Venera Mustafa Ish-Missi behet stiliste prezantohet ne Paris

Venera Mustafa: Ish-Missi behet stiliste, prezantohet ne Paris
“Gjetja e vetvetes duhet të jetë një proces i pandalshëm, i vazhdueshëm. Veshja duhet të jetë zbavitje, mund të jeni kushdo dhe kudo. Eksperimentoni!”

Një kurorë që shumë vajza e ëndërrojnë, ajo e “Miss Albanias”, për Venera Mustafën (e cila e ka rrëmbyer këtë trofe në vitin 1999) mbetet veçse një kujtim interesant, që nuk përkon me personalitetin e saj introvert. Megjithatë, jeta e saj edhe tani zhvillohet brenda botës të së bukurës. Ka përfunduar Akademinë e Arteve Figurative, drejtimi Skulpturë, në Prishtinë, si dhe dizajnin e modës në Paris, me specializim në veshjet e meshkujve në “Ecole Supereieure des Arts et tecniques de la Mode” - ESMOD. Pak ditë më parë ajo prezantoi në Prishtinë linjën e veshjeve ''Tomatopia'', ndërsa puna e saj së shpejti do të prezantohet në ''Galerie Joseph'' në Paris.

Zgjodhët ju të bëheni stiliste apo fati ju zgjodhi ju?

Ka qenë një zgjidhje e imja! Pasi kam përfunduar fakultetin e arteve, Skulpturën në Prishtinë, jam regjistruar në ESMOD në Paris për dizajn mode.

Si ka qenë rrugëtimi deri tek stampa e firmës ''veneramustafa'' që shënojnë koleksionin tuaj?

Ka 2 vjet që përgatitem për të filluar me linjën e veshjeve ''veneramustafa'' dhe përveç shkollimit njeriu duhet të ketë edhe eksperiencën e duhur për të arritur një gjë të tillë! Nuk është aspak e lehtë, ka peripeci të ndryshme që duhet kaluar në baza ditore, mos të flas për një grumbull sfidash me të cilat përballesh në Kosovë, e të cilat mund të duken qesharake kur i mendon. Por që ky profesion të funksionojë, duhen shumë kushte paraprake, e më vonë edhe ritmi me të cilin punon është akti që i jep formë punës.

Tashmë dizajnët tuaj kanë edhe një adresë, pasi keni hapur edhe sallonin ekspozues në Prishtinë. Si është pritur nga klientela?

Krahas koleksionit tim të parë “Laboratory Sora Tripodrom” që kam sjellë vjet në Prishtinë, i cili hyn në rrymën e nivelit të veshjeve Pret a Porter (të gatshme për t’u veshur) kanë filluar edhe punimet për hapjen e dyqanit ku këto veshje mund të blihen. Është një punë zinxhir, ku secili komponent kompleton tjetrin. Tashmë prej 4 muajsh këto veshje mund të provohen dhe blihen në dyqanin ''veneramustafa'' që gjendet në Prishtinë.

Çfarë ju frymëzon punën tuaj?

Ka shumë gjëra. Ballafaqimi me jetën e përditshme në Prishtinë ndonjëherë është shumë i çuditshëm, as e bardha dhe zeza nuk është bardhë e zi këtu, ose të paktën ky është perceptimi im. Sikur jetoj në një tollovi shumë të madhe çuditërisht të organizuar, ku çdo ditë ngjan me një takim me një botë të largët, nga gjërat që të bëjnë me nerva e deri te ato që tejkalojnë situatat e rëndomta komike. Kam shumë durim kur shikoj diçka, ndonjëherë më duket që sytë e mi duhet të kenë lidhur një pakt sekret me trurin tim, ku çdo perceptim i thjeshtë ditor kalon nëpër një proces filtrimi dhe kur në fund fare perceptoj atë çfarë shoh- gjithçka duket e pabesueshme, por megjithatë e vërtetë.

Çfarë mundoheni të transmetoni nëpërmjet stilimeve tuaja?

Dashuri! Për të gjithë ata që duan të ndjehen dhe vishen plot liri, plot ngjyra, plot filozofi për jetën, plot tregime, kombinime të guximshme, gjithmonë të gatshëm për të sfiduar veten. Ndryshim! Sot është pothuajse e pamundur të qëndrojmë inert në këtë “luna park” informatash që na serviren çdo ditë nga qarqe të ndryshme teknologjike, internet, telefon, televizion. Unë besoj tek sistemi i ''manipulimit'' që kërkon ndryshime, sistem ky i cili përmban bërthamën tashmë të formuar/pjekur të një personaliteti të definuar, por njëkohësisht të jep mundësinë që të hulumtojmë dhe zbulojmë alter egon! Gjetja e vetvetes duhet të jetë një proces i pandalshëm, i vazhdueshëm. Veshja duhet të jetë zbavitje, mund të jeni kushdo dhe kudo. Eksperimentoni!

Kthehemi në vitin 1999, kur ju rrëmbyet kurorën e ''Miss Albania''. Si e kujtoni atë moment?

Ka shumë kohë që ka kaluar, ndaj nuk më kujtohet shumë. Ka qenë dhe mbetet një eksperiencë që më ka ndihmuar në zgjedhjet e mia të më vonshme.

A e ka ndryshuar jetën tuaj ky titull?

Siç thashë edhe më parë, më ka ndihmuar në zgjedhjet e mia të më vonshme. Ka qenë momenti kur unë e kam kuptuar që s'kam asgjë të përbashkët me botën e spektakleve, nuk mund të them se kam pasur ndonjë ndihmesë, sepse asnjëherë nuk jam ndjerë që përkas nën dritën e reflektorëve apo të bëj jetën e një personaliteti publik. Një kujtim interesant, po që s'përkon me personalitetin tim introvert.

Gjatë rrugëtimit tuaj dhe rritjes profesionale, nga kush keni pasur më shumë mbështetje?

Nga familja. Nga babai, edhe kur idetë e mija i janë dukur të çuditshme. Nëna ime plot e përplot ngjyra, me kritikat e saja, e gatshme të m’i japë. Vëllai im, që gjithmonë gjen momentet më të pazakonta të qeshë me mua. Motra, që bërtet nga dhoma tjetër sepse kam fjetur me këmishën e saj të preferuar. Neo, qeni im me lëvizjet dramatike të bishtit kur unë jam duke u afruar. Shoqëria, që më çon nëpër periudhat qesharake, në të cilat kam munguar. Janë këto detaje të vogla, që e bëjnë përditshmërinë të përballueshme e shumë herë edhe shumë të bukur!

Cili është stilisti/ja i parë që ju vjen në mendje dhe pse pikërisht ai/ajo?

Martin Margiela. Përveç se konsiderohet pjesë e avangardistëve të quajtur e 6-a e Antwerpit, gjithçka rreth tij është e mrekullueshme, e në të njëjtën kohë shumë misterioze! Vazhdon të jetë një figurë shumë kontroverse në fushën e modës, pikërisht edhe për faktin se ai nuk është shfaqur asnjëherë në media dhe janë të limituara apo pothuajse nuk ekzistojnë fare fotografitë tij. Puna e tij është më të vërtetë e veçantë dhe është puna ajo që duhet të vlerësohet dhe respektohet dhe jo jeta personale dhe “glamuroze” prapa krijuesit!

Mendoni se shqiptarët kanë stil në veshje?

Në përgjithësi vishemi pranueshëm, ka pak origjinalitet dhe shumë shpesh më pengon homogjeniteti tek trendet në përgjithësi, jo vetëm këtu. Mirëpo këtu reflekton me një pamje më të lirë, sepse edhe produktet të cilat serviren janë kopje të kopjeve të kopjeve të lira, të cilat në të shumtën e rasteve nuk përkojnë me çmimin me të cilin shiten. Mendoj se veshja duhet jetë shumë personale, megjithatë jo diçka që zëvendëson mungesën e një personaliteti, është një gjë komplimentuese e një karakteri që merr formë përkrah tij, e jo përcaktues i tij. Fundja, që të gjithë jemi të ndryshëm, ndaj gjithçka që nevojitet është t’u përshtatemi gjurmëve të gishtave tanë.

Një këshillë për ata që e kanë pasion modën?

Pasioni është veçse një motor i mirë për të filluar, por si çdo motor tjetër edhe ky do mirëmbajtje dhe çfarë është më e rëndësishmja, shfrytëzim maksimal të kapacitetit!

Çfarë jeni duke punuar këto ditë?

Sapo kam përfunduar ekspozitën e veshjeve të sezonit Vjeshtë/Dimër, ''Tomatopia'' që është shfaqur në formë instalimi në Parkun Arkeologjik në Prishtinë. Kjo ishte një vazhdimësi e mënyrës së prezantimit të koleksioneve të mia në formën me të cilën mendoj se i përshtatet më shumë karakterit tim si krijuese, e në të njëjtën kohë është një mundësi më e afërt për shikuesin të shohë më gjatë, të prekë, të pëlqejë dhe të kritikojë secilën nga veshjet e punuara!

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Shumë për t'i përmendur... Një prej tyre është prezantimi i koleksionit tim me ftesa nga Galerie Joseph Paris në mars 2012, e shumë e shumë të tjera. Gjithsesi pritet koleksioni tjetër, tashmë kam filluar me idetë dhe skicimet e para.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama