Përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes Vedat Kokona. Në nderim të tij në Bibliotekën Kombëtare është hapur një ekspozitë me 180 ekzemplarë, nga 205 të tillë që ruhen në arkiv. Familjarët në këtë ekspozitë kanë sjell dorëshkrimet e fundit dhe makinën e tij të shkrimit, të cilën Kokona e ka përdorur për rreth 30 vjet, dhuratë kjo e bërë nga Lidhja e Shkrimtarëve. Disa në punët që janë ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare janë përmbledhjet “Dritë dhe hije” (1939), “Shkëndija” (1940-1943). Aty gjendet dhe libri i tij i parë me përshtypje udhëtimi "Nga Tirana në Stokholm", që asokohe e ka përgëzuar dhe Ernest Koliqi duke i bërë reklamë në çdo numër të revistës “Shkëndija”.
Kokona është një nga përkthyesit më të njohur të vendit tonë. Qysh në moshë të re ai dha kontribut të ndjeshëm në lëmin e përkthimeve në poezi dhe në prozë. Ka përkthyer në shqip vepra të tilla si “Ana Karenina” e Leon Tolstoit, “Fundërrinat” e Maksim Gorkit, “Saga e Forsajtëve” e Xhon Gollsuarthit, “David Koperfild” të Dikensit, “Udha e Volokolamskut” e Aleksandër Bekut, “Stuhi në Gang” e Rabindranat Tagores etj. Por ai ka sjellë në shqip dhe rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Të gjitha këto ishin të ekspozuara në Bibliotekën Kombëtare. Por ashtu sikur dihet Vedat Kokona pjesën më të madhe të jetës ja kushtoi punës së rrezatimit të gjuhës frënge.
Ai ishte një nga leksikologët më të mirë të kësaj gjuhe. Prej tij dolën mjaft fjalorë shqipfrëngjisht dhe anasjelltas. Fjalorin e parë e botoi në vitin 1932. Fjalori i fundit është me 40-mijë fjalë. Ai është një ndër autorët më të rëndësishëm në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, e bija Mirvjen Qendro (Kokona) tregon për punën e të atit dhe ngre pyetjen se përse në programet shkollore nukjepen për literaturë veprat e tij. Ekspozita qëndron hapur deri më 10 shtator.
Zonja Qendro, çfarë domethënie ka për ju ekspozita e hapur në Bibliotekën Kombëtare në këtë 100-vjetor të lindjes së babit tuaj?
Është një moment shumë i veçantë sepse nëpërmjet kësaj ekspozite shikoj punën e një njeriu, të babait tim, që është një punë kolosale. Shikoj se sa racional, sistematik dhe sa punëtor i madh ka qenë ai. Duke filluar që në rini e deri në vitet e fundit të jetës. Fatkeqësisht vetëm punën e fundit kujtimet “Komedia e përjetshme” nuk arriti ta botoi. Jeni duke botuar në frëngjisht dorëshkrimin e fundit “Komedinë e përjetshme” përkthim që ai e ka lënë...Është një vepër që ai e ka përfunduar, por që ne e botuam në fillim në versionin në shqip dhe që me rastin e 100-vjetorit të lindjes do ta botojmë dhe në gjuhën frënge. Sepse Franca për të ka qenë si atdhe i dytë.
Çfarë kanë të veçantë këto kujtime në letërsinë e kohës?
Këto janë kujtimet e shkruara nga im atë në vitin 1996, mendoj se nëpërmjet kujtimeve të tij tregohet dhe historia e Shqipërisë. Një pjesë shumë e bukur e kësaj historie është dhe tek “Komedia e përjetshme” ato prezantohen me antologjinë, me ngjarjet biblike, në një libër interesant dhe filozofik.
Përse mendoni se veprat e tij janë hequr nga programet shkollore?
Për këtë nuk di çfarë të them, pasi duhet pyetur programuesit e teksteve të Ministrisë së Arsimit se përse i kanë hequr. Unë e kuptoj se në kohën e diktaturës, emri i Vedat Kokonës nuk figuronte as në listën e shkrimtarëve të viteve 30, as më vonë. Por në kohën e demokracisë nuk e di përse nuk e vendosin, nuk e di se çfarë arsyesh të tjera mund të ketë. Për shembull drama “Hijet e Natës” sipas kritikëve, jo sipas meje, është një ndër dramat më të mira psikologjike që ne kemi, por për të nuk flitet asgjë. Mund të ishte në program shkollor, të paktën nxënësit ta njohin si dramë qoftë dhe në lexim jashtë klase, por nuk e njohin fare. Por vetëm ata e dinë se përse nuk e vendosin.
Makina që është ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare është një nga sendet e babait tuaj. Çfarë ruani tjetër prej tij?
Kjo është makina e dytë, sepse makinën e parë e përdori sa e përdori dhe doli jashtë përdorimi. Këtë ja ka dhënë Lidhja e Shkrimtarëve dhe me të ka punuar mbi 30 vjet. Sot ruaj ende dhe tavolinën e tij të punës, ashtu sikurse e ka lënë ai, ruaj dorëshkrimet e fundit që ka pasur në makinën e shkrimit dhe të gjithë librat e tij.
Çfarë përjetoni kur hyni në dhomën ku është biblioteka e tij?
Emocionet i përjetoj çdo ditë, çdo moment që futem në dhomë. Sot ajo është dhoma ku rri vetë dhe shpesh herë në atë tavolinë ulem dhe punoj në kompjuter ose bëj korrigjimet e botimeve.
Po përsa i përket raportit që keni pasur me të si prind, si ka qenë?
Unë e kam thënë përherë se si prind ishte një njeri i mrekullueshëm, ishte një prind shumë i dashur, shumë i mirë dhe shumë i butë. Nuk di të më ketë bërtitur ndonjëherë, qoftë mua, qoftë motrës sime. Ai mundohej të na mësonte, nëpërmjet shembullit të tij ne fitonim shumë. si çdo fëmijë që mund të thotë se prindi është i përkryer, ashtu mund të them dhe unë për babain tim.
Disa kujtime të Kokonës
Vitin e fundit të liceut, 1935, Ministria e Arsimit shpalli një konkurs për t’u dhënë çmime hartimeve më të mira të maturave të të gjitha shkollave të mesme të Mbretërisë shqiptare. Në këtë konkurs fitova çmimin e dytë bashkë me shokun tim të klasës Kolë Papariston, hartimi i të cilit u botua në numrin 1 të Revistës “Lyceum” të Liceut të Korçës, ku thuhej se hartimi tjetër, po i këtij çmimi i Vedat Kokonës do të botohej në numrin 2 të Revistës, që nuk doli më, as edhe hartimi im. Ishte hera e dytë që merrja një çmim në letërsi, hera e dytë dhe e fundit! Çmimi ishte një aparat fotografik Kodak, që e ëndërroja dhe një botim i bukur poezish të Lamartinit, poetin që e doja po aq sa edhe Hygonë dhe poezinë e mrekullueshme (Le Lac të të cilit isha munduar të mos e gjymtoja shumë kur ta ktheja në gjuhën time. Kisha filluar të botoj përkthime dhe shkrime në Revistën e përjavshme “Illyria”, kryeredaktor i së cilës ishte Ernest Koliqi. Isha ende në vitin e fundit të liceut dhe numrin e revistës e prisja me padurim në fund të javës atje në Korçë dhe e lexoja me ëndje të madhe. Koliqin nuk e njihja personalisht; e njihja vetëm nga emri i tij që bëri bujë pas botimit të vëllimit me tregime aq të bukura të mbledhura tek “Hija e Maleve” si edhe me përkthimet e poetëve klasikë italianë që u botuan më vonë me titullin “Poetët e mëdhenj të Italisë”. E kam edhe sot para syve Ernestin, burrë i hijshëm, shtatlartë, fytyrëqeshur, me syze me rrathë të zinj, në takimin e parë që pata me të.
Në numrin e javës së kaluar të “Illyrisë” ishte botuar përkthimi im i poezisë aq të bukur “Njerëzit e varfër” i Viktor Hygoit. Rauf Ficua ministër dhe ambasador i Zogut, më përgëzoi dhe më tha se kishte qarë kur e kishte lexuar. I thashë se edhe unë kisha qarë duke e përkthyer. Mbeta shumë i kënaqur nga takimi dhe sidomos nga fjalët e mira që më tha për përkthimin. Si mos të gëzohesha nga mendimi që shfaqte ai, njeri me atë emër dhe njëmbedhjetë vjeç; më i madh se unë. Ishte gojëmbël dhe shkodranishtja kumbonte plot harmoni në gojën e tij. Me atë takt që e karakterizonte, me këshilloi që Aleksandrin francez ta ktheja në shqip me katërmbëdhjetërrokëshin dhe jo me dymbëdhjetërrokësh, këshillë e një njohësi të mirë të frëngjishtes dhe të shqipes, përveç italishtes që e qante, këshille që e ndoqa që atë ditë në dobi të madhe të përkthimit.