Dy vëllezërit Kora që u arrestuan dje pasi dyshohen si autorët e vrasjes së trefishtë që ndodhi në Thumanë të Krujës, u morën sot në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Dëshmia e tyre fillestare ishte kontradiktore, pasi Besnik e Danjel Kora pohuan se vrasjen e ka kryer babai i tyre Gurali Kora. Por kur u vunë përpara dëshmisë së të moshuarit dhe provave që vërtetojnë dinamikën e ngjarjes, dy vëllezërit pranuan pjesëmarrjen në vrasje, por pa rrëfyer se cilët prej tyre kanë qëlluar konkretisht ndaj pjesëtarëve të familjes Ceku.
Dy vëllezërit Kora u arrestuan mbrëmjen e djeshme. Besniku u ndalua në qytetin e Rrëshenit, ndërsa i vëllai i tij, Danjeli u vetëdorëzua në Lezhë. Ndërkohë, një tjetër shtetas Pëllumb Kora, vëllai tjetër i familjes Kora, është ende në kërkim. Kërkimet për të janë përqendruar në zonën e Mirditës, ndërsa tre pjesëtarët e tjerë të familjes që kanë rënë në prangat e policisë po vijojnë të merren në pyetje.
Ndërkohë policia e Krujës ka mundur të gjejë edhe dy armët e zjarrit të përdorura në këtë krim. Automatiku u gjet në një kanal pranë banesës së Shpëtim Nikollit, personi që i ndihmoi në arratisje, ndërsa pistoleta u gjet në një banesë të braktisur në fshatin Bukmire ku dhe u arrestua Besnik Kora.
Nga hetimi i kësaj çështjeje penale ka rezultuar se më datë 05.06.2015 rreth orës 22:00 pas një debati midis shtetasve Arben Ceku dhe të Pëllumb Kora, në një lokal në qendër të fshatit Thumanë, ky i fundit në bashkëpunim edhe me dy vëllezërit e tjerë të quajturit Danjel Kora, Besnik Kora dhe babain e tyre Gurali Kora, dyshohen se kanë vrarë me armë zjarri automatik dhe pistoletë shtetasit Arben Ceku, Fran Ceku, nipin e tyre Eno Rama si dhe kanë plagosur shtetasen Luçie Ceku.