Pas sjelljes së papërgjegjshme nga linjat e urbanit që operojnë në Tiranë, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj ka udhëtuar në një autobus urban për t’i kujtuar bashkisë dhe autoritete që drejtojnë rrjetin e urbanëve për respektimin e ligjit.
“Më rezulton se problemet më të rënda janë vërejtur në Bashkinë e Tiranës. Përveç linjës së Kamzës, asnjë nga linjat e tjera nuk e ka respektuar urdhrin. Prandaj, hipa sot në autobus, së bashku me disa qytetarë që janë të pajisur me dokumentin e invaliditetit, për të parë respektimin e ligjit. Me sa duket, ligji u njihka, por disa njerëz zgjedhin të mos e zbatojnë atë”, u shpreh Veliaj.
Ai u bëri thirrje edhe shoqërive të transportit që ta respektojnë ligjin. “Ligji për licencat e shoqërive të transportit thotë se ato mund ta marrin licencën vetëm nëse plotësojnë kushtin e udhëtimit falas të personave invalidë. Çka do të thotë se edhe mund ta humbasin licencën nëse nuk e zbatojnë atë”, tha ai.
“Në të kundërt”, vijoi Veliaj “do të merrem personalisht, me gjithë fuqinë që më siguron ligji. Çdo shfajësim i Bashkisë së Tiranës, e cila kërkon para shtesë për t’i ndarë me kompanitë e autobuzave, do të penalizohet. Ligji flet shumë qartë dhe çdo spekulim nga Bashkia e Tiranës nuk qëndron.”