Vend njerezish jo shqiponjash

Vend njerezish, jo shqiponjash
Statutet e Shkodrës botohen të pajisura me studime filologjike. Autorja që i zbuloi, prof. Lucia Nadin, prezanton kërkimet e thelluara në tekstin më të lashtë ligjvënës të hartuar në një territor shqiptar. Nadin: Statutet, një botë magjepsëse e prirë drejt lirisë.

Pas botimit "Statutet e Shkodrës" studiuesit janë marrë ndërkaq me studime të thelluara të atij teksti 40 faqesh, kodi më i lashtë juridik i hartuar në territorin shqiptar që ka mbërritur deri më sot. Botimi dygjuhësh i vitit 2002 tani vjen i pajisur me tekstet studimore filologjike nën kujdesin e prof. Lucia Nadin, ajo që zbuloi më 1996 këtë dëshmi të kulturës juridike të shqiptarëve.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Universitetit "Ëisdom" në Tiranë paraqitën dje "Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469", shqip-italisht, Botimet Onufri. Gherardo Ortalli, Giovan Battista Pellegrini, Oliver Jens Schmitt në studimet që janë e reja e këtij botimi, trajtojnë çështje të transkriptimit dhe interpretimit të tekstit.

Marco Pozza i Universitetit të Venecies ndihmoi si paleograf në leximin e dorëshkrimit të statuteve. Trajtesat i prijnë statuteve të përkthyera tashmë nga historiani Pëllumb Xhufi.Njohja me analizat gjuhësore dhe rindërtimi historik i veprës mesjetare ua shtrojnë rrugën studimit të mëtejshëm, si shkencëtarëve shqiptarë dhe atyre të nivelit ndërkombëtar.

Është pranuar që vlera e këtij teksti ligjvënies paraqet interes për historinë e bregut lindor të Adriatikut, "të lidhjeve të tij me Venedikun e me fuqitë më të rëndësishme të zonës, në kuadrin e ekuilibreve të mëdha ndërkombëtare", thënë me fjalët e Gherardo Ortallit.

"Ai përbën një dëshmi të qartë dhe të qenësishme të asaj Shqipërie bregdetare, me qendra qytetare aq të ndryshme nga modelet stereotipe, që edhe sot e kësaj dite, (siç thotë Lucia Nadin) rrezikojnë ta uniformizojnë tërë realitetin shqiptar në logjikën e "vendit të shqiponjave" dhe të kulturave të malit; teksti na sjell kujtimin e një kryqëzimi të jashtëzakonshëm kulturash e njerëzish, lidhjesh e mbizotërimesh." Të jashtëzakonshme e vlerëson ky studiues ndërtimin e tekstit. Ai ka parasysh, për shembull, se sa qartë dhe dukshëm është shkruar për: rolin e etnisë, prirjen drejt lirisë, ligjshmërinë për të patur statut, mitizimin e trimërisë dhe të forcës.

Profesoresha e Universitetit të Venecies ishte e pranishme në prezantimin e librit në Tiranë. Sa herë bën publike rezultatet e kërkimeve të saj, do të ketë gjithnjë një lajm të mirë nga zonja Nadin, për vlerat e zbuluara dhe perspektivën e mëtejshme. Ajo kujtoi se libri që kishte dalë më 2002 në Itali, fryt i një pune disavjeçare në Venecia dhe Padova, ishte shitur i gjithi. Interesin në rritje për statutet në Itali, në Evropë dhe në nivel ndërkombëtar, prof. Nadin e shpjegon me botën dhe historinë tërheqëse që statutet përfshijnë, e s'ka të bëjë thjesht me historinë e së drejtës, por me fushat e larmishme të jetës.

Kështu edhe Statutet e Shkodrës: janë pasuri që tregojnë si shkonte jeta e qytetare e përçdoditshme në këtë komunë, autonome për periudhën që po flasim. Është periudhë e lulëzimit të plotë, 1396-1479. Jeta e komunitetit rregullohej nëpërmjet statuteve.

"Është një botë magjepsëse", thotë Nadin. "Qysh prej viteve nëntëdhjetë, kur u hodh njëfarë vëmendje mbi Ballkanin, mbi historinë e Ballkanit e për rrjedhojë edhe mbi Shqipërinë, nuk dihej gjë për statutet. Dihej që kishin ekzistuar statutet e Durrësit, por asgjë për Statutet e Shkodrës. Kështu duhet të merrni me mend emocionin tim kur gjeta në Bibliotekën e Muzeut "Correr" të Venecies, këtë kod të vogël të Shkodrës, i kopjuar nga origjinali që ndodhej në Arkivin e Këshillit të të Dhjetëve, Arkivi i Shtetit të Venedikut."

Pse në Venecia?

Për këtë pikë prof. Nadin i ka dhënë tashmë gjerë e gjatë argumentet në studimin "Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim, 1479-1552". Për arbërit e mërguar apo të instaluar në Venedik, ajo pohon ndër të tjera se "nuk ishin thjesht punëtorë, apo varfanjakë siç është thënë në të shkuarën, ishin edhe njerëz të kulturës, fisnikë, me funksione e zanate prestigjioze."

Edhe dje ajo rikujtoi dy monumente të arbërve në Venedik: monumentin letrar të Marin Barletit dhe monumentin viziv të Vittore Carpaccio-s.

Në fillim të librit të tij mbi Skënderbeun, Barleti thotë se me këtë libër do të ngrejë një moment letrar ku të kujtohet çfarë ishte Arbëria dhe çfarë bëri Shkodra për të. Në këtë rend, "Statutet e Shkodrës" janë një monument tjetër që tregon ç'ishte Shqipëria mesjetare në aspektin konstitucional. Me siguri mund të thuhet se data e kodit juridik të Shkodrës është viti 1504, viti i festimeve të mëdha në Venecia, i mbërritjes së paqes me turqit.

Po t'i kërkonin prof. Nadinit të ndalej në nyje domethënëse të statutit, me siguri do të përmendte ato ku trajtohet pozita e gruas dhe e ashtuquajtura vendetta e cila nuk ka asnjë lloj lidhje me hakmarrjen fizike, marrjen e gjakut. Pikërisht këto dy nyje, meqë si
hakmarrja dhe mbrojtja e nderit, kanë pasur një vend kryesor në të drejtën zakonore të shqiptarëve.

"Pozita e gruas vihet në realitetin qytetar të Shkodrës në qendër të vëmendjes. Gruaja është e lirë të bëjë testament dhe të mbajë për vete një pjesë të prikës, për t'ua dhuruar njerëzve me të cilët ndjehet e lidhur me "anima" (me shpirt), për shpëtimin e saj shpirtëror. Gruaja, në mungesë të bashkëshortit, mund të thirret në gjyq, për çështje që i takojnë dhe të përgjigjet përmes avokatit të saj...."

Ashtu sikurse gruas së përdalë, i ndalohet të mbajë "umbrano", një mbulesë tipike koke që përdoret për gratë shkodrane dhe nëse kapet duke kryer magjira apo përfshihet në afere rufianësh, duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet njëherë e përgjithmonë nga komuna.
Ndërsa "në rast vrasjeje, përgjegjësi duhet t'i paguajë gjysmën e dënimit në të holla mbretit dhe gjysmën tjetër, personit të afërm me të vrarin."

Sa për gjuhën e përdorur, veneto-venedikase e kohës mesjetare, prof. Nadin, duke kujtuar studimin e prof. Pellegrinit, i ndarë së fundi nga jeta, përmend që statutet janë një dokument i çmuar dhe i jashtëzakonshëm i Lacus Labeaticus - labeatae, fise të vjetra që banonin në afërsi të liqenit të Shkodrës.

"Për mua këto statute edhe nga ana gjuhësore kanë shumë për të dhënë", thotë profesoresha e Universitetit të Venecies.

Pa retorikë, ajo beson që një e ardhme e Shqipërisë, një e ardhme evropiane e Shqipërisë, gjen në këtë zemër antike të statuteve të Shkodrës një pikë nisje. Pikërisht në fillimet e njëmijë e treqindës, në rezonancë me vokacionin e Evropës.

Moikom Zeqo:

"Zbulimi i Statuteve të Shkodrës krijoi një bosht të ri konceptual për një Arbëri tjetër, sidomos për atë që quhet kultura urbane e Arbërisë në mesjetë. Unë mund të përfytyroja zonjën Lucia Nadin sikur ishte një nga dëshmitarët në momentin e rënies së kështjellës së Shkodrës më 1479 dhe njëkohësisht që mbijeton në ditët e sotme.

Pra një grua me një moshë të koncentruar për të kuptuar se çfarë vlerë të madhe ka kjo vepër, një monument shkrimor juridik i klasit të parë jo vetëm për Arbërinë po edhe për Ballkanin në tërësi.Është kultura që solli që zotërimet venedike, deri tek ajo që u quajt konvencionalisht "Albania Veneta", të bazohen në parim juridik të komunës qytetare, të kulturës urbane e cila i mungonte shumë mjedisit historik të kohës. Kjo është një vepër matricë e nuk mund të krahasohet me Zakonikun e Stefan Dusanit. Ajo ka motërzimet e veta me statutet e tjera po të zotërimeve veneto-arbërore dhe është një sinkretizëm shumë interesant i disa të drejtave në histori, për të cilat ka folur në mënyrë sintetike Shuflaj.

Ambasadori Paolo Foresti:

"Një libër për shqiptarët dhe për ata që flasin shpesh pa e njohur cila është Shqipëria dhe cilët shqiptarët. Është e lehtë të flasësh për atë që nuk e njeh. Është shumë më e vështirë të flasësh për atë që njihet.

Një motiv që na shtyu të ndihmojmë për botimin e tyre është se Shkodra përfaqëson Shqipërinë dhe të mos e harrojmë këtë. Sepse atë kohë Shkodra kishte një influencë mbi një pjesë të madhe të Shqipërisë, ose të Arbërisë. Dikush e quajti këtë vepër "pasaportë evropiane". Po çfarë pasaporte do të ishte nëse ne nuk arrijmë ta njohim dokumentin tonë, çfarë pasaporte nëse ne nuk njohim historinë tonë dhe nëse nuk identifikojmë rrënjët tona."

Diçiturë: "Lajmi", 1504, tablo e Vittore Carpaccio

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama