Zgjerimi i Perandorisë Osmane, pas pushtimeve të realizuara në shek. XV, bëri të nevojshëm ndryshimin e organizimit të saj shtetëror. Për ta vënë atë mbi baza më të qëndrueshme administrative e juridike, gjatë mbretërimit të sulltan Sulejmanit II (1520-1566), të njohur me emrin Ligjvënësi (kanuniu), u krye një organizim i ri i shtetit dhe u rishikuan e u plotësuan ligjet ekzistuese me urdhëresa të tjera në përshtatje me kushtet e reja, me synim që të arrihej në radhë të parë centralizimi i pushtetit në duart e sulltanit.
Në përfundim të këtij riorganizimi, territoret e gjithë perandorisë u ndanë në 32 ejalete, që ishin njësi më të vogla administrative. Në krye të çdo ejaleti kishte një bejlerbej. Krahinat e Gadishullit Ballkanik u përfshinë në tri ejalete: ejaleti i Bosnjës në veri të gadishullit, ejaleti i Rumelisë në qendër dhe ejaleti i Detit në ishujt e detit Egje dhe në një pjesë të bregdetit jugor. Çdo ejalet u nda në një numër sanxhakësh.
Territoret e Shqipërisë bënin pjesë në ejaletin e Rumelisë. Ato u ndanë në disa sanxhakë. Numri, shtrirja dhe emërtimi i tyre ka ndryshuar herë pas here. Sanxhakut të Shkodrës, të cilit më 1499 i ishin shtuar krahina të Malit të Zi dhe në fillim të shek. XVI edhe krahina të Rrafshit të Dukagjinit, iu shkëput krahina e Gjakovës, që i kaloi sanxhakut të Dukagjinit; sanxhakut të Vlorës iu shkëputën krahinat e Delvinës dhe të Çamërisë, me të cilat u krijua sanxhaku i Delvinës. Sanxhakët e Elbasanit, të Ohrit, të Dukagjinit, të Prizrenit, të Vuçiternës, të Shkupit dhe të Janinës mbetën siç ishin më parë. Në filim të shek. XVI sanxhaku i Manastirit fitoi një rëndësi të veçantë, sepse selia e bejlerbeut të Rumelisë u zhvendos nga Shkupi në Manastir, prandaj ai njihet edhe me emrin pashasanxhaku i Manastirit.
Çdo sanxhak ishte një unitet administrativ e ushtarak që përfshinte timaret, ziametet dhe forcat e tyre ushtarake përkatëse. Sanxhakë u ndanë në njësi më të vogla, të cilat u quajtën kaza, kurse këto të fundit u ndanë në nahije. Në çdo sanxhak kishte një mëkëmbës të sanxhakbeut (myteselim) dhe komandant të spahinjve (allaj-bej), kurse në çdo kaza një gjykatës (kadi) që varej drejtpërdrejt nga sulltani. Përveç këtyre pati edhe funksionarë të tjerë të një rëndësie më të vogël nëpër nahijet. Shumica dërrmuese e funksionarëve, ashtu si dhe shumica e feudalëve, ishin me origjinë shqiptare. Numri i tyre tashmë ishte rritur. Ndërsa një pjesë e tyre vinte nga radhët e klasës feudale para pushtimit, pjesa tjetër, që përbënte shumicën, vinte nga radhët e ushtarakëve të shquar në luftë ose të fëmijëve të rritur nëpër shkollat e korpuset jeniçere. Kishte mbetur ndonjë sasi e vogël spahinjsh turq, të cilët më vonë u larguan ose u asimiluan, sikurse ndodhi me kolonët turq të sjellë në Koxhaxhik, Elbasan, Krujë etj.
Me organizimin e ri, osmanët i copëzuan së tepërmi trojet shqiptare, duke u dhënë njësive ushtarake e administrative shqiptare një shtrirje territoriale më të vogël në krahasim me sanxhakët e tjerë të Rumelisë. Disa prej tyre, përveç popullsisë mbizotëruese shqiptare përfshinin edhe pakica malazeze, serbe e maqedone.
Gjatë mbretërimit të Sulejman Ligjvënësit, juriskonsultët osmanë përpunuan, si për të gjithë sanxhakët e tjerë të perandorisë, edhe për ata shqiptarë, nga një kanuname të veçantë. Kanunameja më e vjetër nga ato që janë ruajtur e që njihet deri më sot, është ajo e sanxhakut të Shkodrës (1529). Kanuname të veçanta patën edhe sanxhakët e Vlorës, të Elbasanit, të Prizrenit, të Ohrit, të Vuçiternës. Burimin e tyre kanunametë e kishin gjithnjë te “Ligji i Sheriatit” (ligji i shenjtë) dhe në mënyrë të veçantë te Kurani, që ishte një farë kushtetute e përjetshme e perandorisë së osmanëve. Por në hartimin e tyre janë marrë parasysh edhe kushtet shoqërore-ekonomike të çdo sanxhaku, si dhe traditat dokesore të trashëguara nga shekujt e kaluar. Kanunametë e sanxhakëve shqiptarë ligjëruan gjendjen e pronësisë tokësore, pozitën e spahinjve ndaj shtetit e rajave, detyrimet fiskale dhe detyrimet e tjera të popullsisë shqiptare. Kanunametë përmbanin gjithashtu dispozita të ndryshme mbi rregullimin ushtarako-politik të sanxhakëve, mbi çmimet e prodhimeve bujqësore, mbi regjimin doganor etj.
Në fillim këto kanuname kishin mjaft mungesa, por kohë pas kohe ato u plotësuan me dekrete (fermane) dhe me vendime (fetva), sidomos me fetvatë e kryetarit të fesë islame, Ebusudit, i cili ishte figura kryesore në përpilimin e kanunameve. Më vonë u hartuan kanumame të reja më të plota. Kanunameja e dytë e Shkodrës u përpilua afërsisht gjysmë shekulli më vonë nga e para.
Përveç kanunameve të sanxhakëve dhe të shtesave të mëvonshme, kadilerët kishin për udhëheqje në punët e tyre edhe kanunamenë qendrore të njohur me emrin “Kanunameja e sulltan Sulejmanit”, që u kodifikua pas mesit të shek. XVI. Kjo përmblidhte dispozitat themeltare të regjimit feudalo-ushtarak dhe të marrëdhënieve shoqërore-ekonomike të krejt Perandorisë Osmane.
Kanunametë e sanxhakëve shqiptarë kishin të përbashkëta normat kryesore të regjimit feudal-ushtarak. Në mjaft raste, ato kishin ndryshime nga njëra-tjetra dhe pasqyronin shkallën jo të barabartë të zhvillimit ekonomik e shoqëror të popullsisë që jetonte në secilin sanxhak.
Në vitin 1506 u bë një regjistrim i përgjithshëm i të gjitha tokave shqiptare. Ato u përfshinë në dy zona të mëdha. Në njërën zonë bënin pjesë tokat, ku ishte zbatuar sistemi i timarit. Kjo quhej ndryshe zona e së dhjetës (yshyrit), kurse zona tjetër përfshinte krahinat malore të vetqeverisura, ku nuk u zbatua sistemi i timarit. Ato i jepnin pushtetit qendror një taksë (haraç) fikse, prandaj quheshin zona e haraçit.
Zona e timarit ishte e shtrirë në pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Si në gjithë Gadishullin Ballkanik, dhe në shumicën e viseve të tjera të Perandorisë Osmane, gjithë toka ishte shpallur “tokë shtetërore” (erazi mirie). Megjithatë, pronësia mbi tokën, që i përkiste shtetit osman edhe në Shqipëri, pati tri forma të ndryshme: tokat shtetërore që zinin sipërfaqen më të madhe të vendit dhe përbënin bazën e sistemit të timareve, tokat në zotërim privat (erazi mylk) që zotëroheshin nga pjesëtarë të aristokracisë feudale dhe tokat vakëf (erazi vakf), që ishin pronë e institucioneve fetare myslimane.
Pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e tokave shqiptare i përkiste formës së tokave shtetërore. Këto përbënin fondin e tokave të përfshira në sistemin e timarit, në disa kategori: në radhë të parë, bënin pjesë tokat e punueshme, arat, livadhet në zotërim të fshatarëve. Tipar dallues i këtyre tokave (rajatike) ishte fakti se fshatarët që i zotëronin ato, ishin të detyruar t’i shlyenin një varg detyrimesh, si spahiut dhe shtetit. Legjislacioni nuk lejonte ndryshimin e statusit të tyre dhe ruante dallimin fetar midis bashtinës dhe çifligut. Në rast se një mysliman merrte një bashtinë, i shlyente detyrimet si i krishterë.
Përveç tokave rajatike kishte edhe disa toka jorajatike: truallishtet (mezra) ishin toka djerr të fshatrave, dikur të banuara, por që ishin braktisur nga popullsia. Ato mund të punoheshin e të mbilleshin nga fshatrat fqinje. Prej tyre merrej vetëm e dhjeta e prodhimeve bujqësore. Spahiu kishte të drejtë t’i jepte me tapi dhe taksën e tapisë e merrte shteti. Punimi i tyre mund të bëhej edhe nga fshatarë të ardhur. Sipas regjistrit të vitit 1520, fshati Levan i Vogël në regjistrimin e vjetër figuronte truallishte, por fshatarët që erdhën nga viset përreth, u vendosën aty me banim dhe e punonin tokën, duke i shlyer të dhjetën të zotit të tokës. Krahas truallishteve ishin tokat e përbashkëta (mysha), toka të papunuara, të ndodhura midis fshatrave me kufij të papërcaktuar dhe në përdorim të përbashkët të tyre. Punimi dhe mbjellja e tyre kushtëzohej me pagimin e së dhjetës. Një kategori tjetër tokash jorajatike ishin tokat e hapura rishtas (zemin e tarlla), prej vendeve djerr, pyjesh, vendesh malore, të cilat me kalimin e kohës nga një regjistrim në tjetrin, punoheshin e mbilleshin. Spahiu kishte të drejtë t’i jepte me tapi që të punoheshin. Të njëjtin status kishte toka djerr brenda timareve të lëna si kullota dimërore dhe verore. Spahiu kishte të drejtë të vilte taksën për dimërimin dhe verimin e bagëtive nga fshatarët e jashtëm që sillnin bagëtitë për kullotje, por jo nga fshatarët e fshatit ku ndodhej kullota. Në periferi të qyteteve tokat nuk ishin private, por as toka rajatike. Përreth qyteteve kishte mjaft çifligje të ngarkuara vetëm me të dhjetën dhe taksën e kashtës. Një kategori më vete përbënin tokat e dhëna në zotërimin e personave të ngarkuar me shërbime ushtarake në luftë, në prapavijë ose me shërbime administrative. Këto u jepeshin si bashtina ose çifligje vojnukëve, stallierëve, rritësve të shpesëve të gjuetisë (doganxhinj), ruajtësve të grykave të rrugëve (derbendxhinj), pjesëtarëve të korpusit ushtarak të kalorësve (myselem) dhe të këmbësorëve. Tokat ushtarake trashëgoheshin dhe ishin falur nga e dhjeta, xhizja, taksat e jashtëzakonshme shtetërore dhe nga çdo detyrim tjetër kundrejt shërbimit ushtarak. Me kalimin e kohës kjo kategori sa vinte e zvogëlohej. Kështu më 1506 në sanxhakun e Vlorës kishte 229 shtëpi vojnukësh që ishin kthyer në raja. Më 1593 numri i vojnukëve në këtë sanxhak numërohej me gishta. Në kategorinë e tokave shtetërore bënin pjesë edhe tokat në zotërim personal të spahinjve (hasa-çiflig).
Toka shtetërore u nda në zotërime të veçanta, të cilat në varësi nga shuma e të ardhurave që jepnin, u quajtën has, ziamet dhe timar. Të ardhurat vjetore maksimale të hasit që u jepeshin pjesëtarëve të aristokracisë feudale (sulltanit, vezirëve, bejlerbejve, sanxhakbejve), i kapërcenin të 100 000 akçet, të ziametit deri në 99 999 akçe, kurse të ardhurat e timarit, që u jepeshin zakonisht feudalëve të vegjël nuk i kapërcenin të 19 999 akçet.
Numri i zotërimeve në tokat shqiptare u rrit krahas me zgjerimin dhe me forcimin e pushtetit osman në krahinat e mbetura ende jashtë administratës së tij. Sipas regjistrimit të vitit 1431, në Sanxhakun Shqiptar kishte 471 timare, kurse me regjistrimin e kryer në vitin 1533, vetëm në sanxhakët e Shkodrës, të Vlorës, të Ohrit, të Elbasanit, të Vuçiternës dhe të Prizrenit numri i timareve arriti në 2 070.
Në Shqipëri haset në zotërim të sulltanit u formuan pas përfundimit të pushtimit të saj dhe me përforcimin e pushtetit osman në vend. Sipas dëshmive dokumentare ato ishin krijuar për herë të parë në sanxhakun e Shkodrës, në vitin 1485, pastaj nga fillimet e shek. XVI u dukën në të gjithë sanxhakët e tjerë. Të ardhurat e tyre i kalonin thesarit shtetëror dhe përdoreshin për të mbuluar shpenzimet e administratës qendrore të shtetit. Në përputhje me kushtet ekonomike e politike të secilës trevë, ato përfshinin zakonisht të ardhurat më të rëndësishme të vendit që vinin nga taksat e shitblerjes së mallrave në tregjet kryesore, nga taksat doganore të skelave të Vlorës, Durrësit, Lezhës, Shkodrës, që ishin nyje kryesore të tranzitit tregtar me botën e jashtme, nga monopoli i kripës në kriporet e bregdetit, nga peshkimi në liqenet e Shkodrës, Ohrit, në grykat e lumenjve etj., nga minierat e Novobërdës, Janievës, Trepçës, Prizrenit, Vlorës dhe nga të ardhurat e një numri qytetesh apo fshatrash. Vjelja e këtyre të ardhurave zakonisht bëhej me anën e sistemit të sipërmarrjeve vjetore (mukata). Haset ishin mjaft të mëdha dhe zinin një vend të konsiderueshëm në sasinë e të ardhurave (të rentës) që shkonin në dobi të klasës feudale. P.sh. në vitet 30 të shek. XVI haset zinin 44,8% të këtyre të ardhurave dhe arrinin në 10 649 730 akçe. Të ardhurat e hasit të sulltanit në Vlorë vinin nga peshkimi, doganat, monopoli i kripës, nga taksa e dhenve në sanxhakët e Vlorës e të Elbasanit, dhe nga detyrimet spahiore të 26 fshatrave. Në hasin perandorak në Vuçitern të ardhurat kryesore vinin nga minierat e Novobërdës e të Janievës, të punishtes për prerjen e monedhës, nga taksat e qytetarëve dhe nga detyrimet spahiore të 290 fshatrave.
Hase të rëndësishme zotëronin edhe vezirë e bejlerë, si Sinan Pasha në sanxhakun e Vlorës dhe Osman Pasha në sanxhakun e Delvinës etj. Sanxhakbejlerët, si mbajtës të pushtetit ushtarak e civil në krahinat e përfshira në njësitë administrative që qeverisnin, zotëronin 8-9 hase të rëndësishme qysh në shek. XV. P.sh., hasi i sanxhakbeut të Shkodrës më 1485 arrinte në 389 912 akçe. Ai përfshinte të ardhurat e qyteteve të Shkodrës, të Drishtit, të Pejës si dhe 161 fshatra kryesisht në Malësinë e Madhe. Në shek. XVI, haset e sanxhakbejlerëve lëviznin nga 200 000 deri në 550 000 akçe secili. Të ardhurat e haseve të funksionarëve të lartë arrinin në fund të shek. XVI në 2 593 998 akçe, d.m.th., në 10,4% të sasisë së përgjithshme të të ardhurave nga detyrimet spahiore. Më i vogli ishte hasi i sanxhakut të Elbasanit (117 138 akçe) dhe më i madhi ishte ai i Ohrit (383 450 akçe). Vendin kryesor në të ardhurat e këtyre haseve e zinin të ardhurat nga detyrimet spahiore, të vjela nga 260 fshatra.
Pjesa më e madhe e tokave dhe e popullsisë ishte dhënë në ziamete dhe timare. Në fillim të shek. XV kishte 30 timare e 837 ziamete me 3 352 000 akçe, kurse në fund të shek. XVI 212 ziamete dhe 2 043 timare me 15 500 000 akçe. Sasia më e madhe e timareve dhe e ziameteve gjendej në sanxhakët e Vlorës, të Ohrit, të Vuçiternës, në viset e Rrafshit të Dukagjinit etj. Ziametet dhe timaret përfshinin pjesën më të madhe të të ardhurave (të rentës) të zotërimeve spahiore, 32% të shumës së përgjithshme. Gjatë shek. XVII-XVIII numri i timareve dhe i ziameteve erdhi duke u zvogëluar, përkatësisht në 2 043 e 93.
U pakësua më shumë (gjatë shek. XVII-XVIII) numri i ziameteve dhe më pak ai i timareve. Kjo dukuri dëshmon për copëtimin e ziameteve dhe rritjen e haseve. Edhe në këta shekuj ruhej tradita e mëparshme, sipas së cilës shumicën e timareve e përbënin timaret e vogla me të ardhura deri në 3 000 akçe. Kështu timaret e vogla në fillim të shek. XVII në sanxhakun e Shkodrës zinin 55% të numrit të përgjithshëm, në sanxhakun e Vuçiternës 66% dhe në atë të Elbasanit 64%. Vendin e dytë e zinin timaret me të ardhura 5 000-6 000 akçe. Timaret dhe ziametet thuajse tërësisht kishin të bënin me tokën dhe fshatarin raja. Ato lidheshin me prodhimin bujqësor të një vendbanimi të caktuar. Ziametet përfshinin disa fshatra të tëra, kurse timaret fshatra të plota ose pjesë fshatrash.
Timaret, ziametet dhe haset u jepeshin spahinjve kundrejt detyrimeve të caktuara ndaj pushtetit qendror. Timarliu ose zaimi e gëzonte timarin apo ziametin me kusht që me shpenzimet e veta, të shkonte në luftë si kalorës i armatosur nën urdhrat e sanxhakbeut sa herë ta thërriste sulltani. Timari, të ardhurat e të cilit ishin deri në 3 000 akçe që nevojiteshin për shpenzimet e jetesës së spahiut, quhej “këllëç timar”, d.m.th., timar sa për një shpatë. Në rast se të ardhurat e kalonin këtë shumë, atëherë spahiu ishte i detyruar të çonte një kalorës të armatosur (xhebeli) për çdo 3 000 akçe më shumë, ndërsa zotëruesit e ziameteve e të haseve çonin një kalorës për çdo 5 000 akçe.
Kushtëzimi i dhënies së zotërimit me shërbimin në ushtri, i jepte sistemit të timareve në fazën e parë të tij një karakter të theksuar ushtarak. Kur sulltani, me anë të një urdhri (fermani), kërkonte grumbullimin e forcave ushtarake, atëherë të gjithë spahinjtë së bashku me xhebelitë, të armatosur dhe të pajisur për luftë me shpenzimet e tyre, paraqiteshin pranë sanxhakbeut, i cili ishte i detyruar të shkonte me të gjitha forcat ushtarake të sanxhakut të vet pranë bejlerbeut të Rumelisë e të vihej nën urdhrat e tij. Në qoftë se spahinjtë nuk i përgjigjeshin thirrjes për luftë, ata zhvisheshin nga feudet, të cilat u jepeshin personave të tjerë. Në kohë paqeje spahinjtë ishin të detyruar të mos largoheshin nga vendet ku ndodhej zotërimi i tyre. Kur ata tregoheshin besnikë dhe kryenin mirë shërbimin ushtarak, shpërbleheshin me zmadhimin e zotërimit dhe gëzonin kështu të ardhura më të mëdha. Në këtë mënyrë pushteti qendror ruajti disiplinën dhe gatishmërinë luftarake të spahinjve dhe krijoi garancinë për forcimin e zgjerimin e Perandorisë Osmane.
Zotërimi i tokës, që kishte për veçori shërbimin e detyrueshëm në ushtri ose në administratë, ishte baza e gjithë sistemit të timareve. Ky sistem pronësie me kusht i siguronte pushtetit qendror një ushtri të madhe e të interesuar për luftëra pushtuese, si dhe një aparat administrativ të përshtatur me nevojat e sundimit.
Zotërime u jepeshin edhe personave që kryenin shërbime në administratën qendrore ose lokale. Kështu, p.sh., gjatë shek. XV në tokat shqiptare u ishin dhënë timare kadilerëve, shkruesve etj. Në këtë shekull, kur pozitat e pushtuesve nuk qenë konsoliduar plotësisht, u ishin dhënë timare edhe disa peshkopëve të krishterë. Edhe mitropolitit të Beratit dhe peshkopëve të Krujës, të Kaninës e të Çartallozit iu njohën në fillim në sanxhakun shqiptar si timare fshatrat që zotëronin si metohe para pushtimit. Por, në shek. XVI, kjo praktikë u hoq. Tashmë nuk kishin mbetur elementë të krishterë vendas në gjirin e timarlinjve osmanë, ashtu siç kishte pasur në periudhën e luftërave të shek. XV. Për të ruajtur pozitat e veta ekonomike dhe politike, ish-pjesëtarët e parisë së vjetër feudale vendase kishin përqafuar fenë e pushtuesit, islamin.
Zotërimi nuk ishte i përjetshëm. Biri i spahiut mund të trashëgonte zotërimin, vetëm nëse ai përmbushte po ato detyrime që kishte i ati ndaj sulltanit. Spahinjtë nuk gëzonin pronësinë e plotë mbi tokat e zotërimit, mbasi as mund t’i shisnin dhe as mund t’i dhuronin. Sipas juriskonsultëve osmanë “toka mirie” nuk ishte as e timarliut, as e atij që punonte tokën, d.m.th., e fshatarit raja. Pronari i vërtetë i këtyre tokave ishte shteti osman. Rrjedhimisht spahiu konsiderohej vetëm zotërues i tokës (sahibi erz). Duke qenë pronar toke i kufizuar, edhe pushteti i tij mbi fshatarin raja ishte gjithashtu i kufizuar. Megjithëse në legjislacionin osman ai cilësohej edhe zotërues i rajave (sahibi reaya), ai nuk gëzonte të drejtën ta gjykonte vetë fshatarin raja dhe nuk mund ta dëbonte atë nga toka po qe se ky përmbushte detyrimet që kërkonte ligji.
Çdo familje fshatare banuese në një feud kishte ngastrën e tokës që e punonte me pjesëtarët e vet. Ngastrat që u ndodhën në duart e fshatarëve të krishterë, u quajtën si dhe më parë bashtina, kurse ato që ishin në përdorim të fshatarëve myslimanë u quajtën çifligje (çift-një palë, një pendë, në kuptimin e një toke që mund të punohej me një pendë qe). Meqenëse bashtinat dhe çifligjet ishin tokë shtetërore, fshatari gëzonte mbi to vetëm të drejtën që ta punonte dhe ta shfrytëzonte kundrejt detyrimeve që duhej të jepte. Fshatari gëzonte disa të drejta të kufizuara, ai nuk mund të dëbohej nga toka prej spahiut po qe se e punonte dhe paguante detyrimet. Gjithashtu fshatari raja mund t’ia shiste të drejtën e përdorimit të bashtinës pa e copëtuar atë, një fshatari tjetër, por vetëm me lejen e spahiut, të cilit me këtë rast, blerësi duhej t’i paguante taksën e tapisë (resmi tapu). Kur fshatari nuk paguante rregullisht detyrimet e caktuara ose kur e linte tokën pa punuar më tepër se tre vjet, spahiu kishte të drejtë t’ia merrte tokën dhe t’ia jepte një tjetri, duke i marrë këtij taksën e tapisë.
Fshatari raja gëzonte të drejtën e një trashëgimie të kufizuar mbi bashtinën apo çifligun e vet. Djali ose djemtë e tij e trashëgonin të drejtën e punimit të tokës, por pa e pjesëtuar atë. Ata nuk ishin të detyruar të nxirrnin tapi të re dhe të paguanin taksën e tapisë. Të drejtën e trashëgimisë e gëzonin edhe të afërmit e tjerë të fshatarit raja (bijat, vëllezërit, motrat), kur ky nuk linte trashëgimtar mashkull, por në këtë rast trashëgimia nuk ishte e lirë, meqenëse këta duhej të nxirrnin tapi të re dhe të paguanin taksën e tapisë.
Pra, e drejta e pronësisë së tokës mirie ishte e pjesëtuar midis shtetit, që ruante për vete të drejtën e disponimit, dhe spahiut, që gëzonte të drejtën e zotërimit, kurse fshatari kishte të drejtën dhe detyrën e punimit e të shfrytëzimit.
Kjo pronësi solli si pasojë që pushteti i spahiut në pronën osmane të mos kishte pavarësi dhe imunitet të plotë financiar, administrativ dhe gjyqësor.
Duke qenë vazhdimisht nën kontrollin e organeve të pushtetit qendror, spahinjtë ishin kufizuar të mblidhnin vetëm të ardhurat e zotërimeve që u përkisnin, sepse pushteti qendror i vilte të ardhurat e veta me anën e organeve të veçanta të tij.
Në kategorinë e tokave shtetërore bënte pjesë edhe hasa-çifligu (ose hasa). Kjo ishte një ngastër toke në madhësinë e një bashtine që brenda zotërimit të vet e mbante në zotërim personal spahiu. Këto ngastra u jepeshin dhe u merreshin spahinjve së bashku me të. Ato nuk shiteshin si pronat në zotërim privat.
Si ekonomi personale të spahinjve, hasa-çifligjet ishin të çliruara nga çdo lloj detyrimi dhe taksa të zakonshme ose të jashtëzakonshme shtetërore.
Për punimin, mbjelljen etj., të këtyre ngastrave, spahinjtë përdornin punën angari të fshatarëve të timareve të tyre, dhënien me qira ose me gjysmatari. Në shek. XV haset e çifligjet e spahinjve ishin zakonisht vreshta, kopshte, ullishte, pemë frutore, mullinj etj. Në shek. XVI numri i hasa-çifligjeve vjen e zvogëlohet, meqenëse spahiu ishte i lidhur me luftërat dhe shteti lejoi dhënien e tyre me tapi. Mbas një shekulli zotërimet personale nuk përmenden fare.