Vellai i pafat i Obames
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
I njëjti gjak, e njëjta dhembje, i njëjti baba që i braktisi që kur qenë fëmijë të mitur. Por të ardhme krejt të ndryshme: njëri është në garë për të fituar postin e njeriut më të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa i dyti jeton në një geto afrikane ku syri të zë veç baraka të sajuara. Xhorxh Husein Oniango Obama, vëllai i harruar i kandidatit presidencial Barak Obama, më i ri dhe më pak fatlum, nuk ishte afruar kurrë nga njeri deri tani: vetëm para pak ditësh një gazetar i revistës "Vanity Fair Italia", kaloi një ditë të tërë në geton ku banon. "Askush nuk e ka idenë që ekzistoj", i tha Xhorxhi gazetarit italian. "Këtu jetojmë me më pak se një dollar në muaj", rrëfen teksa shoqëron gazetarin nëpër geton ku jeton, në Huruma, në periferi të Nairobit. Baraka e tij është dy metra e gjerë dhe tre e gjatë. Nga ajo që mund të quhet tavan, varen tre bluza. Mobilimi kompletohet nga një poster i skuadrës së Interit, një tjetër të Milanit dhe një kalendar i disa viteve më parë, ku shfaqen foto plazhesh ekzotike.
Por edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme: kopertona e një gazete vendase me fotografinë e senatorit Barak Obama. Vëllai i tij i madh. Në geto të gjithë e quajnë Husein, emri i tij i dytë mysliman. I ati, i quajtur Barak Husein Obama plaku, ka bërë një jetë të etshme: poligam, si të gjithë në Kenia, la pas katër gra dhe tetë bij. Dihej për Aumën: shumë pranë vëllait amerikan gjatë fazës së parë të zgjedhjeve brenda radhëve të Partisë Demokrate. E motra e ndihmoi sa mundi gjatë fushatës elektorale. Dihej edhe për Abongon, i njohur ndryshe edhe si Roi, njëherësh edhe si Malik: herë pas here nuk përtonte të thoshte fjalën e vet për llogari të ndonjë reviste a gazete.
Duhej edhe për ekzistencën e tre Obamave të tjerë, një në Kinë dhe dy në Londër: kanë vendosur të mos i përgjigjen asnjë pyetje të bërë nga gazetarët. Dihej që edhe një tjetër prej vëllezërve, i quajtur David, kishte vdekur në moshë të re pas një aksidenti me motor. Apelit të fëmijëve të Barak Husein Obama plakut, i mungonte vetëm ai: Xhorxh Husein Oniango Obama. "Jetoj si një i harruar nga bota, askush nuk e di që ekzistoj", rrëfen. Në rast se ndokush çuditet nga mbiemri i tij dhe e pyet (gjë që për hir të së vërtetës ndodh shpesh) çfarë lidhje ka me senatorin amerikan, përpiqet të rrëshqasë: "Përgjigjem se nuk kam asnjë lidhje gjaku me të. Më vjen turp".
Është 26-vjeçar dhe sytë i ka gjithë kohës të murrëtyer. Janë shumë të pakta ato gjëra me të cilat mund të mburret. Prej pak kohësh është regjistruar në vitin e parë në një institut teknik. Për dhjetë vjet me radhë ka jetuar rrugëve. Çfarë efekti mund t‘i bëjë pamja e të vëllait në ekranin e televizorëve? Acarohet përpara se të përgjigjet: "Obama, Obama, Obama, gjithnjë Obama! A nuk i bie ndokujt në mendje të merret edhe me kandidatin tjetër presidencial, Mek Keinin?". Me të vëllanë është parë në dy raste. Nga rasti i parë ruaj kujtime të vagullta, pasi në atë kohë kishte qenë vetëm 5-vjeçar. Nga ai kujtim ekziston edhe një gjurmë: një paragraf në epilogun e autobiografisë së Barak Obamës, të titulluar "Ëndrrat e tim ati", ku e përshkruan si "një vogëlush të bukur me kokë të rrumbullakët e me vështrim të vëmendshëm".
Takimi i dytë ndodhi para dy vjetësh. Senatori arriti në Kenia bashkë me gjithë familjen, si etapë e një turi publicistik nëpër të gjithë kontinentin afrikan. Në atë udhëtim, përveç së shoqes Mishel, merrnin pjesë edhe dy bijat, Malia e Sasha. I shpuri në Kogelo, për të njohur gjyshe Sarën përpara telekamerave. Qëndruan aty 45 minuta. "Ishte takim i shkurtër. Këmbyem disa fjalë me njëri-tjetrin. Ishte diçka disi e habitshme. Si të takoje një të huaj", tregon Xhorxh Husein. Barak Obama, e ka parë të atin vetëm një herë pas largimit, kur ishte dhjetë vjeç. Kaluan së bashku një festë të tmerrshme krishtlindjesh në Honolulu. Pas kësaj, asnjë lloj kontakti, ose thuajse: ndonjë lajm i rastësishëm, rrëfimet e së ëmës dhe një dhembje e thellë.
"Të paktën Baraku e ka njo0hur. Do të doja shumë ta njihja edhe unë. Dua edhe unë ta njoh babanë", thotë me zë të ulët duke zvarritur fjalët Xhorxhi. E ëma, Xhael, është martuar përsëri kohë më parë, ka lindur fëmijë të tjerë dhe jeton shumë larg të birit. Ai mbeti krejt i vetëm. "U detyrova të mësoja të mbijetoja, të gjeja vetë ato që më nevojiten". Nairobi është një vend shumë i vështirë, sidomos kur je krejt i vetëm, e aq më tepër kur je i detyruar të jetosh në geto. Janarin e shkuar, në Huruma, gjatë përplasjeve pas zgjedhore, të paktën gjashtë vetë mbetën të vdekur nën goditjen e thikave e të sëpatave. "Këtu policia nuk të arreston. Të qëllon pa asnjë lloj paralajmërimi. I kam parë me sy dy shokë të mijë të mbeteshin të vrarë". Si i janë shkaktuar gjithë ato shenja në fytyrë? "nga zënkat", thotë. "Jam shumë i zoti të zihem me grushte".
Gazeta: Shqip