Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë në minierën e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrës ditën e sotme. Gjatë vizitës, ai tha se do të marrë parasysh kërkesën e sindikalistëve për të ulur moshën e daljes në pension të minatorëve. Kërkesa e tyre, sipas ministrit Veliaj, do të gjejë hapësirë në skemën e re të pensioneve, e cila është ende në proces reformimi.
Sipas ministrit, mosha e daljes në pension të minatorëve është një pikë e rëndësishme e reformës. “Ulja e moshës së daljes në pension të minatorëve është jo vetëm një premtim, por edhe një kërkesë e drejtë që duhet bërë. Gjithashtu, ne duam që t’u japim mundësi punësimi një brezi të ri në një zonë, e cila nuk ka perspektiva të tjera”, tha Veliaj gjatë inspektimit të mjediseve të minierës. Sindikatat kërkojnë uljen e moshës së pensionit në 55 vjeç, për minatorët që kanë 25 vjet punë, ku 12.5 vjet prej tyre i kanë kaluar në nëntokë dhe 12.5 vjet në sipërfaqe.