Edhe pse presidenti i SHBA-ve, Barack Obama për momentin nuk ka në axhendën tij një vizitë në Maqedoni, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vëllanë e tij më të madh, Malik Obamën, i cili ditën e sotme vizitoi Shkupin. Maliku shëtiti rrugëve të Shkupit, ndërsa vizitoi edhe shtëpinë muze të nobelistës shqiptare, Nënë Terezës, për t’u shprehur më pas se Maqedonia ka një histori të madhe.
Malik Obama mori sot çmimin për paqe nga Fondacioni “Klubi Ballkanik për Paqe”. Këtë çmim, ai e mori në emër të organizatës së formuar nga babai i tij, i ndjeri Husein Obama.
“E di se Maqedonia ka histori të pasur dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Koha është shumë e mirë dhe keni femra shumë të bukura. Por, dua që të falënderoj “Klubin Ballkanik të Paqes” që më ftoi të vizitoj vendet e Ballkanit dhe kulturën tuaj të pasur.
Dua t’ju përcjell përshëndetjet e ngrohta nga njerëzit e Kenias dhe të gjithë Afrikës, duke shpresuar që ardhja ime këtu të jetë një lidhje mes popujve tanë dhe të fokusohemi në gjërat që na lidhin e jo tek ato që na ndajnë. Le ta bëjmë botën një vend më të mirë për të jetuar”, tha Malik Obama, kryetar i fondacionit “Barak Husein Obama”.