Veliaj zbor operatoreve te pastrimit ne 7 te mengjesit

Veliaj 'zbor' operatoreve te pastrimit ne 7 te mengjesit

Që në orët e para të ditës së hënë, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” gjithë ushtrinë e operatorëve të pastrimit të Tiranës, dhe gjithë kapacitetet njerëzore dhe teknologjike të tyre, ku dhe ka shpallur atë që ai e quajti si “luftën kundër zhulit”.

“Duhet t'i shpallim një luftë gjithë plehrave dhe papastërtisë në Tiranë. Lufta në këtë rast nuk bëhet me tanke dhe me blinda por me punë nga secili prej jush”, - tha Veliaj.

Ai gjithashtu i la 4 muaj afat të gjitha kompanive të pastrimit, për të vlerësuar në bazë të rezultateve që do arrijnë në drejtim të pastrimit të Tiranës, nëse do të vazhdojnë apo jo kontratat e lidhura nga bashkia e mëparshme.

“Bashkia do të kryejë në çdo lagje sondazhet e veta duke pyetur qytetarët nëse janë të kënaqur nga shërbimi i ofruar në pastrim apo jo. Ja u bëra me dije firmave të pastrimit që tani do vendosin qytetarët për pastrimin dhe jo kryetarët e bashkisë. Nëse qytetarët e një lagjeje japin notë të mirë për pastrimin do vazhdojmë bashkëpunimin me kompaninë, në të kundërt kontrata jonë nuk do vazhdojë. Prandaj ju thashë që tani që është fillim gushti dhe keni kohë deri në dhjetor. Nëse kjo nuk ndodh unë i pari do të iki. Nuk dua që asnjë prej jush të humbasë kontratën në dhjetor por kjo varet nga ju”, - tha Veliaj.

Ai ka kërkuar nga çdo punonjës pastrimi apo i ndërmarrjeve të ndryshme të bashkisë që të bëjnë sa më mirë punën e tyre. “Unë kam ndërmend të dal faqebardhë nga kjo luftë dhe do ta fitoj. Standardi për Tiranën është të jetë qyteti më i pastër në Ballkan, jo në Shqipëri. Tirana nuk mund të jetë kryeqytet i zhulsit, shqiptarët nuk janë të papastër. Ju uroj punë të mbarë”, tha kryetari i bashkisë së Tiranës.

Veliaj u shpreh se nga sot, policia bashkiake është në dispozicionin e punonjëseve të pastrimit. “Gjithashtu edhe INUV do të bashkëpunojë me ju, që ta bëjnë punën tuaj më të lehtë. Nëse institucione të tjera të bashkisë ju pengojnë punën tuaj atëherë do t’i raportoni menjëherë”, tha ai.

Veliaj tha se në fund të gushtit do të bëhet sondazhi i parë. Në fund të fjalës së tij, kreu i bashkisë bëri të ditur se duke filluar që sot, ai vet personalisht, do të shkojë në çdo cep të Tiranës për të ndjekur nga afër sesi po shkon ky aksion. “Unë personalisht siç do shkoj në çdo linjë autobusi me 24 administratorë, do shkoj në çdo cep të Tiranës për të parë pastrimin. Ta fillojmë betejën që sot, në luftën tradicionale shkonin me tanke me blinda, ne do shkojmë me fshesa, me bote dhe me makina teknologjike”, - tha Veliaj, ndërsa paralajmëroi gjithashtu se në shtator do të nisë një aksion qytetar për pastrimin e Tiranës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama