Zakonisht quhen shkrimtarë disidentë ata autorë, të cilët u janë kundërvënë me vepra letrare ose me fjalime politikës së qeverive diktatoriale antipopullore dhe që kanë pësuar burgim prej këtyre qeverive, u është ndaluar botimi i veprave etj.
Ky autor shkroi në rininë e tij mjaft poezi e ndonjë roman si “Dasma” etj., me lavdërime ndaj regjimit komunist. Kjo shpjegohet nga fakti se ai vinte nga radhët e shtresave të ulëta të shoqërisë, të cilat në dekadat e para të regjimit komunist përfituan prej reformave të tij ndaj e përjetuan instalimin e këtij regjimi si fitore.
Gjatë pjekurisë së tij, e cila fillon me botimin e romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (1963), ai u shfaq në planin artistik si autor rebel. E quajmë shkrimtar rebel në planin artistik, sepse ai guxoi të thyente rregullat e ngurta të metodës së realizmit socialist. Pjekuria e tij ideore arriti më vonë me novelat “Urra me tri harqe”, “Pallati i Ëndrrave”, “Pashallëqet e Mëdha”, “Qorrfermani”, me romanin “Koncert në fund të dimrit” etj., ku ai u shpreh hapur kundër sistemit diktatorial. Mirëpo për këto e të tjera vepra, ku ai doli kundër dhunës, frikës e deformimit shpirtëror që i bëhej njeriut nga sistemi diktatorial, ky autor nuk u dënua me burgim nga partia shtet, nuk iu hoq e drejta e botimit, ndonëse iu vonua botimi i disa veprave. Këto fakte na shtyjnë të mos e quajmë atë autor disident, gjë që dhe ai vetë ka shpallur disa herë se nuk ka qenë shkrimtar disident.
Disidenca, si fenomen politiko-shoqëror dhe artistik në radhë të parë nënkupton mospajtim dhe kundërshtim të hapur ndaj politikës së regjimit në fuqi. Si pasojë e këtij qëndrimi vjen ndëshkimi politik: ndalimi i veprës dhe burgimi i autorit. Me të vërtetë një disidencë e tillë, për arsye që duhen studiuar gjerësisht, ka munguar në jetën dhe veprën e I. Kadaresë.
Në kushtet e diktaturës tepër të egër shqiptare, kur për disa fjalë kundër politikës së regjimit, jepeshin dënime kapitale ose shumë të rënda për personin dhe familjarët e tij, krijuesit u detyruan të ishin shumë të përmbajtur e të kujdesshëm. Në këtë rrugë, që duhet quajtur rruga e pajtimit me politikën zyrtare, ecën gati të gjithë krijuesit shqiptarë. Këtë fakt e ka pranuar me guxim qytetar vetë Kadareja te skica “Prometeu”, ribotim i vitit 1992 ku ai i shtoi kësaj skice nënkapitullin “Prometeu i Pajtuar”, të cilën atëherëë e quajtëm katarsa e Kadaresë (Gazeta Rilindja, Tiranë 1994, 25 maj, f.9 dhe “Illyria, N.Y. 2001, 17 Janar, faqe e mesit).
Natyrisht duhet të vëmë në dukje se mjaft krijues u përpoqën t’i largoheshin pajtimit të plotë me politikën shtypëse të regjimit komunist. Dhe në këtë aspekt, vepra e I. Kadaresë ka merita të mëdha, mbasi kjo vepër, më shumë se vepra e autorëve të tjerë, luftoi shumë aspekte të politikës çnjerëzore të partisë shtet.
Që më 1963, romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” theu kërkesat e ngurta të realizmit socialit, sipas të cilave në qendër të veprës letrare duhej të vihej heroi pozitiv dhe roli pararojë i komunistit. Në këtë vepër ishin heronj kryesorë dy të huaj, një gjeneral e një prift, ndërsa emrat parti, komunist e komisar etj., nuk përmenden fare.
Në veprat e Kadaresë gjeje më shumë se kudo kritikë e zbulim të të metave të njerëzve të pushtetit. Edhe pse temën e ndaluar, atë të pasqyrimit të jetës në gulaget dhe në birgjet shqiptare, ky autor nuk e trajtoi, duhet pranuar se në veprat e tij u është dhënë vend më shumë se në veprat e autorëve të tjerë, klasave të përmbysura, të cilat janë trajtuar pa përbuzje, dhe jo pa dinjitet.
Ishte I. Kadareja ai që e formuloi socializmin luftë midis të aftëve e të paaftëve, ku të aftët lodhen të parët (“Dimri i Vetmisë së Madhe”). Pra, tërthorazi ai e shpalli socializmin një sistem shoqëror pa të ardhme, mbasi nuk stimulonte të aftët.
Ai krijoi universin e tij letrar me temë nga koha e Perandorisë Osmane për të trajtuar problematikën aktuale të ndërkallur në të kaluarën historike të popullit shqiptar. Kështu ai, nga njëra anë sfidoi thirrjen e partisë për të pasqyruar në letërsi dhe arte realitetin socialist, nga ana tjetër i jepte tingëllim aktual shtypjes së personalitetit njerëzor që ishte kryer në shekujt e sundimit të rëndë osman.
Kush më shumë se ky autor luftoi kundër politikës zyrtare të kohës për krijimin e Njeriut të Ri. Kush luftoi aq seriozisht për të mos e tharë shpirtin e shqiptarit, për të mos e kthyer shqiptarin në një robot të bindur si ushtari Lejfen, të cilin ai guxoi ta quante çnjeriu (“Koncert në Fund të Dimrit”).
Në novelën “Nata me Hënë”, ai denoncoi ndërhyrjen e partisë në jetën personale të njeriut.
Ishin pikërisht të tilla sfida ndaj regjimit e politikës së partisë shtet, trajtuar me një nivel të lartë artistik, ato që i bënin veprat e I. Kadaresë të përpiheshin prej lexuesve të kohës. Ato vepra përpiheshin, mbasi aty lexuesit gjenin të trajtuara bukur shumë kundërshtime që nuk i gjenin në vepra të tjera, shumë reagime që nuk mund t’i kryenin dot ata vetë.
Me pak fjalë mund të themi se vepra më e mirë e I. Kadaresë e shkruar dhe botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër disidente në kuptimin klasik të fjalës, por ajo ishte një vepër me tipare disidente. Ajo nuk ishte një vepër antikomuniste, mbasi si e tillë nuk mund të botohej, por ajo e orientonte drejt lexuesin për të parë e vlerësuar si duhej shumë aspekte antinjerëzore të politikës së regjimit komunist. Për këtë shkak ajo lexohej me etje dhe luajti rolin e ushqyesit shpirtëror kryesor të masave të gjera të lexuesve, sidomos të rinisë, e cila i mësonte përmendësh mjaft pjesë të saj.
Për këto merita që ka vepra e këtij shkrimtari aq të talentuar, sulmet që i janë bërë dhe i bëhen duke e quajtur poet oborri, shërbëtor i regjimit komunist, njeri me karakter të dobët etj., nuk janë të drejta.
Kur vlerësojmë krijimtarinë se një shkrimtari duhet të marrim në konsideratë veprat e tij më të realizuara dhe jo veprat më të dobëta, kurse dobësitë e karakterit të tij nuk duhen pasur parasysh dhe nuk duhen përmendur.
Po të shohim me kujdes se kush e ka sulmuar Ismail Kadarenë dhe veprën e tij, mund të bëjmë një ndarje në disa grupe:
- Disa ish-sigurimsa e ish-komunistë, të cilët përfituan prej diktaturës e diktatorit poste e detyra të pamerituara. Këta duke mbetur nostalgjikë ndaj regjimit komunist, urrejnë çdo njeri që shau e shan atë sistem shoqëror, pra urrejnë edhe shkrimtarin që e kritikoi ashpër atë regjim, sidomos mbas evoluimit të tij të mëtejshëm mbas vitit 1992…
- Disa shqiptarë të pakët, të cilët, po tregohen më osmanë se vetë turqit dhe po përpiqen të ngjallin dashuri për sulltanët e Perandorinë Osmane, njerëz të cilët i shqetëson kritika që I. Kadareja i ka bërë politikës antinjerëzore e antishqiptare të kësaj perandorie…
- Disa shqiptarë të pakët që mendojnë se gjuha letrare shqipe me bazë toskërishten duhet mënjanuar e duhet zëvendësuar me një gjuhë te re letrare me bazë gegërishten. Duke qenë se I. Kadareja simbolizon shkrimtarin që i dha nivelet më të larta artistike asaj gjuhe letrare, ata nuk mund ta lenë pa e sulmuar ashpër për shkak të gjuhës së tij...
- Ndonjë shqiptar mysliman fanatik, që nuk ia fal I. Kadaresë thirrjen për t’u kthyer te feja e të parëve, te feja e krishterë…
Me pak fjalë mund të themi se ata pak shqiptarë që sulmojnë I. Kadarenë duke u kapur pas disa dobësive të veprës ose të karakterit të tij bëjnë pjesë në radhën e krijuesve mediokër e ziliqarë, ose janë të lidhur e paguhen prej qarqeve të huaja antishqiptare…