Shifrat tingëllojnë dramatike: mbi gjysmë milioni gjermanë janë të varur nga interneti. Kjo shifër do të ishte sa dyfishi i numrit të njerëzve qe janë të varur nga lojërat e fatit. Megjithëkëtë, pyetja nëse këta janë vërtet ‚internet junkies', është më se e diskutueshme ndër ekspertët sepse ende mungojnë të dhënat e besueshme dhe kriteret (kërkimi në këtë fushë gjendet ende në hapat e parë). Për këtë arsye studiuesi i varësisë dhe përgjegjës për këtë studim Hans-Jürgen Rumpf, nga Lübeck-u është i kujdesshëm me përfundimet e veta. Në kuadër të një studimi të dytë, të financuar gjithashtu prej Ministrisë Gjermane të Shëndetësisë, do të analizohen tani më nga afër përdoruesit e internetit të identifikuar si të rrezikuar për shkak të konsumit të tyre intensiv të internetit. Gjatë hapit të parë u zhvilluan vetëm intervista telefonike. Tani, shkencëtarët duan të drejtojnë pyetje të mëtejshme.
„Do të thotë: mos për shembull janë kufizuar tek këta persona veprimtaria sociale në shkollë dhe profesion? Kjo është një pikë shumë e rëndësishme sepse vetëm atëherë varësia është e manifestuar dhe duhet trajtuar. Deri tani ne dimë vetëm që ky grup bie në sy, por ne nuk dimë ende se sa të forta janë dëmtimet," thotë Rumpf. Sipas tij përdoruesi i tepërt i internetit duhet përfytyruar si një tip i tejlodhur, i lënë pas dore, i rrethuar nga kartonë të zbrazët pizza-sh. Njerëzve që e rrethojnë, ai u duket shpesh i shpërqendruar dhe i acaruar. Njerëzve të varur nga alkooli do t'u largoje alkoolin që të mos u tunduar, por në rastin e internetit kjo metodë nuk mund të thjesht transmetohet, mendon Rumpf.
„Besoj që interneti është një medium i cili na duhet të gjithëve për punë dhe për qëllime që nuk kanë të bëjnë me varësinë. Pra, këtu nuk mund të jetë kjo zgjidhja, ndërkohë që te alkooli mund të ishte, për shembull duke e bërë alkoolin më të shtrenjtë.“
E ngarkuara e qeverisë gjermane për drogat, Mechthild Dyckmans, tërheq vëmendjen për mënyrë të arseshme praktikimi të internetit. „Të jesh online me masë dhe gaz,“ quhet për shembull një broshurë e Qendrës Federale për Informim Shëndetësor. Pikërisht këtë duhet të mësojnë njerëzit me nevojë për ndihmë, thotë Dyckmans.
„Më vonë, në trajtim, synimi do të jetë përdorimi i kontrolluar sepse sot me internetin punojmë të gjithë. Kur flasim për abstenim, ai është ndoshta abstenim me lojëra të caktuara, me lojëra të caktuara me role, përndryshe është përdorimi i kontrolluar i internetit.“ Kërkuesit po përpiqen në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar që të përcaktojnë kritere dhe standarde për ta vënë shkencërisht në kontroll varësinë nga interneti. Studiuesi i rasteve të varësisë, Rumpf nuk llogarit me rezultate të shpejta, por falë studimit të vet përfaqësues pandeh se është në udhë të mbarë.