Venizelos Shqiperia e meriton statusin te ecet perpara me anetaresimin e plote

Venizelos: Shqiperia e meriton statusin, te ecet perpara me anetaresimin e plote

Në përfundim të takimit me krerët e politikës shqiptare, shefi i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos, dha një konferencë për shtyp, ku deklaroi se në fund të muajit prill do të mbahet një samit i BE-së në Selanik, i cili do të jetë një shans për autoritetet shqiptare, për të prezantuar më mirë angazhimet e ndërmarra për çështjen e statusit kandidat, dhe për t’i dhënë një shtysë qëllimit të Shqipërisë, jo thjesht për marrjen e statusit kandidat në qershor, por edhe për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

 

Ministri i Jashtëm grek, theksoi se takimi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe takimi me homologun e tij Bushati, ishin një “Mundësi i shkëlqyer për të bërë të mundur që çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve të zgjidhen në mënyrën më të mirë”.

 

Duke iu referuar çështjes së marrëveshjes detare, numri dy i qeverisë greke deklaroi se kjo do të bëhet në respektim të standardeve të BE-së dhe ligjeve ndërkombëtare për hapësirën detare, por se kjo çështje nuk do të ndikojë në vullnetin e Greqisë për të mbështetur Shqipërinë për marrjen e statusit. “Ne kemi mbështetur dhënien e statusit kandidat që në mbledhjen e dhjetorit, dhe mendojmë edhe sot që Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, madje duhet të ecet përpara për synimin final që është anëtarësimi i plotë”, -theksoi ministri i Jashtëm i Greqisë.

 

Venizelos, duke përmbledhur turin e zhvilluar në gjashtë vendet e Ballkanit, theksoi se “Në Serbi situata është e mirë dhe klasa politike është e bindur të ecë përpara në aspiratën evropiane, duke vazhduar përpara në dialogun e rëndësishëm me Prishtinën”. Ndërsa nuk la pa përmendur as gjendjen në Bosnjë-Hercegovinë, ku sipas tij gjendja është më e brishtë se në vendet e tjera të Ballkanit. 

 

Për sa i përket Kosovës, Venizelos tha se në takimin që zhvilloi me kryeministrin Thaçi biseduan për marrëdhëniet dypalëshe, të cilat ai i cilësoi shumë të mira, dhe theksoi se Greqia do të mbështesë aspiratat evropiane të Kosovës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama