Vendimi 20 duhet te mbetet plazh publik

Vendimi: 20% duhet te mbetet plazh publik

Qeveria ka miratuar sot vendimin për sigurinë në det, plazhe dhe ujërat e brendshme. Në vendim thuhet se, “çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për “Plazh publik” 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit”.

Ndërsa, subjektet e pajisura me leje për përdorimin e një plazhi në bregdet apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit kanë detyrimin e vendosjes, mirëmbajtjes dhe ruajtjes së kushteve higjienike dhe të sigurisë të caktuara në këtë vendim, si dhe kanë detyrë të ruajnë pastërtinë e mjedisit detar, si dhe ta mbrojnë atë nga ndotjet e dëmtimet me shpenzimet e tyre.

 

VENDIM PËR SIGURINË NË DET, PLAZHE, NË UJËRAT E BRENDSHME NË THELLËSI TË TERRITORIT DHE GJATË USHTRIMIT TË SPORTEVE UJORE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9861, datë 24.1.2008,  “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, të ndryshuar, të nenit 4/a, të ligjit nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, të nenit 3, të ligjit nr.8905, datë 6.6.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja dhe dëmtimi”, të ndryshuar, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, dhe të ligjit nr.9734, datë 14.5.2007,  “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
1. Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i kushteve të sigurisë në plazhe, në zonat çlodhëse në bregdet dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit, si liqene, rezervuarë, lumenj e përrenj. 
 
2. Kriteret e parashikuara në këtë vendim janë të vlefshme për të gjitha zonat bregdetare dhe ujërat e brendshme në thellësi të territorit, në të cilat plazhet përdoren si zona çlodhëse dhe janë të autorizuara për përdorim publik.
 
3. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e përdorur nënkuptohet:
 
a) “Plazh”,zona me rërë, zhavorr apo shkëmb që shtrihet në buzë të ujit të detit apo liqenit.
b) “Zonat e ujërave të brendshme (në thellësi të territorit)”, zonat ujore larg detit apo zonave bregdetare. Zakonisht kjo u referohet liqeneve, rezervuarëve, lumenjve dhe përrenjve.
c) “Plazh publik”, ato zona të plazheve, që janë të autorizuara e të hapura për përdorim publik dhe që ofrojnë mjete minimale për përdorim me kushtet e sigurisë dhe higjienës.
ç)  “Stacione plazhi”,veprimtaria turistike e ushtruar nga personat fizikë ose juridikë në strukturat e pozicionuara në breg të detit, të liqeneve, lumenjve, rezervuarëve dhe përrenjve, të pajisura për plazh me kabina, dhoma zhveshjeje, shërbime higjienike dhe dushe. Strukturat mund të jenë të pajisura me impiante të tjera dhe pajisje për përgatitjen e pijeve e të ushqimeve dhe për ushtrimin e veprimtarive të tjera të lidhura me plazhin, si: banjo dielli, kurat termale, veprimtaritë sportive dhe argëtuese.
d) “Leje”, leja që u jepet personave privatë për të ofruar shërbime dhe mjete në plazhin publik.
dh)  “Varkë”, një nga llojet e mjeteve lundruese.
e) “Mjet ujor privat”, mjeti lundrues me motor, që arrin shpejtësi të madhe dhe që përdoret në zonat afër bregut të detit apo në ujërat në brendësi të territorit. Në këtë term përfshihen të gjitha mjetet lundruese të shpejta, si: jet ski, varka, gomone, motoskafë, motorët e ujit etj.
ë)  “Motovarkë”, mjet lundrues motorik për argëtim dhe qëllime të tjera, me gjatësi deri në 24 metra.
f) “Përdorues”, personi që përdor apo është i ngarkuar për drejtimin e mjetit lundrues për argëtim, i cili mund të jetë ose nuk mund të jetë pronari i mjetit.
g) “Mjet lundrues për argëtim”, çdo varkë e çdo lloji, e destinuar për qëllime sportive, argëtuese apo peshkim çlodhës argëtues, me gjatësi deri në 24 metra, e matur sipas standardit evropian, pavarësisht nëse ka motor apo jo. Ky përkufizim përmbledh edhe mjetet lundruese për argëtim dhe mjetet e tjera lundruese personale.
gj) “Varkë me vela”, mjeti lundrues për argëtim, i pajisur ose jo me një motor ndihmës, që lëviz si rezultat i efektit të erës mbi vela dhe që mund të ketë një motor të jashtëm apo çdolloj motori tjetër ose pajisjeje mekanike të aftë për të lëvizur mjetin.
h) “I miratuar”, do të thotë që është miratuar sipas një standardi të BE-së, standardit ISO apo një standardi kombëtar të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.
i) “Institucion përgjegjës”, një institucion qendror apo vendor i administratës publike, që ushtron një pushtet publik në fushën e zbatimit të këtij vendimi.
j) “Kushtet e sigurisë”, masat dhe pajisjet të cilat duhen vendosur për uljen e rrezikut ndaj jetës së personave të cilët ushtrojnë aktivitete çlodhëse në zona bregdetare të autorizuara. 
k)  “Kushtet higjienike”, masat që mundësojnë shmangien apo pakësimin e ndikimit dëmtues ndaj shëndetit të personave që ushtrojnë veprimtari çlodhëse në zona bregdetare apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit.
 
II.    DETYRIMET E INSTITUCIONEVE PËRGJEGJËSE
 
1. Për planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e sigurisë në plazhe, në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë përgjegjëse institucionet e mëposhtme:
 
a) Ministria e Transportit  dhe Infrastrukturës (Drejtoria e Përgjithshme Detare);
b) Ministria e Punëve të Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit);
c) Ministria e Mbrojtjes (Roja Bregdetare);
ç)   Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave;
d)   Ministria e Kulturës;
dh)   Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit;
e)   Ministria e Mjedisit;
ë)   Ministria e Shëndetësisë (Inspektorati në fushën e shëndetit);
f)   Njësitë e qeverisjes vendore.
2. Njësitë e qeverisjes vendore kanë këto detyrime:
 
a) Identifikimin e zonave të përshtatshme si zona çlodhëse, të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme për njerëzit. Për evidentimin e tyre këto njësi bashkëpunojnë edhe me Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes (Shërbimin Hidrografik Shqiptar).
b) Dhënien e autorizimit për plazhe, për argëtim e sporte ujore, të përshtatshme për përdorim publik, nëse ato nuk paraqesin rrezik për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore/higjienike apo e sigurisë.
c) Dhënien e lejeve për individë ose persona juridikë bashkë me autorizimin e përdorimit të plazheve, zonave çlodhëse për përdorim publik, për argëtim e sporte ujore. Poseduesit e lejeve janë të detyruar të marrin dhe të zbatojnë me korrektësi të gjitha masat e parashikuara për sigurinë dhe shëndetin. Inspektimi i këtyre zonave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare në bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkon me përgjegjësi ky vendim, sipas shtojcës A-1.
ç)  Kontrollin dhe verifikimin e zbatimit të kushteve të sigurisë, të mirëmbajtjes dhe atyre shëndetësore/higjienike, të mbrojtjes mjedisore sipas kritereve të përcaktuara në shtojcën B;
d) Heqjen e lejeve, në rastet kur qiramarrësi nuk përmbush kushtet e sigurisë dhe ato shëndetësore/higjienike;
dh)  Vënien e gjobave në zbatim të akteve ligjore në fuqi, në rastet kur ka shkelje të kushteve të sigurisë gjatë përdorimit të mjeteve lundruese motorike dhe atyre shëndetësore/higjienike.
e) Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcaktojnë:
 
i. zonat (vendet) e përdorimit të mjeteve lundruese çlodhëse, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe të daljes nga uji (det, liqen, rezervuar, lumë, përrua);
ii. distancat e ushtrimit të aktivitetit të lundrimit nga këto mjete;
iii. oraret e përdorimit të tyre;
iv. vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizuese të tilla si:
 
  “KUJDES – ZONË KU NDALOHET PËRDORIMI I MJETEVE LUNDRUESE”; “KUJDES – ZONË E NDALUAR PËR TË NOTUAR” etj., të cilat të jenë në gjuhën shqipe dhe anglisht.
 
3. Policia e Shtetit dhe Roja Bregdetare janë përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi në det. Policia e Shtetit përgjigjet për ujërat e brendshme dhe për ujërat në brendësi të territorit dhe Roja Bregdetare për detin territorial.
 
4. Drejtoria e Përgjithshme Detare, njësitë e qeverisjes vendore dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim midis tyre, përgjigjen për zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të detyrave të mëposhtme:
 
a) Verifikimin e zbatimit të ligjshmërisë dhe patrullimin periodik (nga Policia e Shtetit dhe policia bashkiake/komunale) përgjatë vijës bregdetare publike dhe në zonat çlodhëse të ujërave të brendshme në thellësi të territorit.
b) Kryerjen e kontrolleve dhe marrjen e masave për të siguruar zbatimin e të gjitha kushteve të sigurisë, të higjienës dhe atyre të mirëmbajtjes.
 
5. Subjektet e pajisura me leje për përdorimin e një plazhi në bregdet apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit kanë detyrimin e vendosjes, mirëmbajtjes dhe ruajtjes së kushteve higjienike dhe të sigurisë të caktuara në këtë vendim, si dhe kanë detyrë të ruajnë pastërtinë e mjedisit detar, si dhe ta mbrojnë atë nga ndotjet e dëmtimet me shpenzimet e tyre. Në rast të kundërt, leja hiqet nga njësitë e qeverisjes vendore apo organet e tjera shtetërore sipas kompetencave, në bazë të konstatimit të bërë nga organet e kontrollit.
 
6. Inspektorati në fushën e shëndetit është përgjegjës për:
 
a) inspektimin higjieno - sanitar për dhënien e autorizimit sipas shkronjës “b”, të pikës 5;
b) verifikimin e plotësimit të kushteve higjieno - sanitare sipas shkronjave “c” dhe “ç”, të pikës 5;
c) marrjen e masave administrative sipas shkronjës “dh”, të pikës 5.
 
7. Drejtoria e Përgjithshme Detare duhet të hartojë dhe të zbatojë rregulla për regjistrimin, për përdorimin e sigurt të mjeteve lundruese që përdoren për argëtim, kontrollin periodik vjetor, përdorimin e sigurt të varkave të vogla me motor dhe lundrimin e sigurt në ujërat e brendshme në thellësi të territorit.
 
8. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare janë përgjegjëse për hartimin, zbatimin dhe kontrollin e rregullave për autorizimin e qendrave e të shkollave të trajnimit për zhytje sportive në përputhje me praktikat ndërkombëtare të sporteve ujore, duke siguruar që këto qendra të kenë pajisje të mjaftueshme, të jenë të organizuara dhe të kenë instruktorë të certifikuar.
 
9. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të përgatitin dhe të mbajnë një inventar për  lejet e dhëna, datat e inspektimit për kontrollin e përmbushjes së kushteve dhe përcaktimin e qartë të vendndodhjes së veprimtarive të lejuara sipas këtij vendimi.
 
10. Policia e Shtetit, në bashkërendim me institucionet e tjera qendrore të treguara në këtë vendim dhe njësitë e qeverisjes vendore, harton një plan të qëndrueshëm mbi sigurinë në plazhe, i cili duhet të rishikohet në muajin prill të çdo viti dhe të jetë i gatshëm për zbatim çdo sezon turistik, duke filluar nga data 15 maj dhe duke përfunduar në datën 15 tetor.
 
11. Të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, objekt i ligjit nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar, detyrohen të kompletojnë mjetet e tyre me pajisjet e nevojshme të komunikimit, sinjalizimit dhe të shpëtimit, sipas përcaktimeve të shtojcës “F”, jo më vonë se 45 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
 
III.   SHTOJCAT E VENDIMIT
 
Këtij vendimi i bashkëlidhen këto shtojca, si pjesë përbërëse e tij:
· Shtojca A-1: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për përdorim publik në bregdetin shqiptar dhe ujërat në brendësi të territorit.
· Shtojca A-2: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për veprimtari zhytjeje.
· Shtojca A-3: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për parashutizëm detar (parasailing dhe surfing).
· Shtojca A-4: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për veprimtari rafting.
· Shtojca B: Kërkesat për sigurinë në plazhe.
· Shtojca B-1: Rregullat e arta (të afishuara në çdo plazh).
· Shtojca B-2: Rregullat e arta (për drejtuesit e mjeteve lundruese).
· Shtojca B-3: Kriteret për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit.
· Shtojca C: Kushtet e sigurisë për përdorimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal në plazhe.
· Shtojca D: Kërkesat për regjistrimin, certifikimin dhe licencimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal.
· Shtojca E: Kërkesa për sigurinë në praktikimin e sporteve të aventurës, si “rafting”, “kayake” dhe “kanoe” në lumenj dhe në ujërat e brendshme.
· Shtojca F: Kërkesat për pajisjen e mjeteve lundruese me mjete komunikimi, sinjalizimi e shpëtimi.
 
IV.    DISPOZITA TË FUNDIT
 
1.  Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për “Plazh publik” 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit. Plazhi publik të menaxhohet dhe të jetë në administrim të njësive të qeverisjes vendore. Shpërndarja për stacionet e plazhit publik dhe privat të bëhet në mënyrë proporcionale.   
2. Për shkeljet e kryera gjatë përdorimit të mjeteve lundruese me motor zbatohen sanksionet e parashikuara në ligjin nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar.
 
3. Ministritë e linjës nxjerrin aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të këtij vendimi.
 
4. Vendimi nr.358, datë 1.6.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
 
5. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
 
         Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama