Qeveria “Rama” ka kthyer në nisma konkrete vetëm shtatë nga 17 premtimet të theksuara se do të përmbushte gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së saj. Këtë konkluzion e nxori dje lëvizja “Mjaft”, përmes një raporti të paraqitur me këtë rast. Kjo lëvizje ka nisur procesin e matjes së premtimeve të qeverisë përmes atij që e quajti “vërtetmatësi”, një metodë që ballafaqon deklaratat elektorale me ato që janë realizuar në mënyrë konkrete gjatë tre muajve të parë të qeverisjes. Në raportin e “Mjaft”, theksohet se gjetjet e tij janë bazuar mbi pjesën e premtimeve paraelektorale dhe që gjenden të shkruara, në audio apo video në median shqiptare, duke përfshirë dhe ato të Partisë Socialiste. Sipas raportit, nga 17 premtimet e bëra për t’u realizuar gjatë tre muajve të parë, shtatë rezultojnë të realizuara në përputhje me premtimin, dy premtime vlerësohen si të realizuara pjesshëm, një konsiderohet i pamatshëm dhe shtatë premtime konsiderohen të parealizuara. Është interesant fakti se premtimi i bërë nga PS-ja për sa i përket përgjysmimit të tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, rezulton i pakuptimtë dhe i pamatshëm, sipas “Mjaft”. Kjo, për shkak të faktit se, sipas “Mjaft”, biznesi i vogël nuk ka paguar më parë tatim mbi fitimin, qeveria nuk mundet që ta përgjysmojë këtë tatim.
Premtimet e mbajtura
Në raportin e parë të “Mjaft” për sa i përket matjes së performancës se qeverisë, theksohet se janë shtatë premtime të cilat ajo i ka mbajtur dhe për pasojë përmbushur në mënyrë të plotë. Lista e këtyre premtimeve nis nga shfuqizimi i ligjit për importin e plehrave që ka qenë dhe vendimi i parë që kabineti Rama mori me hyrjen në godinën e Këshillit të Ministrave në muajin shtator të vitit të shkuar. Në këtë mënyrë, qeveria “Rama” i kurseu vendit dhe një referendum të përcaktuar për të kryer në lidhje me këtë çështje. Po kështu, si premtime të tjera të mbajtura janë dhe ato për përfitimin e një rroge më shumë nga ana e mësuesve nga skema e re e tatimit mbi të ardhurat. Ashtu siç ishte premtuar, ka nisur procesi i verifikimit të koncesioneve dhe privatizimeve të bëra nga qeveria “Berisha” dhe me auditimin e financave të vendit u mor një firmë financiare ndërkombëtare. Po kështu, qeveria “Rama” ia ka dalë të heq dhe taksën me 10 për qind të ilaçeve dhe të verifikojë ndërtimet pa leje në të gjithë vendin. Aksioni “Fund marrëzisë” kundër lojërave të palicencuara të fatit konsiderohet një premtim i mbajtur.
Premtimet e pambajtura
Si premtime të pambajtura, “Mjaft” cilëson vendosjen nën kontrollin e Parlamentit të Institutit të Statistikave (INSTAT), i cili vijon të jetë një institucion në varësi të Kryeministrit. Po kështu, kjo lëvizje thekson se ende qeveria nuk ka bërë heqjen e taksës për biznesin e vogël dhe as ka ulur me 6 për qind taksën e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Anulimi i shumëpremtuar i koncesionit të Portit të Durrësit dhe ndihma për personat me aftësi të kufizuara konsiderohen si premtime të pambajtura. Në raport theksohet se qeveria “Rama” nuk ka miratuar asnjë paketë që do t’u sillte fermerëve kosto më të ulëta të prodhimit dhe, nga ana tjetër, nuk ka diskutuar me biznesin për sa i përket rritjes së taksës me 10 për qind mbi sipërmarrjen.
Premtimet e mbajtura
Ndalimi i importit të plehrave
Çdo mësuese do të fitojë një rrogë më shumë nga skema e re e tatimit mbi të ardhurat
Do të fillojmë procesin e transparencës për koncesionet dhe privatizimet.
Heqja e taksës 10% për ilaçet
Auditim ndërkombëtar i financave të vendit
Mbyllja e të gjitha aktiviteteve të paligjshme në fushën e lojërave të fatit
Verifikimi i objekteve pa leje ndërtimi dhe nisja e procesit për prishjen e tyre
Premtimet e pambajtura
Vendosja nën kontrollin e Parlamentit të Institutit të Statistikave
Heqja e taksës për biznesin e vogël
Ulja me 6 për qind e taksës së faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë
Anulimi i ndryshimeve ligjore të qeverisë së mëparshme për personat me aftësi të kufizuara
Rritje e taksës 10 për qind mbi sipërmarrjen vetëm pas 100 ditëve të para, konsulta me biznesin për këtë çështje
Anulimi i koncesionit elektoral në Portin e Durrësit
Paketa për lehtësimin dhe zhvillimin e fermerëve, me qëllim uljen e kostos së prodhimit
Premtimet e pamatshme
1. Do të përgjysmohet tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël
Premtimet e realizuara pjesshëm
Ulje taksash mesatarisht 40 mijë lekë në vit për këdo që fiton më pak se 150 mijë lekë në muaj
Angazhimi që brenda 100 ditësh të çlirohen territoret spitalore nga ndërtimet pa leje