Lista zyrtare e 23 futbollistëve që u publikua nga De Biazi dy ditë më parë solli reagime jo vetëm nga futbollistët, por edhe nga të afërmit e tyre.
Pas këtij vendimi, vëllai i futbollistit Herolind Shala, Mirlind Shala, publikoi një status në rrjetin social "Facebook", duke ironizuar vendimin e De Biazit.
Ai ngre pikëpyetje për qëndrimin e vëllait tij me kuqezinjtë, ndërsa uron që Kombëtarja të mundet sërish nga Serbia dhe se shprehja "Kosova është Shqipëri", është po aq provokuese sa thënia "Kosova është Serbi".
Nuk dihet ende nëse ky është profili i vërtetë i vëllait të futbollistit Heroilnd Shala, por statusi i tij ka bërë xhiron e internetit për reagimin e ashpër që shpreh ndaj vendimit të trajnerit italian.
Berat Gjimshiti, Milot Rashica, Herolind Shala dhe Amir Rahmani nuk u përfshinë në grupin e lojtarëve që trajneri italian vendosi të marrë në "Euro 2016".