Veshtrim i pergjithshem i situates mjedisore ne Shqiperi

Vështrim i përgjithshëm i situatës mjedisore në Shqipëri
Prej disa vitesh, Shqipëria është përfshirë në zhvillime të vrrullshme urbane, gjë që është shoqëruar me një faturë jo të vogël në planin mjedisor. Rritja e konsumit, transportit, mbeturinat urbane apo inerte, derdhja e ujërave të zeza në dete e lumenj, prerja pakriter e pyjeve, gërryerja e shtretërve të lumenjve, djegia e gomave, gërryerja e maleve, ndërtimet e pakontrolluara, etj, janë vetëm disa prej ndikimeve të ndodhura mbi mjedis. Shpesh njeriu nuk e kupton se ajo cfarë e rrethon, edhe nëse nuk mund ta shikoj (ajri), ndikon drejpërsëdrejti në cilësinë e jetës. Për rrjedhojë, ai tenton të bëhet indiferent ndaj cështjeve të mjedisit, deri në momentin që natyra reagon ashpër (përmbytje, psh).

Në fakt, ndikimi negativ mbi mjedis, është një faturë që të gjitha shtetet po e paguajnë për zhvillimin. Për këtë arsye, shpesh, indikatorët e energjisë, trasportit dhe mjedisit trajtohen së bashku, pasi është pothuajse e pamundur që të mos ndikojnë te njëri-tjetri. Megjithatë, shtetet e zhvilluara kanë marrë angazhime serioze dhe po mundohen të japin shembullin e mirë se jo gjithmonë zhvillimi në përgjithësi dhe ai i industrisë në vecanti ecën paralel me ndotjen e mjedisit. Nënshkrimi i Protokolleve, të tilla si ai i Kyoto-s për uljen e emëtimit të gazrave, tregojnë se shtetet e kanë rritur ndjeshëm vëmendjen e tyre ndaj mjedisit, pasi kjo lidhet drejtpërsëdrejti me cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre. Akoma më i rëndësishëm është Protokolli i Gothenburg-ut, i cili përcakton tavanet për emëtimin e katër ndotësve më të rrezikshëm të ajrit, që krijojnë shirat acide.

Për rrjedhojë, të dhënat mbi indikatorët e mjedisit janë shumë të rëndësishëm, pasi ndihmojnë në hartimin e politikave dhe strategjive, vendosjen e objektivave dhe cfarë është më e rëndësishme, përcaktimin e hapave që duhen ndërmarrë. Tërësia e këtyre indikatorëve ndihmon në dhënien e një pamjeje të qartë të situatës dhe ndihmon vendimmarrësit për të qënë sa më efektivë në punën e tyre, por ndihmon edhe qytetarët, bizneset, investitorët e huaj, etj.

Për sa më sipër, ODA ka projektuar një grup artikujsh që lidhen me disa indikatorë të mjedisit, duke i krahasuar ato herë pas here edhe me mesataren e vendeve të BE-së. Jo në pak raste shifrat janë alarmante. Ndotja në disa zona bregadetare është 6-15 herë mbi parametrat e lejuar, mbeturinat urbane janë në rritje të vazhdueshme, ndërkohë që një pjesë fare e vogël e tyre riciklohet. Përgjithësisht, ato digjen. Probleme pa fund shfaqen në trajtimin e mbeturina spitalore, kimikateve të derdhura nëpër lumenj, në ajrin që thithin kryeqytetasit, pluhurat për shkak të ndërtimeve apo ndotjes akustike në qendrat e banuara. Probleme mbart edhe administrimi i burimeve ujore dhe zonave të peshkimit. E megjithatë, Raporti për Gjendjen e Mjedisit 2009, i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimi të Ujërave e përcaktonte vendin tonë si “një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm” (faqja 6).

Ndoshta Shqipëria nuk është ndër vendet më të ndotura në botë, por duhen marrë urgjentisht masa për ndërprerjen e masakrës mjedisore dhe paralel me të hapa konkret për përmirësimin e situatës. Në studimin e saj ODA konstatoi se Shqipëria nuk vuan për strategji, plan masash apo përcaktim objektivash në letër. Lista është relativisht e gjatë. Kështu, aktualisht, Shqipëria ka:

    » Nënshkruar 7 Konventa Ndërkombëtare për cështje të ndryshme mjedisore;
    » Hartuar 7 Strategji Zhvillimi për disa aspekte mjedisore;
    » Ka mbi 23 ligje për mbrotje të mjedisit, biodiversitetit, florës e faunës, etj;
    » Ka mbi 20 ligje për ratifikime e aderime nëpër Protokolle Ndërkombëtare, Marrëveshje, Amendamente, etj;
    » Mbi  20 rishikime e shtesa të legjislacionit të mëparshëm;
    » Mbi 80 VKM që lidhen drejtpërsëdrejti me mjedisin;
    » 20 udhëzime dhe mbi 5 rregullore, etj.

I domosdoshëm është zbatimi i ligjeve dhe zotimeve të nënshkruara, dhe akoma më tej, vullneti për të cuar deri në fund nismat që ndërmerren për mbrotjen e mjedist (rasti i furrave të gëlqeres në Krujë, psh). Megjithatë, edhe në hartimin e strategjive dhe përfshirjen e hapave për zbatimin e tyre ka ende shumë punë për t’u bërë, në mënyrë që të reflektohen të gjitha problemet që po has sot mjedisi në vend.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama