Tiranë, 23 Tetor/ATSH/-Vendet pjesëmarrëse në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Europian të pjesëmarrësve në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Europës Jug-lindore (COSAP), do t'i dërgojë një letër Ministrit të Jashtëm francez, në cilësinë e ministrit të vendit që do të zhvillojë Samitin e radhës (viti 2016) për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Berlinit.
Në përmbajtje të letrës, të cilën e publikoi sot zyra për shtyp e Kuvendit, thuhet se "nëpërmjet kësaj shkrese, vendet pjesëmarrëse në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Europian të pjesëmarrësve në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Europës Jug-lindore (COSAP), kërkojnë përfshirjen e Parlamenteve në procesin e Berlinit, ç'ka do të fuqizojë më tej rolin mbikëqyrës të Parlamenteve dhe do të kontribuojë në forcimin e sigurisë, stabilitetit politik, përmirësimit të klimës politike dhe prosperitetit social-ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor".
Kjo nismë u ndërmor nga Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian të Kuvendit të Shqipërisë,. Majlinda Bregu, e cila në përfundim të takimit të XI të COSAP që u zhvillua sot në Tiranë, shprehu besimin se "arritja më e mirë e këtij takimi, ishte fakti që u konsolidua dhe u aprovua nga të gjithë përcjellja e idesë së Shqipërisë për pjesëmarrjen në samitin e ardhshëm, që do të zhvillohet në Paris, apo për përfshirjen e parlamentarëve, si një komponent i shtuar i procesit të Berlinit.
Duke vlerësuar faktin se Procesi i Berlinit siguron sot një marrëdhënie të re ndërmjet Bashkimit Europian dhe rajonit, duke i dhënë një perspektivë më të qartë zhvillimit të rajonit Bregu e cilësoi këtë vendim si më të rëndësishmin e kësaj konference.
Ajo gjithashtu bëri me dije se ka pasur një propozim për përfshirjen e Kosovës si anëtare e të drejtave të plota në konference, por për shkak të anulimit të pjesëmarrjes të delegacionit nga Mali i Zi, për hir të situatës së tyre politike, ky vendim nuk u arrit të merret, pasi pala serbe nuk e quajti, le të themi dakordësinë me shkrim që delegacioni i Malit të Zi depozitoi, duke rënë dakord./b.kastrati/ /a.g/