Ndonëse shumë amerikanë i konsiderojnë si "butësira" kur vjen fjala te lufta kundër terrorizmit, francezët kanë në fakt disa prej ligjeve më të ashpra dhe më efektive antiterrorizëm. Në Francë, hetimet për terrorizëm mbikëqyren nga një njësi speciale magjistratësh me kompetenca të paprecedentë për të monitoruar të dyshuarit, për të siguruar ndihmën e degëve të tjera të institucioneve të sigurisë, si dhe për të mbajtur të ndaluar të dyshuar për ditë të tëra, pa akuza. Veç kësaj, prokurorët kanë mandat që të ndjekin terroristët jashtë vendit, nëse i dyshuari, ose viktima është francez. Franca gjithashtu nuk druhet aspak për të dëbuar klerikë myslimanë, nëse i konsideron si të rrezikshëm. Nuk është aspak habi që Franca ka këto ligje të forta, duke qenë vendi i parë evropian që ra viktimë e terrorizmit nga Lindja e Mesme, gjatë luftës algjeriane në vitet pesëdhjetë.
Franca nuk ka parë ndonjë sulm terrorist në tokën e vet që nga 11 shtatori, por pretendohet se janë zbuluar disa komplote, duke përfshirë një sulm kimik, i planifikuar prej terroristëve çeçenë kundër shënjestrave ruse në Paris, një plan për vënie bombe në një prej aeroporteve të Parisit, si dhe një komplot për rrëmbim avionësh, i ngjashëm me atë të 11 shtatorit, me shënjestër Kullën
Eifel.Mbrojtësit e të drejtave civile në Francë kanë shprehur shqetësime në lidhje me mbajtjen në burg, që në disa raste mund të zgjasë edhe me vite, pa gjyq. Akuzat për brutalitet të policisë janë gjithashtu të zakonshme në Francë, kryesisht në periferitë e banuara me myslimanë.
JORDANIA
Që nga atentatet me bombë të nëntorit 2005, të kryera nga "Al-Qaeda" në Aman, Mbreti Abdullah II i Jordanisë ka kthyer në prioritet të tijin ndalimin e infiltrimit të terroristëve nga fqinjët e Irakut dhe Sirisë. Shërbimi i fshehtë i Jordanisë ka shfrytëzuar lidhjet e ngushta me tributë sunite në provincën Anbar të Irakut, për t‘u ofruar homologëve të tij amerikanë dhe izraelitë informacione të vlefshme në lidhje me strukturën dhe financimet e organizatave terroriste.
Jordania krenohet edhe me njësitë e veta të Forcave Speciale si dhe ka hapur një qendër stërvitore për operacionet speciale, për të ofruar leksione të taktikave antiterrorizëm për njësitë ushtarake elitë nga e gjithë bota.
Dyshohet gjerësisht se ishin spiunë jordanezë ata që i ofruan ushtrisë amerikane informacione në lidhje me vendndodhjen në kufirin mes Irakut dhe Jordanisë të liderit jordanez të "Al-Qaedas", Abu Musab al Zarkawi, gjë që nxiti edhe sulmin e ushtrisë amerikane që shkaktoi vdekjen e tij. Jordania është kritikuar nga grupe të të drejtave të njeriut për pjesëmarrjen e saj në operacionet e kapjes dhe më pas torturimit në burgje të të dyshuarve për terrorizëm.
EGJIPTI
Jo më pak, por vetë numri dy i "Al-Qaedas", Aiman al-Zawahiri ka deklaruar kohët e fundit se Sigurimi Shtetëror Egjiptian "ka më shumë njohuri në lidhje me lëvizjet islamike, sesa vetë anëtarët e këtyre lëvizjeve kanë për to". Ndjekësit e Zawahirit kanë të drejtë të shqetësohen. Pas një vale sulmesh terroriste dhe fitoreve politike të Vëllazërisë Myslimane në fillimin e viteve nëntëdhjetë, qeveria e Hosni Mubarakut zgjodhi një strategji represioni të pamëshirshëm në luftimin e rrezikut të terrorizmit dhe islamit politik. Strategjia e shtetit është që të mos lejojë Vëllazërinë të marrë pjesë në procesin politik, ndërkohë që kryhen arrestime militantësh dhe përdor në mënyrë rutinore torturën ndaj të burgosurve.
Gjatë viteve nëntëdhjetë, regjimi egjiptian e eliminoi praktikisht rrezikun e brendshëm të grupeve të tilla si Grupi Islamik, apo Xhihadi Islamik Egjiptian i Zawahirit, kryesisht duke sulmuar bazat e tyre të operacioneve dhe duke bllokuar aftësinë e tyre për t‘u transformuar në lëvizje të ligjshme politike. Edhe teprimet e vetë grupeve kontribuuan në rënien e tyre."Human Rights Watch" është ankuar se përdorimi liberal i torturës nga ana e regjimit egjiptian thjesht i bën të burgosurit të "rrëfejnë krime, të imagjinuara ose reale". Analistët vënë gjithashtu në dyshim strategjinë e represionit ndaj Vëllazërisë, gjë që thonë ata përforcon joshjen prej këtij grupi.
SINGAPORI
Singapori, që ka një popullsi 15% myslimane, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në luftimin e grupeve rajonale terroriste si Xhemah Islamijah, që ka lidhje me "Al-Qaedan", përmes një kombinimi të taktikave të ashpra të Forcave Speciale, si dhe programeve inteligjente të rehabilitimit. Pas 11 shtatorit, shteti ishullor forcoi luftën ndaj financimeve për terroristët dhe kohët e fundit ka miratuar ligje që i japin ushtrisë kompetenca të gjera për të ndjekur terroristët në vend. Por, qasja e Singaporit shkon përtej kësaj. Që nga viti 2003, një program i iniciuar nga qeveria ka synuar të rehabilitojë militantët e arrestuar. Shteti punëson klerikë vullnetarë që këshillojnë të burgosurit dhe kundërshtojnë argumentet e terroristëve. SHBA e ka studiuar këtë qasje si një alternativë të mundshme ndaj burgosjes së përjetshme.
Një operacion masiv më 2001 solli arrestimin e 15 terroristëve të Xhemah Islamijah, të cilët po planifikonin sulme terroriste brenda vendit. 70 veta janë ndaluar që atëherë dhe afro një e treta janë liruar pas rehabilitimit. Policia vazhdon të vëzhgojë ata që janë liruar. Aktivistë për demokraci argumentojnë se qeveria e Singaporit e shfrytëzon rrezikun terrorist për të justifikuar autoritarizmin e saj. Policia pësoi gjithashtu një turpërim të madh në shkurt, kur një militant arriti të arratiset nga dritarja e banjës së një qendre ndalimi.
RUSIA
Në vitin 1999, Boris Yeltsin ngriti një politikan misterioz të nivelit të mesëm, me emrin Vladimir Putin në rangun e Kryeministrit, dhe i besoi atij shtypjen e një kryengritjeje në rajonin e Çeçenisë. Që atëherë, antiterrorizmi dhe antikryengritja kanë qenë shenjat dalluese të staturës së Putinit dhe, për popullaritetin e madh që ka, ai kryesisht i detyrohet suksesit në këto zona. Rusia ka kryer një fushatë të pamëshirshme shtypjeje ushtarake në Çeçeni, edhe atëherë kur nuk ka sulmuar militantë, është bashkuar me ta për të çuar drejt Presidencës së rajonit tashmë në paqe, ish-rebelin Ramazan Kadirov. Forcat ruse të sigurisë ishin gjithashtu të gatshme të kundërvepronin në raste aksionesh terroriste, edhe kur viktimat në civilë ishin të mëdha. Pasi rebelët çeçenë pushtuan një teatër moskovit më 2002, Forcat Speciale Ruse përdorën një gaz të panjohur në sistemin e ajrosjes së teatrit dhe më pas hynë me forcë në ndërtesë, duke vrarë pothuajse të gjithë pengmarrësit së bashku me qindra pengje. Ndonëse Rusia ka qenë kryesisht e suksesshme në paqësimin e Çeçenisë, rajonet fqinje të Dagestanit dhe Osetisë Veriore mbeten streha të grupeve militante. Qeveria është kritikuar së tepërmi për fshehtësinë që rrethoi operacionin në një shkollë në Beslan, si dhe numrin e madh të pengjeve të vrarë gjatë operacionit.
Nga : Gazeta Shqip