Plazhi
Plazhi i Velipojës ndodhet rreth 5 km bregut të detit nga plazhi i Ulqinit. Plazhi ka një vijë bregdetare për shfrytëzim 14,5km, nga grykderdhja e Bunës deri pranë “Ranës së hedhun”. Thellësia e vogël e detit në brigjet pranë plazhit të Velipojës dhe gjatësia e shtrirjes krijon mundësi për ndërtime në det. Plazhi i Velipojës është një perlë e natyrës ku gërshetohen harmonishëm deti, lumi, plazhi, laguna, pylli e mali. Rëra e pasur, që sidomos në dy skajet e plazhit ka shumë jod i jep atij dhe vlera kurative. Uji i kulluar i detit, rezervuati i gjuetisë, laguna e Vilunit, baticat e zbaticat, ofrojnë bukuri mahnitëse. Pyjet, kryesisht me plepa, të pranishëm në të gjithë plazhin e deri 200 metër pranë detit, i japin freski plazhit edhe në ditët më të nxehta.
Si të shkosh
Për të shkuar në plazhin e Velipojës nga Tirana apo pjesë të tjera të vendit nisesh drejt Shkodrës dhe në vendin e quajtur Harku i Berdicës, 2 km pa hyrë në Shkodër, kthehesh majtas. Harku i Berdicës është i dallueshëm si nga ana vizuale ashtu dhe me sinjalistikë, përfshirë dhe ndërtimin simbolik të harkut mbi rrugë. Nga Harku i Berdicës, plazhi është rreth 28 km, rruga është e mirë dhe pse e ngushtë, ajo është e vetmja që të çon deri në plazh.
Me se të shkosh
Në Velipojë mund të shkohet vetëm me makinë, personale, taksi apo furgon. Furgoni i linjës nga Shkodra mund të merret edhe te Harku i Berdicës (200 lekë/person). Me taksi kushon 2000 lekë për katër persona. Nga Tirana, plazhi i Velipojës është 120 km, nga Durrësi rreth 130 km etj.
Kur të shkosh
Korriku dhe gushti janë dhe muajt kur në Velipojë shtohet fluksi i pushuesve, rezidencialë apo ditorë, duke arritur pikun në fundjavë.
Pse të shkosh
Deti dhe rëra e cila është e pasur me jod, pylli, rezervati i gjuetisë, laguna e pjesët jo shumë të shftrytëzuara të këtij plazhi (si Rrjolli), klima e mrekullueshme, janë ato që vazhdojnë të tërheqin pushues të shumtë jo vetëm nga Shkodra, por dhe nga rrethe tjera e nga jashtë vendit.
Çfarë mund të bësh
Përveç plazhit, Velipoja të afron zbavitje si shëtitje me varkë, gjueti kafshësh e peshqish.
Për familjarë
ka parqe lojrash për fëmijë, aktivitete artistike që i organizojnë lokalet e shumta, dhe për të rinjtë ka ambiente për lojra sportive në rërë si beach volej, futboll, etj.
Për të rinj
Përveç jetës së natës, bukuria e Velipojës të jep mundësinë të shijosh shëtitje pranë bregut në nmbrëmje, sidomos për çiftet.
Këta kanë mundësi dhe për ambiente intime gjatë ditës pasi plazhí ka pjese të izoluara në formë xhepash, kjo sidomos në zonën e pyllëzuar në drejtim të Vilunit, jo larg detit.
Hotelet
Çmimet e hoteleve, kabinave apo dhomave ku mund të akomodohen pushuesit ditor apo dy javor janë të ndryshme dhe variojnë sipas kushteve që afrojnë.Velipoja ka rreth 340 hotele apo shtëpi me dhoma të përshtatura për pushime dy javore që vihen në dispozicion të pushuesve. Në këtë plazh, janë rreth 2000 ndërtime, ku pjesa më e madhe janë banesa private që i kanë ndërtuar qytetarët e Shkodrës si shtëpi të dyta për periudhën e verës dhe të shumtë janë ato që janë vendosur familjarisht këtu që në fillim të qershorit apo dhe fundin e majit. Kapaciteti turistik i ambjenteve të hotelerisë në këtë plazh, sipas statistikave zyrtare të komunës Velipojë shkon 35.000-40.000 vende, përfshirë këtu dhe banesat që jepen me qera për dy javë pushime në këtë plazh.
Ndërsa numri i pushuesve ditorë, kryesisht në fundjavë shkon rreth 80.000 të tillë.
Çmimet
Çmimet e hoteleve janë të ndryshme dhe shkojnë nga 16 – 70 euro/person në ditë. Apartamentet me qera për një periudhë dy javore shkojnë nga 15.000 lekë (qershor) deri 40.000 lekë (në korrik e gusht). Apartamentet janë 1+1 apo 2+1 , kanë banjo e ballkone, dhe afrojnë paisje kuzhine, sobë gatimi, set gatimi, banak, furrë mikrovale , frigorifer, etj. Hotelet më të shtrenjta afrojnë dhe tv, parking, sistem satelitor, kondicionim etj .