Vellai i Kudret Kumes Te zbulohet e verteta dhe te kthehet zemra e tij

Vellai i Kudret Kumes: Te zbulohet e verteta dhe te kthehet zemra e tij

Vëllai - “Që Kudretit (Ilia Kareli) t’i qëndrojë i lehtë dheu dhe ne të flemë pa ëndrra, të zbulohet e vërteta dhe të kthehet zemra e tij”
Nëna - Nëna e Kudretit, Resmia, ende nuk e di se në çfarë mase është torturuar i biri dhe askush nuk i ka thënë se atij i mungonte zemra
Apeli -Ne kërkojmë që të paktën autoritetet shqiptare të ndërhyjnë e t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, derisa të zbardhet e vërteta”


Shkëlqim Kume u bën apel autoriteteve që të vendoset drejtësi

“Heqja e zemrës është shokuese. Nuk e dimë arsyen pse grekët e kanë bërë një veprim të tillë”
Letërporosia - Prokuroria do t’u dërgojë një letërporosi homologëve grekë, ku veç të dhënave hetimore të deritanishme, do të jenë edhe disa kërkesa që lidhen me mungesën e zemrës


“Që t’i qëndrojë i lehtë dheut atje ku është dhe që ne të flemë pa ëndrra, duhet që të dimë të vërtetën për atë që i mungon trupit të Kudretit. Duhet të na kthehet zemra e djalit tonë.” Këto kanë qenë fjalët e Shkëlqim Kumes, vëllait të Kudret Kumes (Ilia Karelit), i cili vdiq në burgun e Nigritas në Greqi, si pasojë e torturave barbare që u ushtruan prej gardianëve.

Teksa në familjen Kume vijojnë vizitat e ngushëllimet nga miq e të afërm, vëllai i Kudretit dhe familjarët e tjerë po përballen me fakte të reja që po i lëndojnë çdo ditë e më tepër. Pas bërjes publike të rezultateve të ekspertizës mjekoligjore, nga ku u zbulua fakti se në trupin e Kudret Kumes mungonte zemra e tij, familjarët e viktimës kanë reaguar duke kërkuar që të zbardhet e vërteta e ngjarjes dhe të vendoset drejtësi. Nëna e Kudretit, Resmia, ende nuk e di se në çfarë mase është torturuar i biri. Gjithashtu, askush nuk ka guxuar t’i thotë se në trupin e pajetë të Kudretit mungonte zemra. Me fotot e të birit, ajo qëndron në divanin e sallonit të shtëpisë dhe me lot në sy kërkon shpjegime për atë që i ka ndodhur Kudretit. “Nuk kishin pse të ma vrisnin djalin. Nëse e vrau gardianin ta dënonin aq sa e parashikonte ligji. Mua më dhembi kur dëgjova për gardianin e vrarë, sepse edhe ai bir nëne ishte. Por mendoj se Kudreti ka pasur ndonjë arsye të fortë që e ka shtyrë për të bërë atë veprim. Ai gjithmonë më thoshte se do të vinte në shtëpi së shpejti. Nuk di ç’të mendoj. Tani ai nuk kthehet më, por të paktën ta dimë çfarë i ka ndodhur birit tim”, është shprehur e moshuara, teksa lotët nuk i pushojnë asnjë moment. Ndërkohë, vëllai i të ndjerit, të torturuar deri në vdekje në Greqi nga gardianët e burgut të Nigritas, Shkëlqim Kume, ka kërkuar që autoritetet të ndërhyjnë për të zbardhur të vërtetën dhe të vendosin drejtësi.

Cili është komenti juaj pas publikimit të rezultatit të Mjekësisë Ligjore lidhur me mungesën e zemrës?

Kjo është shokuese. Ne si familjarë jemi të tronditur nga kjo që po dëgjojmë, pasi nuk e kemi ditur një gjë të tillë. Duam që të zbardhet e vërteta, pasi veç dhembjes nuk mund të jemi të qetë për atë që ka ndodhur.

Çfarë kërkoni dhe kujt ia drejtoni këtë apel?

Ne kërkojmë që autoritetet shqiptare të ndërhyjnë e t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, derisa të zbardhet e vërteta. Të na kthejnë zemrën e vëllait që t’ia vendosim pranë trupit. Vetëm kështu ai do t’i qëndrojë i lehtë dheut atje ku ndodhet dhe ne nuk do ta bëjmë gjumin me ëndrra. Me këto që po dëgjojmë nuk dimë se çfarë të mendojmë.

Pas publikimit të këtij fakti, keni ndonjë dyshim se çfarë mund të ketë ndodhur?

Nuk kemi çfarë të dyshojmë, sepse ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe nuk i njohim procedurat. Por, ne duam të dimë çdo gjë lidhur me hetimet. Duam të vihemi në dijeni të çdo gjëje që do zbulohet nga hetimet, qoftë nga drejtësia greke, qoftë nga ajo shqiptare. Ne si familjarë kemi të drejtë të dimë se çfarë i ka ndodhur vëllait tonë atje. Tani mësojmë se përveçse i kanë marrë jetën, i kanë mbajtur edhe zemrën, kjo është mjaft e rëndë. Nuk e kuptojmë pse e kanë kryer një veprim të tillë. Dyshojmë se ata duan të fshehin diçka, por meqë nuk i njohim procedurat, nuk mund të bëjmë akuza. Shpresojmë që të paktën autoritetet e vendit tonë të na vënë në dijeni me gjithçka rreth hetimeve për vrasjen e vëllait.

Po nëna juaj e ka mësuar këtë fakt?

Jo, ajo nuk di asgjë të tillë dhe ne nuk kemi ndërmend t’ia themi, sepse mjaft është e lënduar. Nëse do ta mësonte një gjë të tillë, do të ishte mjaft e vështirë të përballohej prej saj.

 

Hetimet

Pala greke do të pyetet nëse Kume mbërriti në morgun grek me apo pa zemër

Prokuroria shqiptare, kërkesë grekëve për mungesën e zemrës

Në një procedurë normale, Mjekësia Ligjore greke duhej të kishte mbajtur një pjesë të organit


Pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë i ka vënë në dispozicion prokurorisë shqiptare konkluzionet e aktit të ekspertimit mjekoligjor të mbajtur për dëmtimet e konstatuara në trupin e Kudret Kumes (Ilia Karelit), organi i akuzës do t’u dërgojë një letërporosi homologëve grekë, ku veç të dhënave hetimore të deritanishme, do të jenë edhe disa kërkesa që lidhen me mungesën e zemrës.

Burime nga organi qendror i akuzës janë shprehur për gazetën se në letërporosi do të kërkohet një kopje e dosjes hetimore të deritanishme, që është përpiluar nga prokuroria greke. Gjithashtu, në këtë letërporosi, prokuroria shqiptare pritet të konceptojë disa pyetje drejtuar homologes greke. “Këto pyetje kanë lindur pas konkluzioneve të ekspertizës mjekoligjore”, pohojnë burimet e organit të akuzës. Ato shtojnë se mungesa e zemrës ka ngritur mjaft dyshime. Kjo, pasi mjekoligjorët mund t’u japin përgjigje shkaqeve të vdekjes vetëm pasi kanë ekspertuar pjesë të zemrës. Nga burime të Mjekësisë Ligjore bëhet e ditur se në një procedurë normale, aktekspertimi mjekoligjor, merren pjesë të ndryshme të organeve, nëpërmjet të cilave kryhen analizat e nevojshme. Por kurrsesi nuk mund të mbahet për ekspertim një organ i tërë dhe aq më tepër zemra, pohojnë burimet.

 

Kjo, pasi ekspertimi i zemrës do të zbardhte çdo detaj rreth shkaqeve që kanë sjellë vdekjen e Kudret Kumes. Ndërsa në mungesë të saj, mund të fshihen këto shkaqe, që më pas mund të çojnë edhe në rindërtimin e dinamikës së torturave që i janë ushtruar Kumes. Burimet e akuzës shprehen se palës greke do t’i shtrohet pyetja se cilat kanë qenë arsyet që zemra nuk ndodhet në trupin e viktimës dhe pse nuk është shënuar një gjë e tillë në dokumentet shoqëruese të viktimës. Nëse pala greke do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë do të mësohet nëse Kume ka mbërritur në morgun e spitalit grek me zemrën e tij apo pa të. Nëse Mjekësia Ligjore greke do të pohojë se trupi ka mbërritur në morg pa zemrën, atëherë ky fakt do të ngrejë dyshimet se ajo është hequr prej trupit të Kudretit nga torturuesit. Në të kundërt, mbajtja e gjithë organit të zemrës nga Mjekësia Ligjore greke në kundërshtim me procedurat përkatëse, do të ngrinte dyshimet për fshehje të mundshme të provave, përfundojnë burimet. E. Hoxhaj

 


Historia
Vrasja e gardianit dhe hakmarrja ndaj shqiptarit

Të martën e dy javëve më parë, rreth orës 12:10, gardiani i burgut të Malandrinos në Greqi, 46-vjeçari Jorgos Cironi, ka marrë turnin dhe ka nisur kontrollin e qelive. Kur ka shkuar në sektorin B të katit të parë, në qelinë e Kudret Kumes, ky i fundit i ka dhënë në dorë një letër dhe më pas e ka qëlluar në qafë me një thikë të improvizuar. Në këtë kohë, të burgosurit e tjerë kanë kërkuar ndihmë dhe njëri prej tyre është afruar t’i japë ndihmë gardianit, por Kudreti e ka qëlluar sërish me xham. Gardiani ka ndërruar jetë pas pak çastesh si pasojë e gjakrrjedhjes, ndërsa Kudreti është izoluar prej gardianëve të tjerë dhe më pas është transportuar në polici.

 

Pasi i janë marrë gjithë deklarimet rreth ngjarjes, ai është transferuar për në burgun e Nigritas për t’u mbyllur në izolim dhe për t’u mbrojtur nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Por pikërisht aty ku erdhi për sigurinë e jetës së tij, aty u gjet i pajetë në qelinë e izolimit, që fillimisht u deklarua si një vdekje natyrale, ndërsa më pas u publikuan faktet e torturimit të tij deri në vdekje. Pak para mesnatës së të premtes së javës së kaluar, rreth orës 23:30, gardiani i shërbimit në burgun e Nigritas ka vërejtur se Kume nuk jepte shenja jete prej një kohe të gjatë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama