Veshtrim i pergjithshem i periudhes

Si në të gjithë Perandorinë Osmane, edhe në tokat shqiptare, gjatë shek. XVIII e sidomos në gjysmën e dytë të tij, filloi të mbizotëronte një situatë e re, e cila solli zhvendosje të rëndësishme në raportin e forcave ekonomiko-shoqërore dhe politike të vendit.
Në jetën ekonomike mori përhapje të mëtejshme ekonomia e mallrave, vazhdoi të fuqizohej sistemi i çifligjeve si pronë feudale private dhe u thellua diferencimi në gjirin e klasës feudale, u shtypën njëra pas tjetrës kryengritjet fshatare, të gërshetuara me rebelimin e feudalëve ushtarakë të rënë ekonomikisht, dhe filloi afrimi i feudalëve qeveritarë me krerët ushtarakë malësorë. Lufta e familjeve çifligare më të fuqishme për të marrë e për të mbajtur pushtetin, tërhoqi me vete forca të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kjo luftë e acaroi për disa dhjetëvjeçarë gjendjen anarkike në të gjithë vendin, por edhe i dha fund asaj për të filluar një fazë të re zhvillimi në lëmin ekonomik e kulturor dhe në atë shoqëror e politik.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII në tokat shqiptare pati një zhvillim më të madh ekonomik e kulturor në krahasim me shekujt pararendës, u rrit prodhimi bujqësor e blegtoral për treg, dhe lidhur me këtë, qytetet shqiptare njohën një zhvillim mjaft të shpejtë. Ato u bënë tregje të rëndësishme në radhë të parë për artikujt e bujqësisë e në mënyrë më të kufizuar për prodhimet e esnafeve vendase. Sfera e veprimtarisë së këtyre qyteteve u shtri përtej tokave shqiptare, duke zhvilluar një tregti mjaft të gjallë tranzite midis viseve perëndimore e qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe Evropës.
Lidhjet që u krijuan çuan në forcimin e dy tregjeve me rëndësi ndërkrahinore që patën si bosht dy qytetet kryesore, Shkodrën dhe Janinën. Formimi i këtyre tregjeve ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt bashkimit ekonomik të vendit. Këtu filloi të vepronte një shtresë e re shoqërore që po zhvillohej në qytete, borgjezia tregtare shqiptare.
Por lidhjet me sferën e veprimit të këtyre tregjeve ishin ende të dobëta, ato hasnin në vështirësitë dhe pengesat që krijonte sistemi i timarit me mjedisin e vet feudal rrethues, i cili nuk lejonte shkrirjen e tyre në një treg të vetëm kombëtar. Borgjezia tregtare ishte e dobët në numër dhe e varur nga përfaqësuesit e parisë së vjetër feudale, që kishte në dorë pushtetin politik.
Ndryshimet që u kryen në planin ekonomik, sollën pasoja të rëndësishme edhe në fushën shoqërore e politike, që u pasqyruan në fuqizimin e pronarëve të mëdhenj çifligarë vendas, në kurriz të pushtetit qendror, i cili pa ata nuk ishte në gjendje të ushtronte sundimin e vet mbi provincat. Këto familje të mëdha feudale, oxhaqet, bashkuan me pushtetin ekonomik edhe atë vendor, vendosën sundimin e tyre në vend, të cilin e bënë në fakt të trashëgueshëm.
Të interesuar në fillim për të mos ndarë më me osmanët pushtetin ekonomik të vendit, ku kishin zotërimet e veta, oxhaqet shqiptare u drejtuan më në fund edhe kundër pushtetit qendror dhe përpjekjeve të tij për të mbajtur ende në këmbë sistemin e vjetër feudal ushtarak të timareve dhe për të ushtruar, nëpërmjet funksionarëve të dërguar nga qendra, pushtetin e vet në tokat shqiptare.
Edhe pse ishte e lidhur me interesat e feudalëve të mëdhenj çifligarë, lindja e këtyre pashallëqeve, objektivisht, u përgjigjej edhe interesave të shtresave të reja shoqërore, elementëve të borgjezisë tregtare. Këta kishin nevojë për krijimin e një pushteti të fortë në vend, që të ishte në gjendje t’i vinte fre anarkisë, gjë që s’e bënte më pushteti qendror osman, dhe për krijimin e uniteteve politike më të mëdha se sanxhakët, tek të cilët shihnin jo vetëm një zgjerim të tregut të brendshëm, por edhe një përpjekje për të shkëputur trevat shqiptare, të Veriut e të Jugut nga kontrolli i administratës osmane. Në këta faktorë i kishte rrënjët formimi e fuqizimi i pashallëqeve shqiptare gjysmë të pavarura të Shkodrës e të Janinës në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX.
Pashallëqet shqiptare të shek. XVIII - fillimi i shek. XIX, shënuan një hap të parë drejt bashkimit politik të vendit, siç ishte arritur deri diku deri në shek. XIV. Por, të ngritur mbi themele ekonomike ende jo të shëndosha, kur mungonte uniteti në gjirin e klasës feudale shqiptare dhe, të ndodhur në kushte jo të favorshme ndërkombëtare, këto pashallëqe nuk mundën të bënin hapin vendimtar të shkëputeshin vetë nga varësia e Stambollit dhe të shkëpusnin edhe Shqipërinë nga sundimi i Perandorisë Osmane.
Krahas këtyre ndryshimeve, shek. XVIII shënoi dukuri të reja me interes edhe në fushën e kulturës. U zhvillua më tej kultura popullore, sidomos poezia, që kishte arritur vlera artistike me poezinë epike. Qytetet u pajisën me ndërtesa monumentale, civile dhe të kultit, kurse në ambientin e kishës ortodokse piktura murale shënoi një lulëzim të ri me elementë realistë. Në qytete zhvillohej një tip i ri letërsie në gjuhën amtare, e cila në krahasim me letërsinë e mëparshme kishtare, merrte tani karakter kryesisht didaktik, përmbante elemente laike e realiste. Krijohet një shtypshkronjë, rritet numri i librave të botuar në gjuhën shqipe dhe numri i shkollave, ku veprojnë tashmë mësues të ditur laikë, të cilët përçojnë deri diku ndikimin e racionalizmit evropian.
Shtypja me armë e këtyre pashallëqeve nga ana e pushtetit qendror osman e acaroi më tej konfliktin e sundimtarëve osmanë me popullin shqiptar. Për të realizuar politikën e tij centralizuese në Shqipëri, pushteti sulltanor shtypi qëndresën e shtresës drejtuese vendase, e cila nuk donte të hiqte dorë nga pozitat e veta në administrimin e vendit. Zbatimi i kësaj politike centralizuese, që u quajt “pushtimi i dytë osman i vendit”, e vuri Stambollin përballë lëvizjeve popullore, të cilat u ndërthurën me ato të krerëve feudalë. Këto lëvizje çuan në vitet 30 të shek. XIX, në një varg kryengritjesh të tjera kundër sundimit osman, të cilat, krahas faktorëve ideologjik, kulturor dhe politik, përgatitën truallin për zhvillimin e lëvizjes kombëtare të epokës së Rilindjes në Shqipëri.
Në periudhën e sundimit të sistemit feudal ushtarak osman, me gjithë kushtet e vështira në të cilat ndodhej Shqipëria, u përgatitën një varg elementesh të reja ekonomike, shoqërore, politike e kulturore, që krijuan premisat për kalimin në një periudhë historike me përmbajtje të re, të Rilindjes Kombëtare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama