Ngatërresa është ende e dukshme dhe nëpër këmbë. Fryma e importuar prej së largëti nga kohërat, se ajo që vlen të mbrohet e të restaurohet duhet të jetë domosdoshmërisht autoktone-origjinale, vjen e ndërthuret me figurën e vetëkonceptuar të restauratorit shqiptar, si fillimisht arkeolog e më pas njohës i vetëm arkitekturës kombëtare shqiptare.
Në mos vetëm i banesës autoktone shqiptare dhe i tipologjisë së vetme të kishës apo xhamisë cilësuar "monumente kulture" e që për fat i shpëtuan kazmës shkatërrimtare të viteve '60. I induktuar në frymën shqiptare apo në suazat e arkitekturës shqiptare si një haraç paguar "historisë" por aspak arkitekturës, edhe sot e kësaj dite konfuzioni është sheshit dhe gëlon posaçërisht në gji të profesionistëve.
Sa ç'është i lartë edhe konfuzioni mbi termin "monument" dhe "mbrojtje e monumentit" që vetvetiu përjashton termin mbrojtje e "arkitekturës".
Si kurrë ndonjëherë, vëmendja e arkitektëve shqiptarë është drejtuar kundrejt së ardhmes dhe kjo padyshim është edhe një nga arsyet më kryesore të kësaj verbërie.
Egoja e theksuar intelektuale për "risi formale" është zhvilluar edhe për vetë faktin se çdo gjë e krijuar më parë ose më saktë, e asaj pjese të fondit shqiptar që nuk është posaçërisht "beratase" apo "gjirokastrite" konsiderohet si e "hapur për diskutim" ose e thënë ndryshe, që mund t'i vihet dorë.
Kjo shpjegon dhe faktin sesa ethe për ndryshim e transformim ngjallin haptazi konkurse kombëtare apo ndërkombëtare dedikuar shkurt dhe drejtpërdrejt pothuajse gjithçka, asaj arkitekture që na ofron me bollëk sofra e qendrës së kryeqytetit tiranas.
Problemi nuk qëndron tek riaktualizimi apo përshëndoshja me funksione të reja që janë kërkesë legjitime e kohës, e kësisoj të pashmangshme, por tek fakti që së paku shpërfillet hipoteza apo mundësia për marrjen në konsideratë e restaurimit si ndërhyrje me po të njëjtat atribute sa ç'është edhe ajo e arkitekturës konceptuar mirëfilltazi.
Në rrezikshmëri të lartë përkundrejt injorancës, janë objekte pafund
Shumica e tyre janë lënë jashtë vullnetit restaurator apo mbrojtës, jo vetëm për indiferencë falas, por edhe për një përçmim të hapur kundrejt së ashtuquajturës arkitekturë të "okupatorit" të çfarëdolloj flamuri qoftë, e sidomos kjo e realizuar pas pavarësisë e këtej. Madje në këtë pikë, meken edhe tekstet shkollore, "maketet" e arkitekturës, disertacionet etj. Meken edhe kundrejt asaj arkitekture të realizuar nga vetë ne, gjatë viteve të mëvona.
Dëshira për një klasifikim të saj, analizë, apo edhe vetëm thjesht njohje, i lë arkitektët e rinj e të vjetër nën mëshirën e autodidaktit profesional e gjysmak në formim, duke mos patur mundësinë konkrete e reale të eksplorimit të teorisë së arkitekturës e duke ia dedikuar veten, shpeshherë verbazi, vetëm praktikimit të saj. Është njësoj sikur të jenë duart pa mendjen...
Sidomos objektet italiane. Duke patur parasysh faktin që një rilindje e dytë e vendit filloi pikërisht me formulimin e atij që u quajt "Shteti i parë shqiptar" gjë që koincidoi edhe me ndërhyrjen italiane në shumë skaje të jetës. Për këtë arkitekturë, sidomos atë "të ultën", tërthorazi nuk është treguar ndonjëherë vëmendje, pavarësisht se në trupin e qyteteve tona më të qytetëruara e padyshim të Tiranës vetë si metropol, ajo vazhdon ende të konsistojë në shkallë të lartë vetë indin bazë të qytetit.
Por edhe më i rëndë paraqitet kazusi i qendrës dhe i shtyllës kurrizore tiranase. Pra, bëhet fjalë për Bulevardin Dëshmorët e Kombit, që ndryshe shërben edhe si korridor shpërndarës i gjithë objekteve kryesore politiko-administrative dhe shpirtërore që i anashngjiten atij.
Nën sytë e lodhur të qytetarëve të shumtë të cilët janë të detyruar për nga vetë mënyra sesi është organizuar qyteti, jo vetëm të bëjnë shpeshherë "homazh" përgjatë objektesh kryesore si Kryeministria, Parlamenti, Presidenca, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës (ish-Piramida), Kompleksi Ministror, Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kulturës, Banka Kombëtare Tregtare, ish-Pallati i Kongreseve, etj..
Pra, përgjatë pothuajse të gjitha emblemave të "panteonit" tiranas, por edhe të përdorin rrugëtimin ndanë tyre, duke kryer paralelisht pothuajse të gjitha ritualet e rëndomta apo jo të jetës së përditshme, përkundrejt gjithë plejadës (ato që kemi) simbolike e shpirtërore të kombit.
Porse, çka ai shikon, nuk është veçse një parodi e lënies në dorë të fatit. Një listë e gjatë e tyre popullon hit paradën e turpshme të objekteve që këlthasin për mbikëqyrje. Shumë prej tyre prej kohësh po i nënshtrohen një lloj make up-i zhubravitës, e për të mos thënë më keq, ndërhyrjesh kirurgjikale që shpesh i ngjajnë autopsive.
Lista fillon kobshëm. Ish- Piramida, Pallati i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar, ish-Hotel Dajti, kompleksi Nënë Tereza, ish-Pallati i Kongreseve, etj..
Shumë projekte që propozohen për rikonstruksion të tyre kanë gabime trashanike që në gjenezë. E përpos gjithë kësaj, janë riprojektuar me një mbivendosje funksionesh të rënduara artificialisht dhe të pakuptimta, që do i shndërrojnë ato përfundimisht në mumje të sfiguruara rëndë.
Në materializim të zbaticës mendore e ideore që sjell ujë pikërisht aty ku nuk duhet, jo aq të pakta janë edhe gafat kuptimore ose të identifikimit të "shpirtit të vendit", të të ashtuquajturit "genius loci", për përdorim imediat dhe bombastik.
Këtë e vërtetojnë më së miri iniciativat e ndërmarra së fundmi, për shndërrim dhe shumë përdorim edhe të atij sheshi të ngarkuar për nder të shenjtores, të quhet "Nënë Tereza". Mirëfilltazi ky shesh lind në 1939 (sipas Planit për Rrugën e Perandorisë) si shesh urban dedikuar rinisë, dhe mbart firmat e ark.
herardio Bossio-s dhe të inxhinierit Ferdinando Poggi. Sforcoja e deklaruar bujshëm për shndërrim të këtij sheshi në një "ikonostas" absurd e grotesk të kombit, i ka këmbët në çka u përpoq të ndriçohej më lart.
Për ta sjellë pak më afër se çfarë propozohet realisht, është i detyrueshëm një ekskurs sado i shpejtë historik.
Në suazat e formulimit të Tiranës "fashiste" si dy pjesë të veçanta por të lidhura nga një zemër e gjallë pulsuese, Tirana e Vjetër dhe Tirana e Re do të funksiononin të lidhura bashkë si nëpërmjet një kordoni ombelikal gjatë gjithë gjatësisë së bulevardit kryesor për të rrahur fort në dy qendra.
E para zemër për Tiranën e vjetër, fokusohej në Sheshin Skënderbej, ndërsa e dyta zemër për Tiranën e re, fokusohej në një kompleks të mirëfilltë politik, arsimor e sportiv.
Sheshi i ri, shesh dedikuar pra rinisë ose ardhmërisë së kombit, ishte idealist përkundrejt atij materialist të qendrës, e po ashtu, si rrallë ndonjëherë në historinë e ndërtimtarisë shqiptare, është pothuajse i vetmi shesh i konceptuar e projektuar (dizenjuar) integralisht. Një vizatim i qartë planor e urban me një përkufizim të qartë arkitekturor objektesh që e konturojnë.
Simbioza dhe dualizmi është i pastër. Janë objektet (arkitektura) që konfigurojnë sheshin, po aq sa ç'është forma e sheshit që i bën objektet të jetojnë. Metafizikës hapësinore të rregullt e të mirekuilibruar (raporti boshllëk-ndërtim) i bashkëngjiten vijat puriste me reminishenca neoklasike të arkitekturës më të lartë të realizuar ndoshta ndonjëherë në Shqipëri. (Ndjesë, egos bashkëkohore për arkitekturë por e vërteta duhet njohur dhe pranuar.)
Korpuset e lidhura pranë janë të gjitha pjesë të të njëjtit puzzle, dhe ashtu tok, ato ruajtën fizionominë e tyre "rinore" edhe në vitet e errëta të komunizmit, madje, duke shërbyer edhe si sfond inspirues e domethënës toponimik edhe për krijime të tjera mbresëlënëse të kinematografisë shqiptare, të gjitha të dedikuara rinisë. Kujtoj këtu filmin e shkëlqyer "Në çdo stinë", i xhiruar në këto ambiente (skena e patinave, që ajme sot është e pamundur të përjetohet falë çadrës megalomane aty përbri).
Vlera e tij lidhet pra pazgjidhshëm me unitetin arkitektonik-formal që ky shesh ofron, e rrjedhimisht çdo ndërhyrje në të, thërret për profesionalizëm të lartë dhe kalibrim të pashoq energjish, e sidomos për njohje të thellë e dritë largpamëse vijueshmërie.
Ndërsa përpjekja për të kondensuar aty edhe vlera të tjera, që do të meritonin një vend të tyrin apostafat, me të gjitha nderet e hijeshinë që ato kërkojnë, shpreh edhe njëherë qartë "prakticitetin" absurd për të ndryrë në të njëjtin vend vlera e simbole që zor se do të qëndronin bashkë në një situatë normale.
Po sot e gjithë ditën, përpos problemit dramatik të vorbullës së trafikut, panaireve stinore të karakterit "Luna Park", kioskëzimit absurd e nevrastenik peshqesh i këtij 20 vjeçari të fundit, degradimit të pashmangshëm nga lënia pas dore, marrjes së vendimit në formë diktati, si surrogat të ligjeve për bashkëpunim reciprok e për autonomi vendore, i shtohet edhe absurdi që aty ku kemi të realizuara, ende, vlerat më të larta arkitektonike të kombit, për mungesë parash, të realizojmë improvizime amatore, të paqëllimshme në vetvete por të dëmshme e për dy lekë.
Në pritje të një konkursi ndërkombëtar e kombëtar gjithëpërfshirës, që do të përcaktojë një herë e mirë (të shpresojmë) fatet dhe ardhmërinë e këtij sheshi, kostoja e kësaj ndërhyrjeje do të rëndonte gjithçka e pafund.
Sa për kujtesë, në atë çka realisht do të ndodhë në këtë kuadro surrealiste, imagjinoni, përmendorja dhe muzeu i Nënë Terezës rrethuar dhe impostuar bri për bri, me arkitekturë De Kirikjane (De Chirico - piktor italian metafizik) prej marshi fashist!!!
Por çka është në ardhmëri dhe nuk ka ndodhur, e për rrjedhojë me ende shpresë për t'u menduar.
Por ka edhe më keq.
Tirana prej muajsh përjeton nën sytë e saj të lëbyrur, realizimin e një ngrehine të çuditshme e që për nga forma i ngjan një agjinareje gjigante mu në zemër të Sheshit Italia. Objekti shpërfill çdo gjë si të ishte veçse një përmendore e egos së vet. Shpërfill së pari arkitekturën me të cilën rrethohet, si të thoshte rëndom e me një dialekt brutal "hapma pak krahun se këtu zot jam unë..."
E së dyti, e vendosur aty në kundërshtim flagrant, shpërfill haptazi çdo plan urbanistik të miratuar dhe ende në fuqi.
Është e dhimbshme dhe e pafalshme edhe një herë sesi arkitektët vetë i lejojnë vetes realizime të këtij lloji që cenojnë hapur çdo normë të etikës dhe të deontologjisë profesionale.
Duke nisur me shembujt që u dhanë më lart, e për të ardhur deri tek ndërtimi që mbin çuditshëm si egjër në mes të fushës me grurë, shuplakës së përflakur drejtpërsëdrejti të mungesës së autoriteteve, të ligjit që duhet të mbizotërojë aty ku konsiderohet se ka shtet, i mbivendoset krenaria e shkelur me këmbë e gati e përdhunuar, e koshiencës intelektuale e profesionale arkitektonike-urbane shqiptare e mbarëkombëtare.
Ky objekt në zymti, shëmti e fodullëk është tregues i drejtpërdrejte i asaj që dhimbshëm vazhdon të jetë perverse në këtë vend. Ose më saktë, është një parafrazim real e i gjendur i shprehjes së urtë popullore:
Gjej shesh e bëj përshesh.
Albana Tollkuçi : Gazeta Shekulli