Por çfarë mendojnë këta studiues për botimet që mbajnë “vulën” e 100-vjetorit të pavarësisë? Cilat janë disa nga botimet e mirëfillta për këtë vit? Apo dhe si ndikojnë botimet që rrinë në kufijtë midis historisë dhe publicistikës, midis hisorisë dhe memuaristikës, midis historisë dhe subjektivizmit? Për këtë temë për “Shekullin” kemi pyetur disa nga referuesit, pjesëmarrës në konferencë. Historiani Dritan Egro mendon se çdo periudhë historike ka peshën e vet. Ai e shikon historinë e Shqipërisë, jo vetëm të lidhur me pjesën e Ballkanit, por dhe në kuadër të rajonit.
Hedh mendimin se historianët nuk duhet të ndalen vetëm tek periudha e pavarësisë, pasi pavarësia nuk mund të konsiderohet si një ngjarje, por si një proces dhe ky proces i ka fillesat shumë të thella në kohë. Në studimin e tij, ai ndalet tek periudha osmane. Dhe e vetmja mundësi për interpretimin logjik të kësaj periudhe, ai thotë se “është e domosdoshme të njohësh ligjin”. Dhe për realizimin e botimit të tij “Ligji Osman ndër shqiptarët e Mesjetës së vonë, gjysma e dytë e shek.
XV deri në fillim të shek. XVII” Egro ka përkthyer kushtetutat e përgjithshme të perandorisë osmane dhe kushtetutat e çdo sanxhaku ku ka pasur shqiptarë prezent. Për të shpjeguar arsyet që shqiptarët kërkuan pavarësinë osmanisti Egro mendon se duke kuptuar natyra e shtetit osman gjatë sundimit, duhet kuptuar gradualisht “se si evoluoi procesi i kërkesës së shqiptarëve për t’u çliruar, për të shpallur pavarësinë dhe për të krijuar shtetin kombëtar”. Dhe për këtë duhet të njohim njëherë historinë e rajonit, madje duhet të dimensionohet dhe një herë historia e vet perandorisë osmane. Sepse kjo periudhë është më pak e studiuara, ose fare e pashfrytëzuar, “prandaj ky rishikim duhet të nisë nga koka, për të ardhur deri te periudha e pavarësisë”.
Ndërsa botimet në masë nga persona të cilët nuk janë kompetentë për këtë fushë ai i cilëson si një rast i mirë që gjithsekush të festojë për jubileun e pavarësisë. Studiuesja Ana Lalaj përdor termin “Best seller” për ata tipa librash që i drejtohen një publiku që nuk ka njohuri të thella në fushën e historisë. Të qenët në një treg të hapur, për studiuesen Lalaj është gjëja më e mirë për momentin, por për sa i përket vlerave të mirëfillta shkencore, publiku është më i kufizuar. “Ashtu siç ka muzikë serioze, ka dhe tallava”, shton Lalaj. Megjithatë historiania nuk është se i ndan me thikë këta libra nga ata tituj akademikë të shkruar keq.
Standardi i historianit si një kronikan me talent, është akoma në një fazë të re për shkollën shqiptare të historisë. Nuk mjafton që “historiani serioz” të përcjellë të vërtetat te publiku, por të arrijë te interpretimet akademike përmes një stili të kuptueshëm, të mirë, të zhdërvjellët. Për shembull, ndër botimet cilësore të këtij viti, Lalaj na përmend “Historia e shqiptarëve” nga Botimet Përpjekja, një përmbledhje trajtesash nga historianë të huaj. “Pavarësisht se mund të mos jem dakord me ta në disa pika, ky botim ne na vë përpara një sfide. Një sfidë për të përballuar një opinion qoftë pozitiv, qoftë negativ”, thotë Lalaj. Gjithashtu botimi i Kasëm Trebeshinës, “Diktatorët e shekullit XX”, libri i prof. Artan Fugës “Rënia e Qytetit” etj, janë disa botime të vlefshme paçka se autorët nuk janë historianë. Studiuesi i historisë nga Kosova Muhamet Shatri e mendon të domosdoshme vënien në pah të të gjitha kontributeve që kanë dhënë në mënyrë të saktë shqiptarët për shpalljen e pavarësisë.
