Vera e fundit e humanistit Dhimiter Xhuvanit

Vera e fundit e humanistit Dhimitër Xhuvanit

Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga qyteti, kur ushtria gjermane vjen në Pogradec dhe ikën muhaxhir në Mokër, ku qëndron deri në çlirimin e vendit, dhe kthehet në Elbasan.

Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Shkëputet nga mjekësia dhe vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe më pas studion në Institutin "Gorki" të Moskës. Krahas punës së shkrimtarit, ushtroi edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit, saldatorit.

Ajo që do të shkruante më vonë kishte dy motive: dhimbje dhe indinjatë.  Autor i më shumë se 40 veprave: romane, drama, skenarë filmash, përmbledhje me tregime, novela dhe përralla për fëmijë.Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laureat i "Çmimit të Republikës", proza e tij është përkthyer në disa gjuhë si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, në gjuhën kineze dhe japoneze.

Nuk do ta rimerrnim këtë prezantim rutinë për jetën dhe çfarë shkroi Xhuvani, nëse ai nuk do të ishte mes nesh. Nga dje ai nuk është më. Dhe kjo është një intervistë e lënë përgjysmë nga biseda e gjatë që patëm bashkë verës që shkoi. Vera e fundit e Dhimitër Xhuvanit në vendlindje, vera e fundit për fare. Si ishte vera e fundit? Mendoni një mëngjes herët. Nga një vilë trekatëshe fare pranë bregut të liqenit del një çift të moshuarish, të kapur pas dore.

Është shkrimtari Dhimitër Xhuvani dhe bashkëshortja e tij, Fatmira. Dalin qetësisht dhe çapiten ngadaltë. Me vështrim të qetë dhe pamje serioze, ai përshëndet kalimtarët, prej të cilëve ka shumë të njohur.Veshja sportive e tregon Dhimitrin më të ri dhe më dinamik. Më pas qëndron në kafenenë që preferon. Tret vështrimin përtej qelqeve të dritares së kafenesë, ngatërruar me fjollën e tymit të cigares së tij, që i jep një tis të ëndërrt rrëfimit të tij, që e detyron atë të baresë në një kohë tjetër.

Ishte fillimi i tij si prozator që jo vetëm daton larg prej këtej, por afron të sotmen me kujtime të përziera: emocione të herës së parë, pëshpërima lexuesish të magjepsur, përgëzime kolegësh, po dhe zemërimi që u zbraz ndaj tij pas romanit "Tuneli" që i hapi jo pak telashe.Dhimitri nuk ka dëshirë ta zgjatë bisedën për këtë temë. Diktatura kishte kornizat e saj dhe duhej që të qëndroje brenda këtyre kornizave, por kuptohet të dilje nga këto korniza do të thotë që të prisje pasojat. Për pjesën tjetër të pyetjeve ai iu përgjigj pa ngurrim.

Zoti Xhuvani pse kjo lidhje kaq e ngushtë me Pogradecin?

Unë në Pogradec kam lindur, kam kryer shkollën fillore dhe jam larguar në moshën 10 vjeç në kohën e Luftës së Dytë Botërore, për t`u rikthyer më pas çdo verë nga tre muaj. Pogradecarët janë njerëz të dashur dhe mikpritës, sidomos kur të japin çelësin e shtëpisë me qira ku pushon dhe të duket sikur e ke shtëpinë tënde.

Çdo verë këtu. A ka ndikuar kjo gjë në krijimtari?

Shumë, pothuajse të gjitha veprat e mia janë shkruar në Pogradec në këtë qytet me një sharm krejt të veçantë, ku ka buruar muza ime e krijimtarisë. Unë po ju rreshtoj disa nga veprat që janë shkruar këtu: romani "Përsëri në këmbë", skenari i filmit "Mëngjese lufte" me regji të Kristaq Dhamos "E diela pas vdekjes", "Jeta në arkivol", "I mbijetuari i Otrantos", "Kupa e Helmit", "Letra e Sonjës", "Dashuri e harruar" apo skenarët e filmave "I dashur armik", "Një ditë nga një jetë", "Lindje-Perëndim-Lindje" që është duke u xhiruar me regji të djalit tim Gjergj Xhuvanit e shumë tregime dhe novela.

Po fabula a janë marrë nga ky qytet dhe krahinat përreth?

Patjetër, Pogradeci është një zonë me një kulturë të veçantë vetëm një javë pas hapjes së Mësonjtores së parë të shkollës në Korçë, është hapur shkolla e parë në Pogradec. Ja p.sh, ju e keni parë filmin "Një ditë nga një jetë".Unë ia kam kushtuar një infermieri pogradecar, Laqo Bushos, një hero i vërtetë, nuk ka lënë derë pogradecare pa i bërë injeksione dhe mjekuar plagë, njeri që rrezaton mirësi dhe dashuri tek njerëzit. Laqua është mishërimi i njeriut të mirë.Ai duhet të ishte patjetër "Qytetar Nderi" për Pogradecin, por ky njeri që është shkrirë tërë jetën dhe nuk merrte asnjë grosh përveç rrogës simbolike, ndonëse nuk ia ka dhënë këtë titull Këshilli Bashkiak i Pogradecit titullin ia ka dhënë populli pogradecar që e respekton dhe ky titull është më i vlefshëm se ata që të japin pushtetarët.Laqua sot jeton në varfëri me një pension modest...Apo skenari i filmit "Mëngjese Lufte" ku është tërë fëmijëria ime në qytetin e Pogradecit gjatë luftës të vështruar nga sytë e një fëmije të vogël.

Ka skenar tjetër që është ndërtuar nga kujtimet si ky që përmendët?

Në familjen tonë shpesh bisedat rreth temave të kinemasë kthehen në një debat artistik, nga i cili unë padyshim marr edhe mendimin dhe sugjerimet e Gjergjit dhe të nuses së djalit, aktores Liza Xhuvani.Po ju them që merr pjesë në këto debate edhe gruaja ime Fatmira. Kështu filmi "I dashur armik" ka lindur nga një rrëfim i saj mbi një ngjarje të kohës së luftës që kishte ndodhur në familjen e saj.Gruaja ime rrjedh nga familja elbasanase Belegu, një familje e nderuar që e mbante derën hapur për miqtë dhe njerëzit që kërkonin ndihmë. Vëllezërit e nuses kanë studiuar në Vjenë, madje dhe njërën nuse e kanë austriake (Pola).Në shtëpinë e tyre vinte edhe Baba Faja Martaneshi, vinte strehohej edhe ndonjë partizan i plagosur që kërkonte ndihmë, po edhe ndonjë ballist i plagosur, një ushtar italian që kishte dezertuar, fshihej një hebre, vinte si mik një gjerman...Pra në këtë familje nuk qe primare politika por njerzillëku. Kjo histori e rrëfyer nga gruaja ime Fatmira na ngacmoi me Gjergjin dhe unë shkrova skenarin "I dashur armik".

Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në Pogradec?

Në Pogradec më pëlqejnë njerëzit, janë miqësorë dhe kanë një të folur të figurshme, prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre si të rritur. Nuk më pëlqen kaosi urbanistik, ndërtesat shumëkatëshe që kanë bllokuar bregun e liqenit. Kanë ardhur në vitet e tranzicionit shumë më tepër banorë sa mund të mbajë qyteti realisht. Ka shumë papunësi dhe varfëri, kjo më trishton. Ashtu siç më vjen mirë që qyteti ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë dhe ka mbaruar pjesa kryesore e kolektorit të ujërave të zeza dhe ato nuk derdhen më në liqen. Gjithsesi Pogradecin e dua me të mirat dhe të këqijat e tij.

Çfarë po shkruan këtë vit Dhimitër Xhuvani në Pogradec?

Sapo ka dalë në treg "Dashuri e harruar", ndërkohë që jam duke shkruar një roman të ri të titulluar "Përdhunuesit".

Ju keni kaluar një kalvar vuajtjesh nën diktaturë, tregoni diçka më konkrete për lexuesin?

Është një temë shumë e gjerë dhe ka shumë episode dhe peripeci. Lëre të hapur këtë intervistë për ta vazhduar beharin tjetër kur të vij në Pogradec...

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama