Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka organizuar sot një takim në ambientet e zyrës së punës në Tiranë, ku u ka bërë thirrje të rinjve që të ndjekin arsimin profesional në kuadrin e mbylljes së universiteteve private.
Duke përgëzuar punën e Ministrisë së Arsimit për vendimin e fundit, Veliaj tha se nuk është e nevojshme që të shpenzohen para për një diplomë pa vlerë.
“Që tani fillon një proces i ri, procesi i zanateve. Duhet të jemi realistë dhe të krahasohemi me rajonin. Një nga alternativat që u kemi ofruar sipërmarrësve që kishin investuar në arsimin privat, është të orientohen drejt arsimit profesional. Kurse që janë më të shkurtra, por që mësojnë një zanat. Kanë mundësi të futen në një treg ku realisht ka nevojë. Dora e dukshme e shtetit duhet të jetë prezente”, u shpreh ministri.
Veliaj gjithashtu foli edhe për çështjen e ndihmës ekonomike, duke theksuar se atë do ta përfitojnë njerëzit që janë në nevojë.