Nëse jo me këto vlera, të cilat kohët e fundit kanë rënë nën hijen e botimeve të historianëve amatorë që tërheqin vëmendjen e medias e të opinionit publike, me tezat e kujt tjetër do të përballej historia shqiptare? Këtë vit Shatri ka hedhur në qarkullim dy vëllime “Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-1913” dhe “Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912”. Historiani dhe filologu Edmond Malaj nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, nga ky bum botimesh veçon botimet e Institutit të Historisë mbi perandorinë osmane, mbi hebrenjtë, etj.. Por ka dhe botime të tjera kinse historike të cilat iu kundëvrihen veprave të mirëfillta shkencore si “Skënderbeu” i Oliver Schmitt-it, botime të cilat Malaj nuk i mendon as cilësore, as të sakta, shkencore jo që jo. “Janë botime zemërimi dhe vepra që nuk qëndrojnë asgjëkundi”, thotë Malaj. Pavarësisht se të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë dhe të gjithë kanë të drejtë të përzgjedhin se çfarë duhet të lexojnë. Botimet që nuk plotësojnë kriteret, që nuk kanë as bibliografi, as referenca, i shikon me skepticizëm.
Historiania Valentina Duka e shikon këtë vit si një vit për të cilin janë mobilizuar të gjithë historianët për të konfirmuar teza të vjetra dhe për të hedhur teza të reja në shërbim të ndriçimit me objektivitet të historisë së popullit shqiptar. Por ajo veçon një lloj tjetër teksti historik që e gjen me interes në prurjet e këtij viti. Është shembulli i librit “Rrugëtime të Ismail Qemalit” i Ilir Ikonomit, si histori e shkruar nga pena e një publicisti. Në përgjithësi Duka “nuk ka gjë” me publicistët që kanë hyrë në vallen e historisë, pasi “ata mund ta shikojnë historinë në një këndvështrim që historiani nuk mund ta bëjë.
Ata prodhojnë produkte për një lexues më të gjerë. “Këta autorë unë nuk i shikoj si rivalë, por si komplementarë”, thotë Duka. Gjuhëtari Stavri Troko i konsideron këto botime një vlerë e shtuar dhe një hapje ndaj historisë së Shqipërisë. Ai kujton fjalët e Çabejit në vitin 1972: “Nëse vlerësimet për Shqipërinë kanë qenë nga jashtë brenda për kulturën shqiptare, ka ardhur koha të flasë vetë e vërteta, të flasin vetë shqiptarët” . “Që të jemi të besueshëm”, shton Troko, “nuk kërkohet emocion, pasi historia është një e vërtet reale.” Ai mendon se pavarësisht dëshirës dhe mundësisë ekonomike që mund të ketë dikush për të botuar, është Akademia e Shkencave ajo që jep njëfarë konfirmimi si për tekstet bazë të historisë edhe për tekstet shkollore.
Peter Bartl: Nuk jam penduar që zgjodha historinë e shqiptarëve
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes” albanologun e shquar gjerman Peter Bartl me motivacionin: “Mikut të Shqiptarëve, personalitetit të shquar të shkencave albanologjike, një nga studiuesit dhe njohësit më kompetent në Evropë lidhur me historinë e shqiptarëve, në të gjithë trojet ku jetojnë në Ballkan, si dhe të diasporës historike shqiptare në Greqi e Itali, vazhduesit të traditës së shkëlqyer të Shkollës Albanologjike të Mynihut, mbi studimet shqiptare”.
Në mungesë të profesorit që për arsye shëndetësore nuk mundi të ishte i pranishëm, “Medaljen e Mirënjohjes” e tërhoqi prof. Bardhyl Demiraj, i cili përcolli dhe këtë mesazh të prof. Bartl, i njohur në shkencat humane si “Historicus Albaniae” (Historiani i Shqipërisë): “Janë mbushur ndërkohë thuajse 50 vjet që jam i angazhuar me Historinë e Shqipërisë dhe nuk jam penduar ndonjëherë që fillova të merrem me të. Në Historinë e Shqipërisë ka aq shumë fusha dhe periudha, të cilat nuk janë hetuar ende në mënyrë shteruese. Kështu që Historia e Shqipërisë është për historianin një lëmë, që ia vlen vërtet të përpunohet.
Dekorimi që më bëhet prej Jush do të jetë një tjetër nxitje, që të vijoj më tej me punën time. Unë dua të shfrytëzoj këtë rast, t’ju përcjell Juve personalisht si edhe popullit shqiptar urimet e mia për jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare.” Propozimi për vlerësimin e veprës së prof. Bartl-it erdhi dega e Albanologjisë pranë Universitetit elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut, dhe të cilit iu bashkuan shoqata kulturore-shkencore “Marti Camaj” dhe “Albanien-Institut” në Munih, si dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Peter Bartl lindi më 26 nëntor 1938 në Cottbus në ish-Gjermaninë Lindore. Në vitet 1957-1965 studion në degët Histori e Europës Lindore, Sllavistikë dhe Turkologji në Universitetet e Göttingen-it dhe të Mynihut. Në vitin 1974 kryen shkallën e dytë të doktoraturës në Universitetin e Mynihut pranë historianit të mirënjohur Georg Stadtmüller. Në vitin 1980 fiton vendin e profesorit ordinar për Histori të Europës Lindore dhe Juglindore. Këtë post e mban deri në vitin 2005, kur del në pension. Menjëherë pas vdekjes së Georg Stadtmüllerit (1975) Peter Bartl mori postin e drejtuesit të Institutit të Shqipërisë (1976), post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.
Falë angazhimit të tij si drejtues i Institutit të Shqipërisë ky institut ka krijuar një bibliotekë albanologjike me fonde që janë unikale në gjithë Europën. Në vitin 2006 është zgjedhur Anëtar Korrespondent i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Peter Bartl është autor i dhjetë monografive të vëllimshme, ndër të cilat tri janë përkthyer e botuar edhe në gjuhën shqipe: “Shqipëria - Nga mesjeta deri sot”, 1999, “Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)” 2006; “Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane. Mbi çështjet e luftës antiturke në kapërcyell të shekujve XVI dhe XVII” 2011. Prof. Bartl ka shkruar mbi 200 zëra në enciklopedi të ndryshme perëndimore, ku përshkruhen personalitete dhe ngjarje të historisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, sikurse edhe personalitete të kulturës arbëreshe.
Bernd Fischer: Mungon një histori totale e Shqipërisë
Historiani amerikan Bernd Fischer, teksa uron gjithë shqiptarët për 100-vjetorin e pavarësisë, vlerëson kontributin e të gjithëve përgjatë një shekulli, nga Ismail Qemali te Ahmet Zogu e deri te komunistët që e sollën Shqipërinë deri këtu. Botimet e amatorëve të historisë për këtë 100- vjetor i shikon një proces që ndodh kudo në planet, edhe në Amerikën e tij. “Kam frikë se nuk është një fenomen i ri, por njerëzit duhet të dinë diçka që të inkurajojë dhe procesin e botimeve”, thotë Fischer. Ai shikon në qarkullim shumë botime, ekzistojnë shumë monografi të cilat trajtojnë një problem specifik. Por një histori e përgjithshme e Shqipërisë, një histori objektive që të ketë pëlqimin e të gjitha palëve, nuk ka ardhur akoma. “Kjo është një punë për të cilën duhet të punojnë historianët shqiptarë dhe ata huaj. Nuk duhet të përqendrohen vetëm në periudha të caktuara dhe të botojnë monografi”, thotë Bernd Fischer.