Libri është ndërtuar me një koleksion esesh të shkruara nga Alpion në Shqipëri, Egjipt, në Britaninë e Madhe dhe Indi, gjatë periudhës 1993-2007. Këto ese të zgjedhura me kujdes nga autori shqiptar, i cili punon si lektor në Universitetin e Birmingamit, trajtojnë tema historike, kulturore, të medias, çështje sociale dhe politike. Alpion në titullin e librit, jo pa qëllim ka zgjedhuar të përdorë emrat e dy personaliteteve, sa të ndryshëm, po aq të suksesshëm.
Atë të Aleksandrit të Madh dhe të shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Që të dy me origjinë nga Maqedonia dhe që të dy shqiptarë, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në Indinë e largët.
Kapitulli i parë i librit që i kushtohet Shqipërisë, nis me një intervistë imagjinare me Muhamed Ali, njeriu që udhëhoqi Egjiptin gjatë periudhës 1805-1848.
Dhe kjo vepër e Alpion do të promovohej në Parlamentin britanik. Përmes një ceremonie të thjeshtë miq, akademikë, studiues të çështjes shqiptare, u mblodhën për të dëgjuar disa fjalë nga vetë autori rreth veprës së tij më të re.
Veprimtaria ishte organizuar në sallën e quajtur "Jubile" nën kujdesin e deputetit John Grogan, përfaqësues i grupit gjithë partiak Britani-Shqipëri dhe zotit Alban Bytyçi nga "Klubi londinez i lëvizjes ‘Mjaft‘". "Ne në grupin gjithë partiak Britani-Shqipëri jemi të prirur të promovojnë çdo lloj aktiviteti që mban firmën e anëtarëve të komunitetit shqiptar në Angli. Ata po japin një kontribut në shoqërinë tonë, kështu është detyra jonë promovimi i punës së tyre" tha deputeti Grogan.
Sekretari i parë i Ambasadës Shqiptare në Londër, zoti Myzafer Alushi, u shpreh se tashmë është bërë traditë që vepra të autorëve shqiptarë të promovohen në këtë sallë të parlamentit britanik.
"Kjo tregon se intelektualët shqiptarë janë duke dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e imazhit pozitiv të vendit tonë këtu në Britaninë e Madhe", u shpreh ai.
Vetë Alpion, në fjalën përshëndetëse, tha që në fillim se ai e quante veten të nderuar dhe me fat, që vepra po promovohej në një vend kaq historik siç është ndërtesa e Parlamentit britanik. Më tej, në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, Alpion ka falënderuar qeverinë britanike për ndihmën e dhënë, jo vetëm akademikëve shqiptarë, por të gjithë njerëzve të thjeshtë për t‘u integruar në shoqërinë britanike.
"Çfarë Britania ka bërë për shqiptarët nuk mund të krahasohet me atë që kanë bërë vendet e tjera evropiane" ka theksuar Alpion.
Kjo vepër e akademikut shqiptar ka qenë një mundësi e mirë për Klubin Londinez të lëvizjes "Mjaft", për të përmbushur një pikë të programit të tyre që ka të bëjë me përmirësimin e imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Alban Bytyçi nga kjo lëvizje, bashkorganizatori i veprimtarisë do të shprehej se "ky libër i zotit Alpion, padyshim është një vepër e cila përmbush qëllimin tonë për promovimin e aspekteve pozitive të individëve brenda komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe."
Në një intervistë për "Shqip", Gëzim Alpion, autori i librit "Encounters with Civilizations from Alexander the Great to Mother Tereza" shprehet jashtëzakonisht i kënaqur që vepra e tij më e re të promovohet në tempullin e demokracisë botërore siç është Parlamenti britanik.
"Për mua, si autor, është një kënaqësi e madhe që një anëtar i Parlamentit britanik tregon interes. Unë nuk e shikoj si një interes për veprën time, por si një dashamirësi e një politikani britanik ndaj një kulture shqiptare". Sipas Alpion ai ka dashur që me anë të këtij libri t‘i sjellë lexuesit shumë aspekte të kontributit në civilizim që ka dhënë Shqipëria, duke hedhur poshtë shumë ide të gabuara se Shqipëria ka qenë një vend i humbur, i izoluar në Ballkan.
Nga Gazeta Shqip