Zonat që kanë kostume me vlera janë Godoleshi, që ka një kostum me rreth 27 pjesë, Shpati, Kërraba etj. Në Muzeun Etnografik vazhdon të mbetet një stendë bosh, që pret ekspozimin e kostumeve popullore.
Drejtori i Trashëgimisë, Kreshnik Belegu, u shpreh se është me rëndësi që të gjendet një mundësi për blerjen e kostumeve, pasi ato janë në zhdukje dhe nuk do të jetë e largët dita kur do të zhduken fare. Këto kostume nuk mund të prodhohen më, pasi nuk ekziston lënda e parë dhe nuk ka më gra që i punojnë ato.
“Sot ka shumë që thonë se prodhojnë kostume popullore, por ato janë vetëm imitime, pasi që të realizohet duhet një trashëgimtar i teknikës së realizimit të tyre, që sot thuajse nuk ka më”, vijoi Belegu.
Veshja shqiptarçe dhe martesa
Kostumi kishte çerven, çitjanet, linjën, jelekun, fesin me napolonat e floririt, kamet. Veshja shqiptarçe ishte traditë vetëm në familjet muslimane të Kalasë. Kjo veshje shoqërohej edhe nga aksesorë të tjerë, si sepeti ku mbahej, mbulesa e karriges etj. Njëkohësisht në pajën e nuses, do të bënte pjesë xhybja, që mund të ishte ngjyrë vishnje ose blu, takëmet e pajës, kuverta dhe boçja prej ari.
Veshja shqiptarçe vishej vetëm në ceremonitë më të rëndësishme dhe sidomos nga nuset. Kështu, pa mbaruar kostumi, vajza elbasanase nuk mund të martohej. Vajzat nga familjet e pasura e porosisnin, ndërsa ato që nuk ishin në gjendje të mirë ekonomike e punonin vetë. Një punë e tillë kërkonte dy vjet kohë pa ndërprerje. Ndryshe nga familjet muslimane, ato ortodokse nuk kishin një kostum tradicional të caktuar. Zakonisht vishnin një fustan të gjatë me bisht bezhë ose veshje europiane.
Treva e Elbasanit e pasur me kostumografi
Treva e Elbasanit numëron 37 lloje kostumesh popullore autentike. Në këtë trevë çdo 11 mijë banorë përfaqësohen me kostumin e tyre popullor. Vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 këngë popullore, bazuar në krijuesit korife të kësaj muzike, si Isuf Myzyri, Leks Vini, Mustafa Bodini etj.
Etnologu Thanas Meksi thotë se nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme. Ajo ndahet në katër njësi etnografike. Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit, dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës
Sipas tij, dokumenti më i vjetër arkeologjik që ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit është basorelievi i skalitur në gur, “Figura e nuses ilire”. Ajo i përket shekullit II – III dhe është gjetur në fshatin Tërbaç të Krrabës, nga disa fshatarë. Një pjesë e kësaj zone vazhdon të ruajë këtë lloj veshjeje, duke u përdorur në kostumet e grave të Kërrabës, Funarit, si edhe Godoleshit.
“Elemente të tjera të veshjes popullore të dokumentuara në zbulimet arkeologjike janë edhe vargonjtë e mesit, tirqet, kallçet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë së Shmilit, Krrabës dhe në atë të Shpatit”, vijon Meksi.
Më vonë shfaqen opinga, xhoka, bruca, që vazhdojnë të përdoren në veshjet e Elbasanit. Opinga përdoret në të gjithë rajonin, ndërsa xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë, përdoret në Elbasan, në malësinë e Kërrabës së Tiranës, si dhe në Peqin. Tipike në Peqin është veshja me jakuce e burrave të qytetit, të cilën e përdorte edhe Isuf Myzyri (kompozitor, “Artist i popullit”).
Në shekujt XVI – XVII merr hov kostumi popullor i grave
Në shekujt XVI – XVII me zhvillimin e zejtarisë, një zhvillim të madh mori përpunimi dhe tregtimi i mëndafshit. Ai u përdor për eksport, por edhe si lëndë e parë për përgatitjen e kostumeve popullore të grave të qytetit. Ndaj kostumi shqiptarçe i grave të qytetit të Elbasanit, i huazuar më vonë nga gratë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Peqinit, u bë kostumi mbizotërues edhe në Shqipërinë e Mesme. Ai vazhdon të vishet nga gratë e kësaj zone të Shqipërisë dhe zë vend kryesor në garderobën e ansambleve artistike dhe folklorike. Jehonë ky kostum ka bërë edhe në festivalet ndërkombëtare. Shumëllojshmëria e kostumeve popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Europian.
Sipas Meksit, ai “është një nga trevat më të pasura etno-folklorike të Shqipërisë. Në Elbasan këndohet e kërcehet me shumë pasion kënga e vallja popullore qytetare dhe në të njëjtën kohë ruhen me shumë fanatizëm e krenari kostumet tradicionale popullore. Kënga dhe vallja popullore elbasanase janë një pjesë e asaj pasurie të madhe të trashëgimisë kulturore të kësaj treve, e cila është prezente në çdo familje e që i shoqëron në çdo hap gëzimet”.
Zejtaria për kostumet popullore
Në fillim të shekullit XX në Elbasan lulëzonin tregjet e zejtarëve vendës, të cilët ishin të ndarë si më poshtë: 27 kazazë a mëndafshpunues, 27 papuxhinj, 17 rrobaqepës, 13 argjendarë, shajakpunues e të tjerë, të cilët në mënyrë artizane dhe krejt të lirë ndihmonin për prodhimin e kostumeve popullore dhe të qelesheve sheshe.
Por në Elbasan dihet se me prodhimin e qelesheve sheshe merrej fisi Myzyri prej vitesh. Edhe artisti Isuf Myzyri, nga kjo familje, ka pasur zanatin e qeleshepunuesit. Fillimisht edhe ai mbajti në kokë qeleshen e gjatë, por më vonë, i ndikuar nga gojëdhënat popullore, ai mbajti qeleshen sheshe, të cilën e prodhoi deri në vitin ‘50. Edhe poeti i Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashëri, që vishte shpesh kostum popullor me fustanellë, në kokë mbante qeleshe të zezë. Një ambasador gjerman në Elbasan, duke vënë në kokë qeleshen sheshe të dhuruar tek kalonte kufirin, u ndalua nga rojet maqedonase tek kalonte kufirin, që kujtuan se ishte shqiptar dhe i kërkuan vizën e kalimit. Ndërsa ambasadori i OSBE-së, G. Ahrens, duke vënë në kokë qeleshen sheshe tha: Tani u bëra shqiptar!
Të huajt për kostumet shqiptare
Kush ka vizituar Shqipërinë e nuk ka vlerësuar kostumet popullore shqiptare! Nuk bëhet fjalë vetëm për turistë të kohëve moderne, por edhe për udhëtarë të rastësishëm, bujtës sarajesh, mjekë, gjeneralë e gjuhëtarë, të cilët kanë kaluar nëpër Shqipëri shekuj më parë. Në ditarët e udhëtimit, në kujtimet që ata na kanë lënë, kanë dhënë mbresat e tyre edhe për kostumet popullore shqiptare, të cilat i quajnë si më të bukurat në botë. Nuk është vetëm poeti Lord Bajron, që përshkroi shqiptarin në vargjet e tij, por edhe shumë të tjerë, si mjeku Henri Holland, që bujti në sarajet e Ali Pashë Tepelenës; Ulliam Martin Lik; për të vijuar me Georg Hahn, Pukëvil, Shuflaj etj. Ata veçojnë kostumin popullor të jugut me fustanellat valë-valë, jelekët, brezat e armët e punuara në ar. Madje, shumë syresh, jo vetëm që kanë shfrytëzuar rastin t’i mbajnë veshur, por u është dhënë rasti të marrin me vete ndonjë element zbukurues. Kur Henri Holland përshkruan veshjet popullore shqiptare, ai thotë se veshjet sarde nuk janë asgjë para tyre. Janë plot hijeshi. Ia vlen të sodisësh; t’i kesh, është një mrekulli.