Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit për nëntëmujorin qenë 884 milionë euro, me rënie 8 për qind në krahasim me vitin e kaluar ndërkohë që shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit u rritën në 864 milionë euro ose 10 për qind më shumë se sa një vit më parë. Shqiptarët kanë shpenzuar më shumë para këtë vit jashtë vendit, veçanërisht për shkak të heqjes së regjimit të vizave me zonën “Shengen”, gjë që i dha mundësi popullatës të vizitonte familjarët e tyre jashtë vendit.
Ndërkohë, kureshtja i shtyu shumë shqiptarë të bëjnë pushimet e verës në Greqi apo vende të tjera. Nga ana tjetër, rënia e të ardhurave nga turistët e huaj duket se lidhet ngushtë me situatën e përgjithshme ekonomike në Eurozonë. Shumica e turistëve “të huaj” të regjistruar në Shqipëri janë në fakt nga Kosova dhe Maqedonia. Shumica dërrmuese e parave të shpenzuara në Shqipëri janë remitancat që emigrantët nga trojet shqiptare i dërgojnë familjeve të veta.
Kriza duket se ka ulur fitimet e emigrantëve, të cilët kanë reduktuar transfertat për familjet e tyre në Kosovë e Maqedoni dhe rrjedhimisht këto të fundit kanë pasur më pak para për të shpenzuar për pushime në Shqipëri. Edhe pse turizimi është artikuluar dhe vazhdon të atikulohet nga qeveria si prioriteti i prioriteteve, për vitin 2012 buxheti i këtij sektori jetik për ekonominë e vendit është reduktuar me 650 milionë lekë.