Veliaj Bashkia transparente e gatshme te bashkepunoje me Prokurorine

Veliaj: Bashkia, transparente, e gatshme të bashkëpunojë me Prokurorinë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezanton projektin e Pazarit të RiTIRANË, 12 Gusht /ATSH- I. Vata/-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka prezantuar pasditen e sotme administratorët e njësisë Nr.1 dhe Nr.2 në Tiranë dhe u ka kërkuar që të jenë në gatishmëri të plotë për t'ju përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Veliaj në fjalën e tij tha se "Puna e administratorit është një punë e bukur dhe e vështirë njëherazi dhe duke ju uruar suksese, ju kërkoj që të jeni në punë për t'u shërbyer qytetarëve për çdo preblematikë, pasi ne do të mbajmë premtimet dhe do të fillojmë më ndarjen 202 banesave sociale dhe të gjithë shërbimet që u nevoiten qytetarëve. Ne kemi nisur betejën me pastrimin e Tiranës dhe kjo është një betejë që ne e kemi në dorë për ta mbajtur Tiranën pastër dhe këtu nga njësia 1 dhe 2 do të vazhdojmë pastrimin për ta finalizuar me 4 shtator në aksionin e madh për pastrimin e Tiranës, pasi qyteti ynë është prona jonë e përbashkët".

Po ashtu, kryetari i Bashkisë, Veliaj, theksoi se "kërkojmë një skanim të problematikave që nga njësitë tuaj për të vijuar nesër me njësinë Nr 5, pasi shohim se trotuaret dhe hapësirat publike janë zënë dhe ne do ua kthejmë qytetarëve. Dua gjithashtu të keni parasysh inspektimin arsimor, pasi duhet të jemi të gjithë në gatishmëri të plotë për nisjen e vitit të ri shkollor, që çerdhet dhe kopshtet të jenë gati në shtator. Dua që përveç listave të problematikave edhe listën e nevojave të investimeve. Ne do ta kthejmë stacionin e shërbimeve të njësive si sporteli numër një në shërbim të qytetarëve, ku qytetarët të marrin shërbimet e duhura si, certifikatat, pasi ka njerëz në nevojë që nuk ngjisin shkallët dhe ne do të fillojmë nga përshtatja e kushteve dhe pastaj një inventar të të gjithë problematikave që në shtator të nisim punën".

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve në lidhje me kërkesën e Prokurorisë drejtuar Bashkisë së Tiranës për vendosjen në dispozicion të dokumetacionit të disa lejeve të ndërtimit të dhëna nga drejtuesit e mëparshëm të bashkisë, duke u shprehur: "Ka një kërkesë të Prokurorisë për një akuzë shumë të rëndë, për rreth 17 leje ndërtimi dhe sigurisht i kam kërkuar stafit të Bashkisë që të bashkëpunojë plotësisht me prokurorinë. Me sa duket, kjo ishte e pamundur me Bashkinë e kaluar, s'ka pasur bashkëpunim. Prokuroria rinovoi kërkesën që Bashkia t'i jepte gjithë dokumentacionin. Stafi i Bashkisë po përgatit dosjet për të 17 lejet që ka kërkuar të hetojë prokuroria. Nuk ndihem mirë që Bashkia e Tiranës është në një situatë të tillë, ku po hetohet nga Prokuroria, megjithatë, është një mënyrë për të vendosur një standard të ri, i cili do të shërbejë për të pasur transparencë në të gjitha vitet që do të vijnë. Për këtë ndihem mirë, që sot kemi një bashki tjetër, e cila pavarësisht se duhet të shpjegojë gjynahet e një lidershipi të vjetër, në fund të fundit, po mban edhe premtimin tonë elektoral, për të pasur një transparencë absolute. Transparencë më të mirë se sa bashkëpunimi me Prokurorinë, për t'i dhënë të gjithë dokumentacionin shoqërues për këto 17 leje që duket qartë se kanë problematika më të mëdha se sa të tjerat, nuk mund ta kisha menduar". /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama