Ditën e sotme janë tërhequr trupat e dy vëllezërve shqiptarë, të vrarë një ditë më parë nga policia greke, të cilët kanë mbërritur në banesën e tyre në fshatin Shuec të Korçës.Trupat e pajetë të 2 vëllezërve Çollaku që u vranë gjatë një përleshje me policinë greke, janë tërhequr nga familjarët nga morgu i Kozanit.
Elvis dhe Melsi Collaku u vranë në kufirin shqiptaro-grek, në fshatin Vrontero pranë Follorinës, gjatë një përleshje me policinë greke, ku i vrarë nga plumbat mbeti dhe një polic grek.
Familja Çollaku ndodhet në gjendje shoku, ndërsa mësohet se bashkëshortja e Melsi Çollakut nga gjendja e rënduar psikologjike i ka vënë flakën vetes. Familjarët dhe të afërmit kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve. Pranë banesës së tyre është stacionuar edhe një ambulancë për çdo rast të papritur.
Në mesin e dhimbjes familjarët e dy viktimave zbardhin të tjera detaje rrëqethëse, duke pretenduar se trupat e pajetë të vëllezërve Çollaku janë nxjerrë totalisht të zhveshur dhe të papastruar nga morgu i Kozanit në Greqi. Ata thonë se viktimat janë veshur në spitalin e Bilishtit, çka e cilësojnë të papranueshme.
Ngjarja
Vëllezërit, Melsi dhe Elvis Çollaku dhe polici grek Elias Kostenis, mbetën të vdekur si pasojë e një përplasje me armë 2 kilometra brenda tokës greke në zonën e liqenit të Prespës së Vogël. Ngjarja e rëndë ndodhi 20 minuta pas mesnatës së të dielës, kur një patrullë e policisë greke prej tre efektivësh ishin duke bërë kontrolle.
Policët grekë ishin duke patrulluar në këmbë dhe makinën e kishin lënë 45 minuta larg vendit të ngjarjes. Sipas dëshmive, ata kanë thirrur në gjuhën shqipe “Ndal Policia”, por nga kasollja janë qëlluar me armë.
Por familjarët e dy vëllezërve të vrarë bëjnë apel që të zbardhet e vërteta e ngjarjes me të afërmit e tyre. Ata këmbëngulin se 2 familjarët e tyre janë vrarë padrejtësisht nga policia greke.
“Policia na tha se në territorin grek u vra vetëm njëri. Vëllai tjetër e mori në kurriz kaloi në territorin shqiptar. Por, policia greke i ka ndjekur duke vrarë edhe tjetrin. Ngjarja kriminale, të zbardhet e vërteta”.
Ndërkaq Policia greke thotë se në një luginë prapa kasolles së improvizuar ku u gjetën dy shqiptarët, u zbulua një varkë e fshehur në kallamishte, që pretendohet se është e autorëve të krimit, brenda së cilës u gjetën dy karikatorë me fishekë kallashnikovi dhe një radio portative.
Mediat greke
Sipas gazetës greke “To Vima”, dy shqiptarët dyshohet se prej disa kohësh vidhnin rrjetat e peshkatarëve. Ndërkohë që familjarët deklaron se dy vëllezërit nuk ishin hajdutë.
Ndërsa "Zougla.gr" shkruante se kasollja ku ka ndodhur ngjarja dyshohej se, përdorej nga trafikantët e lëndëve narkotike.
Familjarët i kanë hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se dy vëllezërit ishin peshkatarë e kishin peshkuar për të nxjerrë bukën e gojës.
Peshkonin për të ndërtuar një shtëpi
Jetonin 10 veta në një shtëpi të vjetër dhe dy vëllezërit përpiqeshin të gjenin mënyra përfitimi për të ngritur një ndërtesë të re. Banorë të fshatit Shuec thonë se vëllezërit Çollaku dilnin gjithmonë për peshkim në ujërat greke, pasi pjesa shqiptare e Prespës së Vogël është mbuluar nga bimësia. Me vete ata mbanin edhe çiften për gjueti shpendësh. Prej vitesh, Prespa e Vogël është shndërruar në një moçalishte, ndërsa përtej kufirit liqeni vijon të jetë i dukshëm dhe i pastruar, çka i bën banorët e fshatrave rrotull që të rrezikojnë dhe të kalojnë përtej kufirit ujor, me shpresën se nuk do të kapen nga policia. Në bregun e liqenit, rreth 1 km larg nga fshati, policia ka gjetur makinën me të cilën kanë ardhur deri afër kufirit mbrëmjen e së shtunës dy vëllezërit Çollaku. Në të nuk është gjetur asnjë shenjë e lëndëve narkotike, pretendim i ngritur nga policia e vendit fqinj.