-Kulla e Sahatit të Tiranës ngjyroset me blu në 70 vjetorin e themelimit të OKB-së-
TIRANE, 24 Tetor /ATSH/-Kulla e Sahatit në Tiranë mbrëmjen e sotme është ndriçuar me ngjyrë blu, ngjyra zyrtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Bashkia e Tiranës i është bashkuar fushatës botërore për të përkujtuar Ditën e Kombeve të Bashkuara dhe 70 vjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ka marrë shumë seriozisht të gjithë objektivat globale, sociale të Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, një nga 17 objektivat ka të bëjë me qytetet e qëndrueshme dhe kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës e konsideron si të rëndësishme një qytet të qëndrueshëm.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se ka nisur diskutimet me UNICEF, UNDP apo agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara që kanë qëllim se si Tirana mund të jetë një qytet më i qëndrueshëm. "Kjo është arsyeja se pse në muajin tonë të parë kemi pasur dy ditë pa makina dhe më vjen mirë që ata që janë gëzuar më shumë nga ditët pa makina kanë qenë fëmijët, të cilët kuptojnë se qyteti është gjithashtu i tyre", tha Veliaj.
Veliaj falenderoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara për ndihmën që i kanë dhëne Shqipërisë në zbutjen e varfërisë dhe çështjeve sociale.
"Ne jemi më shumë të shqetësuar për gjeneratën tjetër sesa për problemet e tjera. Detyra jonë është për të menduar për gjenerat e ardhshme jo për zgjedhjet e ardhshme. Jemi shumë të ndërgjegjshëm që një prej 17 objektivave të OKB-së ka të bëjë me qytetet e qëndrueshëm. Kjo është arsyeja pse që në muajin e parë filluam punën nga çerdhet. Në çdo vendim që kemi marrë është bazuar në këtë parim të OKB për t'u kujdes për ata që janë më të dobët dhe ata që kanë më shumë nevojë nga mbështetja publike", u shpreh Veliaj. /e.xh/ /a.g/