Bashkia e Tiranës ka filluar punën për t’i rikthyer identitetin Monumentit të Pavarësisë, që është vendosur në qendër të Tiranës dhe që prej kohësh është kthyer në shënjestër të vjedhësve të skrapit, por edhe në banjë publike. Mëngjesin e së dielës, disa punonjës bashkiakë nisën punën për ndalimin e degradimit të këtij monumenti, i cili është simboli i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Monumenti i vendosur në qendër të Tiranës me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u ndërtua me pllaka prej bronzi dhe u kushtoi taksapaguesve 355 mijë euro. Por ai ka pësuar dëmtime të mëdha brenda tre vitesh. Që prej vendosjes së tij, situata ka qenë e tillë, që nuk të bën aspak krenar për gjendjen në të cilën ka përfunduar. Përmes videove dhe fotove, qytetarët shpesh herë kanë denoncuar vjedhjen e pllakave prej bronzi të tij, në mes të ditës dhe në qendër të Tiranës. Por bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ruajtjen e tij.
Me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është përqendruar në restaurimin e objekteve të veçanta në kryeqytet. Pas rregullimit të Sahatit të Tiranës, Veliaj tashmë ka nisur punën për rikthimin e shkëlqimit të Monumentit të Pavarësisë. Kryebashkiaku Veliaj ka ndarë në profilin e tij në Facebook disa momente gjatë punës, ku ka njoftuar se nga dita e sotme, do të nisë puna për ndalimin e degradimit dhe vandalizimit të Monumentit të Pavarësisë.
"Tualeti më i shtrenjtë në Tiranë. Nga sot ndalojmë degradimin dhe vandalizimin e Monumentit të Pavarësisë, për ta pasur gati në 28 nëntor. ‪#TiranaNëPunë", shkruan Veliaj, i cili ishte i pranishëm pasditen e djeshme për të ndjekur mbarëvajtjen e punës.
Mësohet se punonjësit do të rregullojnë pjesët e dëmtuara dhe do të fshijnë mbishkrimet në faqet e monumentit, brenda disa ditësh. Punonjësit e bashkisë do punojnë për të rregulluar pjesët e amortizuara. Restaurimi do të zgjasë disa ditë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve të nisura mëngjesin e së dielës u shpreh se do të ketë procedim penal për këdo që dëmton dhe vandalizon monumentet që janë pronë publike:
“Kushdo që vandalizon qytetin do të procedohet penalisht. Monumenti i Pavarësisë është pronë publike, urat e Tiranës janë pronë publike, muret e Tiranës janë pronë publike. Kush përdor “graffitti”, heq një tullë nga ura apo urinon poshtë saj, do të procedohet penalisht. I kërkoj qytetarëve bashkëpunim. Nëse shohin akte vandalizmi, të njoftojnë Policinë e Shtetit ose Policinë Bashkiake”, u shpreh Veliaj.