Veshtiresohet testi i patentes tani me 7 gabime

Veshtiresohet testi i patentes, tani me 7 gabime

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ndryshon procedurat për marrjen e lejes së drejtimit të mjetit. Ndryshimi thelbësor është në testimin me shkrimin që bën çdo kursant pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR-ja. Masa e re konsiston në uljen e numrin të gabimeve të pranuara për kandidatët që presim të marrin lejen e drejtimit. Përmes një urdhri të firmosur nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, konkurrentët do të kalojnë testimin me shkrimin, ose thënë ndryshe do të mbrojnë njohuritë teknike, pasi tu përgjigjen saktë 33 pyetjeve nga 40 që ka testi në total. Deri tani me rregulloren e vjetër, testi me shkrimin konsiderohej i kaluar në rast se konkurrenti u përgjigjej saktë 30 pyetjeve nga 40 pyetje që kishte testi. Rregullorja e re hyn në fuqi në 21 janar të këtij viti.



Ndryshimi



Në udhëzimin nr. 994, datë 12 mars 2003 “Për organizimin dhe funksionimin e autoshkollave”, është vendosur ndryshimi i neni 16, paragrafi i tretë. “Personat e interesuar fitojnë provën e kontrollit të njohurive teorike për lejedrejtimi mjeti rrugor, kur u përgjigjen në mënyrë korrekte 33 pyetjeve ose më shumë, nga 40 pyetje që përmban testi”-thuhet në udhëzimin që mban firmën e Edmond Haxhinastos. Komisionet e kontrollit të njohurive teorike për lejedrejtimi mjeti e realizojnë provën nëpërmjet testimit për personat e interesuar. Koha e testimit nuk duhet të jetë më shumë se 45 min. Testet hartohen nga DPSHTRR-ja, në përputhje me nenin 311, pika 7 e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor, i cili përmban pyetje për përgatitjen dhe kontrollin e mjetit me qëllim sigurinë rrugore, ku përfshihet testimi i njohurive nga mënyra e rregullimit të sediljes, pasqyrave, të rripave të sigurimit dhe mbështetjes së mundshme të kokës, tek kontroll i kushteve të rrotave dhe bulonave, dritareve, pastruesve të xhamave dhe të niveleve (vaj motori, lëng ftohës, lëng për të larë xhamat etj.)

 

Në testim janë të përfshira pyetje teorike në lidhje me kontrollin e presionit të ajrit, të depozitës së ajrit, kompresorit dhe të jastëkëve të ajrit dhe deri te kontroll i freksionit dhe frenave, por edhe lidhjeve elektrike për kategori të veçanta. Një nga komponentët e rëndësishëm në testimin me shkrim janë edhe manovrimet e veçanta objekt i provave me qëllim sigurinë në rrugë.  Ku ndër të tjera parashikohet marsh indietro në linjë të drejtë ose me kthim djathtas ose majtas duke iu përmbajtur korsisë së saktë, frenim i saktë duke respektuar pikën e ndalimit të parapërcaktuar; ekzekutimi i një frenimi emergjence është i kërkuar dhe parkim i makinës dhe dalje nga hapësira e parkingut.  Një pyetjet që haset thuajse në çdo test me shkrim është edhe ajo për veprimet në kryqëzime me dhe pa semafor, me drejtues trafiku. Një tjetër pikë e testimit është edhe parakalimi i mjeteve të tjera, kalimi i pengesave (për shembull mjete të parkuara); të qenit objekt i parakalimit nga ana e mjeteve të tjera

Kërkesat

Në takime të herëpashershme me përfaqësues të Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve përfaqësues të autoshkollave kanë kërkuar një sërë ndryshimesh në mënyrën e testimit me shkrim dhe në praktikë. Një nga kërkesat e përsëritura është e ajo e heqjes së pyetjeve për mënyrën e reagimit dhe ndihmën e parë që duhet të japin drejtuesit e mjeteve që gjendjen në ose pranë një aksidenti, pasi këto njohuri certifikohen nga Kryqi i Kuq, ku edhe merren njohuritë.

Orët dhe koha e nevojshme, për përgatitjen e njohurive teorike për lejedrejtimi mjeti, në autoshkolla,

1. Për lejedrejtimi të kategorisë A                       36 orë, në jo më pak se 14 ditë;

2. Për lejedrejtimi të kategorisë B                       54 orë, në jo më pak se 20 ditë;

3. Për lejedrejtimi të kategorisë C                       30 orë, në jo më pak se 12 ditë;

4. Për lejedrejtimi të kategorisë D                       30 orë, në jo më pak se 12 ditë;

5. Për lejedrejtimi të kategorisë BE                     12 orë, në jo më pak se   5 ditë;

6. Për lejedrejtimi të kategorisë CE                     16 orë, në jo më pak se   6 ditë;

7. Për lejedrejtimi të kategorisë DE                     16 orë, në jo më pak se   6 ditë;


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama