Është botimi më i plotë që mund të kemi për artin shqiptar për gjithë periudhat në vijimësi. Çfarë veprash përmblidhen në këto tre kapituj të veçantë?
Nëse flasim për pjesën e parë, ku është një historik i shkurtër i artit shqiptar: është rezultat i kërkimeve të mia shumëvjeçare me historinë e artit. Por periudha të veçanta ku unë nuk jam marrë plotësisht, jam mbështetur në kërkime e botime të kolegëve të mi, si për periudhën greko-romake ose ilire, atë bizantine. Jam munduar që në këtë libër të paraqes imazhe të reja, të dukurive që s'janë thënë më parë. Në periudhën e pas artit bizantin, arti katolik, apo tek arti islam, ku unë për herë të parë kam dhënë një kapitull të veçantë, megjithëse nuk kemi ndonjë pasuri të madhe nga kjo kohë, kjo përbën një larmi për vendin. Nga arti katolik kam një pikturë të Kol Idromenos, "Dy rrugët", një tablo, megjithëse është një nga veprat më të çmuara të tij. Prej njëzet vjetësh ajo ka qenë e mbyllur në një magazinë të Muzeut Historik të Shkodrës dhe është e panjohur. Unë jam munduar ta nxjerr në dritë si një nga veprat më me vlerë të kësaj periudhe. Po kështu edhe në kapituj të tjerë, unë herë pas here kam nxjerrë vepra që për herë të parë botohen dhe dalin në dritë nëpërmjet këtij studimi të plotë.
Çfarë nuk dimë ne shqiptarët për artin tonë, që na e tregojnë artistët e huaj me veprat e tyre në këtë studim?
Pjesa më e madhe e artistëve të huaj na kanë përjetësuar një pjesë të historisë shqiptare që artistët tanë nuk e kanë bërë. Është periudha e perandorisë otomane, kur artistët shqiptarë nuk mund të bënin piktura realiste, sepse dhe arti i pushtuesve ishte ndërtuar në bazë të motiveve floreale ose rabeckave dhe nuk kishte artistë. Këtë na e kanë pasqyruar artistët e huaj. Por kjo koincidon me periudhën e romantizmit në Francë e Angli dhe piktorët evropianë në udhëtimet e tyre drejt lindjes, që i quanin vende me shumë diell e dritë, ku kishte motive interesante udhëtuan edhe në Shqipëri. Kjo është periudhë e rëndësishme për ne, se këto artistë që kanë bërë shumë vepra për Shqipërinë, me këtë rast na kanë fiksuar këtë periudhë që ne thuajse e kemi të panjohur. Janë disa vepra të Edwart Lear dhe dy grafistë të tjerë që kanë pikturuar monumente të kulturës që nuk ekzistojnë më, siç është Ura e Pashallëkut në Shkodër në vitin 1848, apo kalanë në Gjirokastër dhe të vetmet dëshmi janë veprat e këtyre piktorëve të huaj.
Cilat tema janë trajtuar më tepër nga këta artistë të huaj dhe cilat janë më të hershme?
Veprat me temë shqiptare janë më të hershme para periudhës së kohës së Skënderbeut, janë më të rralla. Në shumë kështjella, muze, vila dhe koleksione private ndodhen imazhe të Skënderbeut, piktura, skulptura dhe kjo është një periudhë që iu tërhoqi vëmendjen të huajve për Shqipërinë. Por periudha më e ndritur në trajtimin e temës shqiptare është periudha e shekullit XIX dhe më saktë ka ndikuar shumë kujtimi i Bajronit në Shqipëri, kryesisht veshja e tij me kostum shqiptar i bëri të vëmendshëm piktorët që të pikasnin se në Shqipëri ka kostume shumë të bukura. Kuptohet që Bajroni ishte shumë i lexuar dhe përshkrimi që i bëri ai këtij vendi tërhoqi shumë artistë të huaj, që një pjesë erdhën pikturuan peizazhe direkt nga Shqipëria dhe një pjesë tjetër të nxitur nga Bajroni e trajtuan Shqipërinë me fantazinë e tyre. Madje dhe piktori i njohur francez, Euzhen de Lakrua, nuk ka qenë në Shqipëri, as në Greqi, por nxitur nga Bajroni ai e ka trajtuar temën shqiptare dhe figurat shqiptare shpesh nëpërmjet dy rrugësh: mbështetur nga piktorët e huaj që kanë qenë në Shqipëri dhe një pjesë i ka marrë nga një koleksionist francez, i cili ka ardhur në Shqipëri ka marrë objekte, kostume, armë dhe bëri një koleksion në Francë, dhe këto objekte i ka shfrytëzuar De Lakrua dhe piktorë të tjerë. Për herë të parë unë botoj një prezantim të Ali Pashë Tepelenës të bërë nga De Lakrua, që për mua është një ngjarje me rëndësi. Është një skicë e vizatuar nga dora e tij.
Po nga artistët shqiptarë çfarë nuk njohim ne?
Një nga veprat më të çmuara është e Kol Idromenos. Eshtë rasti që të theksoj se Vangjush Tushi, një piktor me vlera, që pas viteve '90 merr titullin "Piktori i Popullit" dhe në '67-ën është një nga piktorët që është dënuar në mënyrë absurde. Për shumë vite mbeti e heshtur krijimtaria e tij dhe unë kam mirësinë që është botuar një nga veprat e tij, që është në fondin e galerisë, por e paekspozuar. Vangjush Tushi është i pari që ka bërë një portret për Vangjush Mion, kanë qenë kolegë.
Ju si studiues, si do e cilësonit artin në Shqipëri në bazë të periudhave?
Arti shqiptar fillimisht është shumë më i vonuar nga bota, për arsye se ne ishim pushtuar nga perandoria otomane. Nëse kemi 1883 si vitin e parë të pikturës realiste me "Motra Tone" e Idromenos, ajo është periudha që studiuesit shqiptarë u futën nëpër akademitë e Evropës për të studiuar. Megjithatë edhe atëherë ishin të vonuar në kohë, kur në Evropë kishin kapërcyer impresionizmi apo rrymat e tjera. Bën përjashtim Ibrahim Kodra, i cili qëndroi në Itali dhe duke qenë në kontakt me Pikason dhe piktorë të tjerë modernistë hyri në rrjedhat e artit bashkëkohor. Por janë dhe disa artistë të tjerë të diasporës, që unë i kam në një kapitull të veçantë. Piktorët që u kthyen këtu nuk e futën Shqipërinë në rrjedhat e Evropës, nuk sollën avangardën e perëndimit, por kanë meritën se erdhën dhe zhvilluan artin shqiptar. Më pas vjen periudha e realizmit socialist, që unë e quaj një periudhë që mbetet jashtë rrjedhës së artit botëror, mbetëm më të skematizuar, se na ishin mbyllur të gjitha portat. Ndërsa arti i vitit '90, ndoshta në fillim kemi pasur një luhatje në drejtime të paorientuara, por në vitet e fundit, për herë të parë në historinë e artit shqiptar ne jemi në një kohë me rrymat artistike të artit botëror. Kam futur autorë, si Anri Sala dhe piktorë të tjerë që jetojnë në Shqipëri si Edi Hila, Ali Oseku, Gazmend Leka, Alush Shima janë me stilin e tyre në bashkëkohësinë me vendet e tjera të zhvilluara perëndimore.
Por cila nga periudhat e artit tonë mendoni se ne nuk e njohim ashtu siç duhet dhe duhet ta mësojmë nëpërmjet këtij botimi?
Më shumë se periudhë e veçantë, përpjekja ime në këtë libër është që të njohim vijimësinë e këtij arti nga gjurmët e hershme deri të sotme. Por kam përshtypjen që çdo periudhë ka pjesën e saj të panjohur, ndoshta dhe realizmi socialist nuk është studiuar në mënyrë të saktë, secila fazë e zhvillimit ka mangësitë, skemat dhe arritjet.
Nuk është e thjeshtë për të ilustruar çdo lloj periudhe.
Ku jeni bazuar, në çfarë arkivash?
Një ndër arsyet që botime të tilla janë të vështira të ndërmerren është ky aspekt, sepse të gjesh, të rendisësh, klasifikosh është pika më e vështirë. Imazhet shqiptare ndodhen në vende të ndryshme. Veprat me temë shqiptare të artistëve të huaj, që ndodhen në muze dhe koleksioneve më të njohura në botë, jam munduar t'i gjej me korrespodencë. Por një pjesë të madhe kam gjetur me hulumtimet e mia, kryesisht në Britani, ku është një arkiv unikal në botë, që ka imazhe nëpër dosje të veçanta të artistëve nga gjithë bota dhe aty kam bërë kërkimet e mia. Një pjesë të kërkimeve e kam bërë në muzeun e Luvrit, ku është një arkiv i pasur i departamentit të vizatimeve, ka imazhe të paeskpozuara dhe ndodhet një koleksion i madh me temë shqiptare. Por vështirësinë e kam pasur edhe për pjesën shqiptare që nga burimet më të hershme, gjurmimet ilire, apo periudha greko-romake, sepse janë shumë të shpërndarë në muzetë tona, dhe se mungon një arkiv i pasur ose i plotë me fotografi. Kjo ka qenë pjesa më e vështirë, më është dashur të shkoj në muze të ndryshëm, a në muzeun arkeologjik, por në Butrin, Durrës, Kisha e Shkodrës, koleksione private në Shkodër, Korçë...
Ky botim kërkon një kosto shumë të madhe për t'u botuar?
Është një kosto shumë e madhe dhe shpesh e kuptoj pse nuk është bërë një botim i tillë. Duhet të ndërmerret nga institucione të rëndësishme në Shqipëri, siç është Qendra e Studimit të Artit, Ministria e Kulturës apo Galeria e Arteve. Dhe me këtë rast unë kam dëshirë të falënderoj Donika Bardhën, e cila më ka dhënë mbështetje që në fillim me fondacionin e saj "Albanian Art Foundation", që mori përsipër ta botojë dhe mbështesë këtë vepër, duke ditur se kërkonte një kosto të lartë.
1. Studiuesi dhe autori i veprës, Ferid Hudhri
2. Një nga tablotë e panjohura të piktorit të njohur Kol Idromeno e titulluar "Rrugët e jetës". Piktura është nxjerrë nga magazina e Muzeut Historik të Shkodrës. Punuar me vaj në kanavacë.
3. Kjo është një nga veprat e piktorit francez Alexandre Marie Colin realizuar në vitin 1833. Piktori ka pasqyruar Bajronin, veshur me kostum popullor shqiptar, si Don Zhuani së bashku me vajzën e Ali Pashë Tepelenës, Hajidenë. Piktura është punuar me vaj në kanavacë dhe ka përmasa 46.5 X 55.5 cm.
4. Kjo është një nga skicat e ralla të piktorit të famshëm francez Eugene de Lakrua, mbi të cilën më pas do të realizonte edhe pikturën. De Lakrua këtë vepër e ka realizuar në vitin 1820, në të cilën ndodhet Ali Pashë Tepelena dhe njerëzit e tij. Vepra është pjesë e koleksionit të punëve të artistëve të huaj me tema shqiptare në Muzeun e Luvrit në Paris.
5. Një grua korçare. Vepër e panjohur e piktorit Vangjush Tushi, punuar me vaj në kanavacë. Nxjerrë nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve.
6. Tre shqiptarë të veshur me kostume popullore kombëtare të realizuar nga piktori Eugen de Lakrua. Vepra ka formatin 229X 305 cm. Eshtë pjesë e koleksionit të Galerisë së Jean-Luc Baroni në Londër.
7. Kopertina e librit të studiuesit shqiptar, Ferid Hudhri
8. Një nga veprat e artistit londinez, Caton Wodville, realizuar në vitin 1892 për shqiptarët
9. Kjo është një nga pamjet e kalasë së Gjirokastrës realizuar në vitin 1848 nga Edward Lear. Si ka qenë dikur kalaja e Argjirosë, e cila sot nuk ekziston e plotë.
Anila Mema : Gazeta Panorama