Veliaj Ne 4 shtator aksion historik per te pastruar Tiranen

Veliaj: Në 4 shtator, aksion historik për të pastruar Tiranën

TIRANË, 5 Gusht /ATSH/- Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj zhvilloi të mërkurën një takim me 24 administratorët e njësive bashkiake, të cilëve u kërkoi të nisin përgatitjet për 4 shtatorin, që do të jetë dita e aksionit historik për pastrimin e Tiranës.

Duke i falënderuar për punën e bërë deri tani në të gjitha njësitë administrative, ku nuk është ndërprerë puna në asnjë rast, megjithëse në fazë tranzicioni të ndërrimit të drejtuesve, Veliaj kërkoi që secili administrator të hartojë një raport për të gjitha rrugët, sheshet dhe trotuaret e zëna në çdo njësi.

Gjithashtu, kryebashkiaku porositi administratorët që të shohin nga afër çdo shërbim që u ofrohet qytetarëve, për të kuptuar më mirë problemet me të cilat hasen çdo ditë qytetarët e Tiranës.

"Nga asnjë njësi nuk kemi patur një ndërprerje të shërbimeve dhe asnjë qytetar nuk mbeti pa marrë shërbimin e kërkuar nga njësia. Ju falënderoj për këtë. Këtë fazë tranzicioni do ta kalojmë me sukses, deri në fund. Bëni një vlerësim të aseteve tuaja dhe ambienteve të punës. Shërbimet ndaj publikut do jenë të gjitha në katin e parë, sepse një invalid nuk mund të ngjitet në katin e katërt. Do të bëjmë një kërkesë nga inventari që ka bashkia për të bërë shkëmbim asetesh, të gjithë qytetarët duhet të kenë akses në shërbimet tona dhe jo të kemi skena me ngjitje karrocash. Shkoni vetë në pikat e grumbullimit të mbeturinave, në sportelet e shërbimeve, në autobus, se vetëm duke e parë vetë e kuptojmë problemin," deklaroi Veliaj. e,xh//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama