TIRANË, 22 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Ish-ambasadori amerikan në vendin tonë John Withers është nderuar në një ceremoni të veçantë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili i dorëzoi çelësin e Tiranës ish-kryediplomatit.
Kryebashkiaku i Tiranës në një mbledhje të veçantë në prani të personaliteteve fetare, të politikës, parlamentit dhe diplomacisë dhe në prani të ambasadorit Donald Lu, nderon ish- ambasadorin e SHBA në Tiranë, John Withers, duke i dhuruar çelësin e qytetit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka falenderuar punën e ambasadorit Withers në Tiranë dhe i ka dhënë çelësin e qytetit të Tiranës, "Nderi i qytetit të Tiranës".
"Shumë shqiptarë e ndjenin Xhonin si një nga ne, jo thjesht si një përfaqësues i një vendi mik, por si një njeri që i përjetonte problemet e shqiptarëve si të tijat dhe ne i japim me nderim çelësin e qytetit të Tiranës", u shpreh Veliaj.
Ish-ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers tha, "dëshiroj t'ju falenderoj shumë për fjalët tuaja dashamirëse. Dëshiroj të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit pasi shumica janë figura të njohura dhe gjithashtu ndihem veçanërisht i lumturuar, teksa shoh mikun tim, kolegun e nderuar ambasadorin, Donald Lu këtu. Ky është një moment që më bën të ndihem shumë i përulur. Gjithathashtu përbën një nder tejet të vecantë për mua marrja e "çelsit të qytetit" të këtij vendi që është kaq i dashur për mua".
Po ashtu, Withers shpreh se, "edhe unë jam kthyer sot në Tiranë dhe unë jam prekur dhe prekem nga bukuria e maleve të saj. Nga mikëpritja e ngrohtë e qytetarëve të saj. Ndjej një freski në ajër tani dhe një frymë ndryshimi në qytet dhe kjo është diçka e mirë për të punuar. Mbi të gjitha ndjehem i prekur nga simboli krenar i madhështisë së këtij qyteti, i Çelsit që mbaj sot në duart e mia. Në kuptimin tradicional, ky çelës do të më jepte lirinë të hyja në këtë qytet sa herë të dëshiroja, por në kuptimin vetjek me lejon mua të kthehem në Tiranë dhe Shqipëri. Do të përpiqem ta mbaj me nder këtë titull të lartë "Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria" ", tha ambasadori Withers.
/f.n/