Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot pasdite administratorin e njësisë Farkë, Admir Abrija, ku deklaroi se në Farkë do të ndërtohet terminali lindor i autobusëve, si një mënyrë për të disiplinuar trafikun e Tiranës dhe për të shmangur ndotjen që shkaktojnë automjetet.
“Kemi vendosur që terminali lindor i autobusëve që vijnë nga zona e juglindjes së Shqipërisë, Pogradeci, Korça apo veriu i Greqisë, të jetë në zonë e Farkës. Është një mënyrë se si ne disiplinojmë trafikun në Tiranë dhe se si shmangim skenat e shëmtuara që shkaktojnë trafik dhe ndotje në qytet. Duke pasur një terminal në zonën e Farkës, disiplinojmë trafikun, por i kthejmë edhe një vlerë kësaj lagjeje të re të Tiranës, duke u siguruar që kemi një sistem modern të disiplinimit të të gjithë transportit publik në qytet”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, ai inspektoi punimet për Liqenin e Farkës, ku edhe deklaroi se ky liqen do të jetë njëri nga 5 parqet e Tiranës. Veliaj theksoi se Liqeni i Farkës ka një potencial fantastik për t’u kthyer në një zonë rikrijuese, çlodhëse dhe e këndshme për qytetarët e Tiranës.