Velo Ne Shqiperi ka pasur disidence

Velo: Ne Shqiperi ka pasur disidence

Qëndrimi i Kadaresë ndaj diktatorit Hoxha ka qenë shumë enigmatik. Ismaili e dinte rrezikun që i vinte prej tij. Por, gjithashtu, mundohej t’ia bënte qejfin, sepse pa lejen e tij, ai nuk mund të shkruante. Dhe t’i ndaloje Ismailit shkrimin, ishte si t’i ndaloje ajrin …

Tendencat drejt artit modern do ta çonin Maks Velon në Burgun e Spaçit. Piktori dhe arkitekti, një nga zërat më aktivë në shoqërinë shqiptare pas viteve ‘90, është shembulli i një disidenti me veprat e realizuara në Shqipërinë komuniste. Diktatura ishte e egër sipas tij, megjithatë artistë, shkrimtarë apo piktorë arritën të shfaqin shenja disidence, të cilat mund të ishin më të ashpra nëse regjimi nuk do të ishte aq i ashpër. Kur “Dimri i vetmisë së madhe” doli në libraritë e Tiranës, Maks Velo ishte një nga miqtë e shkrimtarit, pasi ai sapo ishte shpërngulur në apartamentin në Rrugën e Dibrës, në një pallat të projektuar nga Velo. Nga të paktat ndërtesa me hapësirë në Tiranën e atyre viteve. Kjo kishte bërë që artisti të ishte më afër me shkrimtarin dhe të ndiente nga afër pritjen që iu bë librit. Më poshtë Velo sjell disa momente nga ajo kohë, duke pranuar se disidenca e asaj periudhe nuk mund të mohohet.

 

Një nga kritikat që i është bërë shpesh letërsisë apo arteve në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës, është se ato nuk arritën të prodhonin disidencë. A u bashkoheni këtyre kritikave?

E para, vetë fjala disidencë është me shumë konotacione, si kuptohet në një vend nuk kuptohet në një vend tjetër. Mendoj se në Shqipëri ka pasur disidencë aq sa mund të lejohej. Nëse regjimi do të kishte toleruar më shumë dhe disidenca do të ishte më e fuqishme. Shqipëria ishte një tmerr, ju që nuk e keni jetuar nuk mund ta imagjinoni. Mjafton të lexosh ditarët e Haxhi Kroit, dhe bindesh se ish një shtet anormal, surreal një shtet terrori.

Ka mjaft shkrimtarë, si Dhimitër Xhuvani, Ismail Kadare, Naum Prifti etj., që donin ndryshime, që mendonin se letërsia mund të ndihmojë për këto ndryshime.

 

A i përjashtoni thëniet se Shqipëria, ndryshe nga ish-kampet socialiste, s’mundi të prodhonte disidentë?

Unë e përjashtoj, përderisa janë dënuar me burgje dhe internime shumë shkrimtarë, piktorë, kineastë, muzikantë. Them me bindje se edhe këta të tjerë që punuan dhe shpëtuan pa u dënuar janë disidentë.

 

“Dimri i vetmisë së madhe” ka qenë një vepër që ka sjellë polemika në botimin e tij më 1973-shin. Si e kujtoni zhurmën ndaj këtij botimi?

Pothuajse çdo vepër e Kadaresë shkaktonte polemika. Kjo vinte, sepse ai sillte gjithmonë gjëra të reja, si në formë edhe në materialin letrar. Edhe te “Përbindëshi” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo “Kronika në gur”, “Kështjella” patën diskutime. Por “Dimri i vetmisë së madhe ishte ndryshe”. Asnjë shkrimtar para tij nuk kishte pasur guximin të shkruante për një temë aktuale të ditës, me shumë probleme dhe të panjohura njëkohësisht. Pastaj edhe si volum, ky ishte romani i tij më i madh deri atëherë. Të gjithë e lexuam me një frymë, aq më tepër ne që ishim miqtë e tij. Në atë kohë kam qenë afër me Ismailin, pasi ishte futur te shtëpia e tij e re, që unë e kisha projektuar, te Rruga e Dibrës. E kishte me shumë dëshirë atë shtëpi, sepse kujtonte se do të jetonte aty përgjithmonë. Dhe gangot që rrinin aty rrotull janë personazhe. Të them të drejtën, kujtoj se mbas leximit kisha një ndjenjë hutimi, se nuk e deshifroja dot se ku donte të dilte Ismaili. Ishte një vepër e gjerë në kohë dhe në hapësirat e kampit socialist. Pastaj filluan diskutimet, kritikat, pëshpëritjet, aludimet. Por Ismaili ka pasur gjithmonë një karakteristikë. Ka qenë i qetë, asnjëherë nuk e kam parë në panik. Këtë mesa duket ia jepte pesha që mbante.

 

Si e shihni përballjen mes shkrimtarit dhe diktatorit në libër?

Qëndrimi i Kadaresë ndaj diktatorit Hoxha ka qenë shumë enigmatik. Ismaili e dinte rrezikun që i vinte prej tij. Por, gjithashtu, mundohej t’ia bënte qejfin, sepse pa lejen e tij, ai nuk mund të shkruante. Dhe t’i ndaloje Ismailit shkrimin ishte si t’i ndaloje ajrin. Por mbante distancë. Dhe nga distanca analizonte të gjitha ngjarjet. Ai dhe kur jam afër tij mban distancë, e kam fjalën për distancën e ideve, të diskursit. Është i distancuar me të gjithë. Edhe ju e kuptoni se ai është i tëri letërsi, se veç asaj nuk ekziston gjë tjetër më e rëndësishme. Raporti i Kadaresë me diktatorin Hoxha ka qenë si ai midis një shkrimtari dhe sekretarit të parë, të dy të dalë nga sokaku i të marrëve. Por njëri ishte shkrimtar i madh dhe tjetri kriminel i madh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama