Drejtoresha e ISSH, Braho: Përfitojnë rreth 553 mijë qytetarë.
Të gjithë pensionistët që kanë tërhequr përfitimet e tyre nga dita e djeshme apo do ta bëjnë këtë ditët në vijim, do të mund të marrin edhe shtesën që vjen si efekt i rritjes së pensioneve, të deklaruar nga qeveria.
Në një konferencë për shtyp, drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, dha detaje mbi rritjen që përfiton çdo kategori pensionistësh. Ashtu sikurse ishte deklaruar më herët, rritjen më të madhe e kanë përfituar pensionistët e fshatit, ndërkohë që për pensionistët e qytetit kjo rritje ka qenë një për qind më e ulët. “Rritjen në masën 4 për do ta përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, pensionet familjare dhe të invaliditetit të qytetit, ndërsa rritjen në masën 5 për qind do ta përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar në fshat”, tha Braho.
Sipas shifrave të ISSH-së, rritja e pensioneve fillon nga data 1 korrik, por për ata që e kanë tërhequr përftimin tri ditët e para të këtij muaji, nuk kanë mundur ta marrin atë së bashku me shtesën, dhe ISSH bën me dije se kjo masë do të mund të tërhiqet në muajin gusht. Përmes rritjes së vazhdueshme të pensioneve duke favorizuar ato në fshat, qeveria ka synuar që të barazojë përfitimet e pensionit të fshatit me atë të qytetit dhe një vit më parë rritja për pensionet në zonat rurale ishte me 7 për qind. Në të gjithë vendin, sipas të dhënave të bëra publike dje nga drejtohesha Braho, përfitojnë gati 553 mijë pensionistë. “Në total, numri i përfituesve nga rritja e pensionit është 552 904 persona, nga të cilët 291 893 pensione pleqërie urbane, 50 167 pensione invaliditeti urbane dhe 50 656 pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë 160 188 pensionistë”, detajoi dje kreu i ISSH-së, Braho.
Pensioni minimal dhe maksimal
Shtesa e re në pensione që vjen si rrjedhojë e vendimit për rritjen e këtyre të fundit, një vendim që qeveria pritet ta kalojë shpejt, ndryshon automatikisht edhe kufijtë e pensionit minimal dhe maksimal të qytetit, por edhe të fshatit. Deri në qershor një pension minimal qyteti ishte në nivelin 11 117 lekë. Sipas ISSH-së, pas rritjes së fundit pensioni minimal në qytet do të jetë 11 562 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal do të jetë 23 123 lekë. “Ndërsa të ardhurat minimale për pensionin e plotë në qytet nuk mund të jenë më të vogla se 13 712 lekë në muaj dhe të ardhurat maksimale do të jenë 23 623 lekë. Pensioni i plotë minimal në fshat do të jetë 7841 lekë në muaj dhe pensioni maksimal në fshat është 11 562 lekë në muaj. Të ardhurat minimale në fshat arrijnë në 8731 lekë në muaj”, u shpreh drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho.
Subvencionet
Paralelisht me shtesën e re të pensioneve, qytetarët që marrin këtë përfitim do të marrin gjithashtu edhe subvencionet që qeveria ka përcaktuar ndër vite me vendime të veçanta. ISSH thekson se do të vijojë dhënia e 150 lekëve në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike të pensionistit për të gjithë ata individë që përfitojnë pension.
Pensionet fshat-qytet
Të ardhurat e pensionit minimal të qytetit
Ishte: 11 117 (baza) + 2150 (subvencione) = 13 267 lekë
Bëhet: 11 562 (baza)+ 2150 (subvencione) = 13 712 lekë
Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte: 22 234 lekë(baza) + 500 (subvencion) = 22 734 lekë
Bëhet: 23 123 lekë + 500 (subvencion) = 23 623 lekë
Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Ishte: 7468 lekë (baza) + 890 (subvencion)= 8358 lekë
Bëhet: 7841 + 890 (subvencion)= 8731 lekë
Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit:
11 562 (baza) + 200(subvencion) = 11 762
Rritja, 1.6 miliardë lekë në dispozicion
Për rritjen e pensioneve për 553 mijë qytetarë në të gjithë vendin, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 15 milionë dollarë, ndërkohë që së bashku me shtesat e tjera të ISSH-së kjo vlerë shkon në 16 milionë dollarë. Ky fond do të përdoret përgjatë gjysmës së vitit për të përballuar politikën e rritjes së pensioneve, një praktikë kjo e zbatuar njëlloj edhe për rritjen e pagave të administratës publike.
Shtesë 4% edhe për 31 mijë minatorë e ushtarakë
Nga rritja e pensioneve përfitojnë edhe kategori të veçanta, sikurse janë ushtarakët dhe minatorët. Drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho, dha detaje edhe mbi shtesën që marrin këto kategori. “Rritjen në masën 4% do ta përfitojnë dhe të gjithë pensionet e ish-ushtarakëve të caktuara dhe rillogaritur sipas ligjit 10142, datë 15.05.2009, trajtimet e veçanta të pilotëve fluturues, të detarëve, të ish-punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake, të ish-punonjësve të nëntokës si dhe pensionet suplementare të profesorëve”, tha Braho. Sipas saj, në të gjithë vendin përfitojnë rreth 30 900 individë, të cilët futen në një nga kategoritë e sipërpërmendura. Kategoria e ish-ushtarakëve dhe minatorëve kanë përfituar një rritje të barabartë me rritjen e zbatuar për zonat urbane prej 4 përqindësh. Aktualisht ISSH është duke punuar për lidhjen e pensioneve për ish-ushtarakët që përfitojnë nga ligji në fuqi dhe pothuajse çdo javë publikon listat e atyre që iu është lidhur ky përfitim dhe që gjithashtu do të përfitojnë edhe nga rritja e pensioneve që ka hyrë në fuqi nga data 1 korrik.