Ministri i Jashtëm dhe zv/kryeministri grek, Evangelos Venizelos takoi sot në Tiranë, homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushatin. Në një konferencë të përbashkët për median, kryediplomati Bushati, duke e falënderuar ministrin Venizelos për ndihmën që Greqia i ka dhënë vendit tonë, theksoi domosdoshmërinë që Greqia të heqë ligjin e luftës dhe të njohë të drejtat pronësore të mohuara, në mënyrë që marrëdhëniet mes dy vendeve të njohin një hap më cilësor.
“Ndërmjet dy vendeve tona ekziston një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, i cili për ne përbën gurin e themelit të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe adresimit brenda këtij akti ligjor dhe institucional të të gjitha çështjeve që kërkojnë zgjidhje, larg çdo lloj ndikimi nacionalist.
Besojmë se riaktivizimi i mekanizmave të parashikuar nga traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit, shoqëruar me heqjen e ligjit të luftës nga ana e Greqisë, i cili në vetvete nuk pasqyron realitetin e sotëm të miqësisë së mirë, rrugëtimit evropian dhe miqësisë së hershme mes dy popujve tanë, do të krijonte një mjedis të ri besimi të ndërsjellë dhe njëkohësish do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”- deklaroi ministri Bushati.
Ministri grek ka i ka kërkuar homologut të tij shqiptar, një komision të përbashkët për çështjen e varrezave greke në Shqipëri. Ai ka cilësuar se marrëveshja detare që dy vendet kanë, është që në vitin 1974, dhe çdo lloj ankese që shqiptarët kanë për këtë marrëveshje t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.
“Për ankesat e kuadrit ligjor grek, drejtohuni Gjykatës së Strasburgut. Për ne ka shumë rëndësi zbatimi i të Drejtës Ndërkombëtare për kufijtë detarë. Kufijtë duhen vendosur sipas ligjit dhe eksperiencave të vendeve fqinje dhe sipas ligjeve ndërkombëtare”, -ka thënë Ministri i Jashtëm grek dhe njëherazi zv.kryeministër i Greqisë.