19 vjeçar që thotë se nuk e ka idenë se ç’shije ka mishi, e aq më pak peshku. Por, ai është nip i një kasapi, shkon me qejf për gjueti dhe peshkim, por nuk do ta hante kurrë një bërxollë, as sikur t’i falnin botën. Të dyja këto aspekte, origjina dhe dalja për gjah, e bëjnë këtë djalë të ri që sapo ka lënë pas adoleshencën, një rast të pazakontë, tamam “shqiptar” të vegjetarianizmit. Dashuria e kuzhinës së tij e ka emrin “Fast Food-vegjetarian”, pra pica vegjatariane, sanduiç vegjetarian, spageti e rizoto me perime”. Geri nuk bezdiset aspak që në tavolinën e shtëpisë së tij të tjerët konsumojnë rregullisht mishin dhe nënproduktet e tij, pa futur asgjë në gojë, përve spagetit me salcë që i gatuan e ëma. Por kur familja ka për drekë peshk, atëhere Geri i bashkohet menusë kolektive. Peshku nuk bën pjesë në listën e tij të ndaluar. Geri as që nuk e mban mend se kur i ka ndodhur të mos hajë mish, është i bindur se ka lindur kështu.

Pak a shumë si Geri e mendon, ose më saktë e percepton edhe stomaku i Anila Hodës. Pedagoge e katedrës së biologjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ajo është tani 43 vjeçe, dhe nuk e ka idenë se ç’shije ka mishi, peshku, apo frutat e detit. “Unë nuk e shijoj mishin dhe peshkun, njësoj si dikush tjetër mund të mos shijojë djathin, apo qepën, vezën apo spinaqin, dhe nuk e kuptoj se çfarë ka këtu për t’u çuditur. Në fund të fundit mbetet çështje shijesh.”. Dhe me të vërtetë kështu, sepse Anila, as që e mendon ta kategorizojë veten tek vegjetarianët. Ajo me kënaqësi i gatuan bashkëshortit dhe djalit të saj mishin dhe peshkun, sikurse do t’iu therte, pastronte e gatuante një pulë për drekë, apo një gjeldeti për natën e Vitit të Ri.

Megjithëse prindërit respektivë të Anilës dhe Gerit, deri sa u bindën për shijet e fëmijëve të tyre, u shqetësuan për mënyrën e të ushqyerit të tyre, duhet thënë se kjo nuk u konsiderua prej tyre si një sëmundje, e aq më pak e trashëguar. Askush në familjet e tyre nuk e linte mënjanë mishin dhe peshkun.

Je vegjentarian? Ha në shtëpi...

Megjithë Blertën, miqtë e saj amerikanë, Serenën dhe shumë të huaj të tjerë që janë rezidentë, me kohë të gjatë apo të shkurtër, në Shqipëri, nga kërkimet tona, rezultoi se asnjë restorant në Tiranë, deri edhe ata më luksozët, të frekuentuar më së shumti nga të huaj, nuk kishte një meny tipike vegjetariane. “Është fare e thjeshtë. Në fund të fundit në jemi një biznes, dhe, edhe pse duam më të mirën për klientët tanë, nuk mund të vendosim në menytë tona pjata tipike vegjetarianësh, për aq pak të tillë sa mund të na vizitojnë. Nuk ka treg të tillë në Tiranë, e aq më pak në qytetet e tjera të Shqipërisë.”. Kjo ishte pak a shumë përgjigjja që morëm nga shefat e kuzhinave dhe menaxherët e restoranteve në Tiranë. Por vegjetarianët, me hir a me pahir, herë me të mirë e herë me të keq, arrijnë ta gjejnë veten në menytë e tyre. Për sa kohë të jenë picat vegjetariane, katër djathërat, Margarita; porsa kohë të jenë sallatat e antipastat e gjelbra, për sa kohë të ketë rizoto e pasta me perime. Por vetëm këto ama. Sepse as më shumë e as më pak se kaq nuk ofronte Carlsberg-u, Vila Logoreci, Sky Club (restoranti tek kulla e Vodafonit), Sofra e Ariut, etj.

Për sa kohë vegjetarianët, rezidentë apo kalimtarë në Shqipëri, do të përbëjnë minorancën më minore të të gjitha grupimeve të mundshme që mund të na shkoi mendja, nuk do të ketë restorante të veçanta për ta, e për fat të keq, as mirëkuptim nga kamarierët e pjesëtarët e tjerë të tavolinave të tyre “të panjohura”.

Specialistët: Kujdes proteinat!

Por ç’mendojnë dhe ç’këshillojnë specialistët për vegjetarianët dhe menynë e tyre të të ushqyerit? Blerina Bombaj, dietologe, diplomuar në vitin 2004 për Dietologji klinike në Athinë, ushtron aktivitetin e saj prej pesë vitesh në Tiranë. Sipas saj, kjo zgjedhje, përveç oportuniteteve për vetë vegjetarianët, por edhe ambientin që na rrethon, nuk sjell asnjë pasojë fizike, nëse kihet gjithmonë parasysh kombinimi që u duhet bërë ushqimeve të tyre. “Është provuar shkencërisht që dietat vegjetariane janë të shëndetshme dhe, me një kombinim të mirë të përbërësve të tyre, shmangin shumë nga sëmundjet “moderne”, si kanceri, sëmundjet e zemrës, diabeti, etj. Ajo që duhet të kihet gjithmonë parasysh në individët që praktikojnë të ushqyerin vegjetarian, duke eliminuar të gjitha llojet e mishit, peshkut dhe prodhimeve të detit, është kombinimi në raportet e duhura të përbërësve të tjerë të mënysë së tyre.

Kjo lidhet drejtpërdrejtë me marrjen e sasisë dhe cilësisë së duhur të proteinave. Proteinat përbëhen nga aminoacide, ashtu sikurse fjalët përbëhen nga germa. Sa më shumë germa të kemi, aq më shumë mundësi ekzistojnë për të ndërtuar fjalë të plota. Po kështu ndodh me aminoacidet dhe proteinat”, shpjegon Blerina, duke shtuar se ushqimi që përmban shumëllojshmërinë më të madhe të aminoacideve është veza, dhe pikërisht për këtë konsiderohet ushqimi me përmbajtjen e proteinës ideale. Për këtë arsye, individët vegjetarianë duhet të konsumojnë përditë, minimalisht 3 porcione bulmet dhe 1 kokërr vezë. Në rastin e veganëve, duhet bërë kujdes i veçantë në kombinim e ushqimeve me prejardhje bimore që përmbajnë proteina. Të tilla ushqime janë fasulet, thjerrëzat, qiqrat, bathët, farat, si susami, farat e lulediellit, dhe frutat e thata, si arrat, lajthitë, bajamet etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama