Një ditë pas marrjes së detyrës, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka emëruar edhe drejtorët e parë në disa institucione të rëndësishme. Pasi premtoi në fushatë se një nga vendimet e para të tij do të ishte largimi i Florenc Hoxhës dhe zëvendësimi i tij, burime nga Bashkia e Tiranës shprehen se Veliaj ka vendosur që t’ia besojë këtë pozicion Skerdi Drenovës, i cili do të jetë drejtori i ri i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor.
Burimet për JavaNews.al, bëjnë të ditur se pas marrjes së detyrës nga kreu i i ri i INUV do të kryhet një audit për të parë gjendjen në të cilën ndodhet ky institucion. Skerdi Drenova është me profesion inxhinier dhe ka punuar disa vite në media. Prej kohësh ai është marrë me biznes dhe njihet për aftësitë e tij shumë të mira menaxhuese.
Një tjetër emërim është edhe ai i Arli Naska, i cili do të mbajë postin e drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Tiranë. Naska ka punuar si drejtues në disa institucione të rëndësishme dhe gjithashtu ka drejtuar disa degë bankash të nivelit të dytë në Shqipëri. Së fundi ai mbante pozicionin e administratorit në një kompanie private.
Gjatë fushatës, Veliaj premtoi se do hiqet dogana për produktet e vendit që prodhohen në rrethinat e Tiranës dhe se do largojë nga bashkia “gangsterët si Florenc Hoxha”.