Vetedija per nje drejtshkrim per kater milione njerez

Vetedija per nje drejtshkrim per kater milione njerez
Në vijim të pjesës së fundit të fjalës që Eqerem Çabej mbajti në Kongresin e Drejtshkrimit, më 1972, gjuhëtari trajton disa parime themelore të drejtshkrimit. E fundit po e rëndësishme, është faza përmbyllëse, për shqiptarët këndej e andej kufirit, pra në Shqipëri edhe Kosovë, popullsia e përbashkët e të cilave arrinte në katër milion në fillim të viteve 70' kur u shkrua artikulli. Gjuha popullore përbën rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit. Kur kjo largohet nga ligjërimi popullor, largohet njëkohësisht dhe nga masat popullore, dhe rrezikon të bëhet një gjuhë letre, një gjuhë artificiale.

Në qoftë se gjuha e shkrimit mbyllet në vetvete dhe largimi i saj nga të folët popullor theksohet edhe më tepër, me kohë paraqitet mundësia e një diglosie, një dygjuhësie, gjë që ka ndodhur në disa gjuhë të botës, edhe të Europës. Për disa arsye sociolinguistike, të cilat nuk është vendi të shtjellohen këtu, edhe kalimi nga dialektet teritoriale në gjuhën e shkrimit duhet të jetë i ngadalshëm e i harmonishëm. Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe. Mbetet një fakt në atë mes që ligjërimi popullor me gjithë shtresat e ndryshme që e përbëjnë, me karakterin e tij të natyrshëm e të thjeshtë, është i caktuar të jetë një gurrë e gjallë ku përtërihet vazhdimisht dhe gjuha e literaturës.

Duke hyrë në disa pika të veçanta, në lidhje me vijat parimore që u ravizuan më sipër, do të thuhet se janë arritur rezultate të mira, disa pika të qëndrueshme, në shkrim të shqipes në drejtim të thjeshtimit e të konvergjencës. Një nga parimet që kanë rezultuar të jenë të drejta në këtë fushë është marrja parasysh e kriterit të shtrirjes teritoriale të dukurive në caktim të normave drejtshkrimore. Konkretisht, kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit.

Në bazë të këtij kriteri përdoret vend edhe zemër, jo vënd edhe zëmër. Për të njëjtën arsye të konvergjencës ka zënë vend edhe shkrimi i bashkëtingëlloreve fundore të zëshme si të tilla, me gjithë shqiptimin e pazëshëm të tyre në një pjesë të mirë të dialekteve jugore, shkrim që pajton dhe me ruajtjen e strukturës morfologjike të fjalëve përkatëse, në rasa si shtogu, i madhi, mblodha.

Për të njëjtin kriter është arritur, ndër të tjera, përdorimi i j së në vend të nazalit palatal nj në fund (e në trup) fjalë te foljet, tipi punoj, punoja, dhe po për këtë arsye janë gjithë mundësitë që ky përdorim të shtrihet edhe në sistemin nominal, tipi ullinj, të mëdhenj, forma që s'janë të huaja as për ligjërimet jugore. Parimi i thjeshtimit drejtshkrimor është zbatuar në dobi sidomos në përdorim të ë-së së pathekse, një nga pikat, sikundër dihet, kryesore të drejtshkrimit të shqipes. Duke i dalë përpara prirjes së dukshme të gjuhës për një thjeshtim më të madh në punë të shkrimit të këtij vokali në të ardhmen, mund të shkohet më tej në këtë drejtim, duke shkruar ndër të tjera amtar, pishtar, arsim, kshill, pjestar, pjestim, përmendsh, trekëndsh, trajta fjalësh që gjinden pjesërisht që në traditën e vjetër të shkrimit (si kshill), e pjesërisht në mbarë truallin e sotëm të gjuhës.

Aty duhet të hyjnë dhe shumëset dit dhe net. Shkrimi i tyre me një ë fundore, në kundërshtim me mbarë përdorimin gojor dhe me mbarë traditën letrare, nuk përligjet shkencërisht me trajtat e shquara, ditët, netët, sa kohë që ka edhe rasa të përkundërta, si lot përkundrejt lotët, të zot përkundrejt të zotët, njëzet përkundrejt të njëzetët.

Edhe te lidhoret e tipit të dalësh, të marrësh do parë mirë gjer ku kriteri i përpjestimit të përhapjes teritoriale lejon këto shkrime me ë të rrokjes fundore. Nga ky kriter, dhe nga parimi i konvergjencës e përgjithësisht nga arsyeja e shëndoshë, duhej të udhëhiqej drejtshkrimi dhe në shkrim të formave Mitkoja, Pirroja, apo Mitkua, Pirrua. Format e llojit të parë imponohen aq më shumë, kur të mendohet se ku do të çonin trajtat e shquara të fjalëve dhe emrave si kakao, foto, Romeo, radio, studio, trio, Klio, sikur të zbatoheshin mënyrat krahinore me ua për mbarë fushën gjuhësore të shqipes.

Nuk do të rimerren këtu grupet zanore ie, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd, ngj, që u zunë ngoje më lart, ku norma drejtshkrimore është arritur prej kohësh.

As variantet tashmë margjinale të tipit motrë, veglë, dorzë, ku në shkrim janë arritur gjithashtu format e përbashkëta që dihen. Vetëm do të preket, si një rasë tipike e konvergjencës, depërtimi i sufiksit të agjentit ues (dërgues, mësues, sulmues) në gjuhën e përbashkët të shkrimit, i cili po fiton edhe mbi variantin popullor përgjegjës uas të Jugut (liruas, përçuas, përgjuas, shpëtuas) edhe mbi onjës, që në ligjërimet veriake paraqitet si ojs, ojse, në fjalë si diftojs, mësojs, fërkojse.

Depërtimi ndërdialektor vërehet në fjalëformim edhe në të tjera formante. Hyjnë aty sufikset ueshëm e yeshëm, në rasa si i besueshëm, i gëzueshëm, i rrëmbyeshëm. Pastaj sufiksi meni i Shqipërisë së mesme, në fjalë popullore si pameni "pamje, panoramë", i cili me funkcionin më fort të mundësisë, me trajtën e tij të kryehershme dhe me trajtën përgjegjëse të ndërtuar mëri, u bë produktiv në gjuhë, në rasa si gatishmëri, ngjashmëri.

Përtej caqeve të formës, edhe në fushën kuptimore të fjalëve ka shpërngulje drejt konvergjencës, me integrim të domethënieve dialektore në domethënie më të përgjithshme, më përfshirëse, si për shembëll te çoj, sot kryesisht "shpie, përcjell, dërgoj, nis; ngrë, zgjoj nga gjumi; kaloj kohën, shkoj jetën".

Një kapitull me rëndësi përbën dukuria e univerbimit (njëfjalëzimit), dhe lidhur me të çështja e shkrimit të fjalëve bashkë ose ndaras. Në vjetët e fundit vihet re një prirje për të shkruar si një fjalë të vetme lokucione ndajfoljore e lidhëzore si megjithatë, megjithëse, kurse shkruhet dy fjalë sinonimi i kësaj edhe pse, dhe rekomandohet - a me të drejtë? - një shkrim tri fjalësh për mes për mes etj. Historia e shqipes tregon me të vërtetë prirjen - të shpeshtë në gjuhët më të ndryshme - për të shkrirë në një fjalë sidomos elementet leksikore me një vëllim përgjithësisht të pakët e me pavarësi relative, si pjesëzat a lidhëzat as (bashkë me kompozitet e saj si askurrë, askush, aspak), dot, ndiç, ndonëse, nëse, etj., të cilat për një pjesë të mirë janë formuar nga një fjali a një pjesë fjalie përbrenda sandhit, ngërthimit të fjalisë.

Kështu sot shkruhen prej kohësh një fjalë ndër të tjera gjithkush, gjithqish, mbasandej, njëmbëdhjetë, dyqind, pesëdhjetë, ndërkaq, mbassi, vetëvetëhe, të cilat tek autorët e vjetër paraqiten të shkruara me pjesët veç e veç. Tendenca e univerbimit dhe me të e formimit të kompoziteve vihet re dhe në fjalët e reja, si te vajguri nga vaj-guri, në fushën dialektore për shembëll te vetjotja e Siqelisë, në Shqipëri vetja jote. Në lidhje me shkrimin e fjalëve bashkë apo ndaras shtrohet një çështje teorike e karakterit parimor. A janë, dhe a ndihen, megjithatë, megjithëse e të tjera si këto një fjalë e vetme, apo një lidhje fjalësh? Për të sqaruar këtë çështje, po marrim kombinimin e shqipes me mend me kuptim mbiemëror, në shprehje si burrë me mend, e cila i përgjigjet kryekrejet greq. së re me gnosi e me frónisin dhe rum. cuminte, që kanë të njëjtin kuptim.

Ndërsa këto lidhje në greqishten e re shkruhen dy fjalë të ndara, ashtu si shkruhet me mend në gjuhën shqipe, rum. cuminte shkruhet sot një fjalë. Kjo tregon se në atë gjuhë cuminte ndihet si një fjalë e vetme, në shqipen e në greqishten si një lidhje dy fjalësh. Nuk bashkohem me gjykimin e E. Coseriut, i cili në kundërshtim me Kr. Sandfeldin mendon se në formim të rum. cuminte, si një mbiemër i mirëfilltë përkundrejt formave të greqishtes, paska shërbyer si gjedhe, si model, greq. e vjetër echephron "i mençëm, i arsyeshëm".

Në pajtim me dijetarin danez mendoj se kemi të bëjmë me një shprehje ballkanike të zakonshme, me kombinimin e parafjalës me + emër në vend të një mbiemri. Shkrimi i shqipes me mend e i rum. cuminte është në fund të fundit një çështje ortografike, e cila lidhet ndërkaq me një konceptim të ndryshëm të fjalës në këto dy gjuhë, më saktë në vetëdijen gjuhësore të bartësve të tyre.

Për të dhënë një tjetër shembëll nga kjo kategori e fjalëformimit, mund të përmendet që lidhje të tilla si po ai, po ashtu, jepen në shkrim si dy fjalë të veçanta. Shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë aty me një lidhje dy fjalësh, apo përkundrazi me një fjalë të vetme ku po ka një kuptim të vetin, të ndryshëm nga vlerat semantike që ka kjo pjesëz në të tjera sfera të leksikut të gjuhës. Në zgjidhjen e çështjes së shkrimit të fjalëve bashkë ose ndaras mund të ndihmojnë dhe rezultatet e fonetikës eksperimentale.

Aty nga mungesa ose prania ose nga përmasat e pauzave që realizohen në shqiptim të këtyre madhësive shumëngjyrëshe, mund të shihet gjer diku a kemi të bëjmë me një leksemë të mirëfilltë apo me dy a më shumë fjalë a fjalëza të bashkuara në një lidhje leksikore. Pa dashur të preket parimi që të shkohet brenda mundësive sa më shumë drejt trajtave të vetme, unike të fjalëve, drejt mënjanimit sa më të madh të dubletave në shkrim, mendojmë megjithatë që drejtshkrimi nuk duhet të bëhet tepër i ngrirë, nuk duhet të çojë në ekstrem këtë parim.

Kështu mbetet e drejtë rregulla e përdorimit të kallzores së shquar të re, analogjike, te mashkullorët që mbarojnë me zanore të theksuar, tipi kaun, dheun; pa u cënuar kjo rregull ndërkaq, kuptohet vetiut që në disa shprehje të ngulëta të gjuhës popullore, si në fjala mori dhenë, trajta rasore e vjetra do të ruhet, dhe kjo jo vetëm në ligjërimin e folur. Më pak kategorik duhej të dëftohej drejtshkrimi edhe në kufizimin e madh të përdorimit të apostrofit. Disa të dhëna si matanë, mbanë, mënjanë, njady, nesër tregojnë qartë sa shpesh elidohet ë-ja e pathekse në ngërthim të fjalisë, në sandhi, gjë që çon në përftim kompozitash si këto që sapo u përmendën.

Për hir të ritmit të fjalisë, me qëllim që të ruhet më i zhdërvjelltë, më i lëvizshëm, më pak monoton ky ritëm, nuk kuptohet pse të mos zbatohet nganjëherë edhe në shkrim eliminimi i ë-së së pathekse fundore, i cili shpeshherë është i plotë në shkrim, e të shënohet ky eliminim me anë të një apostrofi. Me këtë rrugë thyhet monotonia aty ku kujtohet të ruhet një rregullsi që në thelb është tepër formale e skematike. Edhe në gjuhë të tjera përdoret apostrofi për hir të variacionit ritmik, për një efekt më drastik të shprehjes, si për shembëll në italishten che cos'è, vent'anni, s'agita etj. Lidhur me theksin, edhe aty përjashtimi total nga përdorimi nuk duket të jetë i arsyetuar sa duhet. Pranë rregullave ka edhe përjashtime aty ku e lyp nevoja, edhe këto duhej të gjenin shprehjen e tyre në shkrim.

Pikësëpari shtrohet çështja e riprodhimit besnik të një teksti që përmban theksa të ndryshëm, si për shembull e ndonjë poezie të Mjedës. Ka pastaj rasa ku paraqitet nevoja e një theksi për të dalluar leksema të ndryshme, të cilat mund të ngatërroheshin midis tyre, si acari : acarí, drejtori : drejtorí, format : formát, vëllazërish : vëllazërísh, mulla: mullá. Me këtë nuk është e thënë që në të tilla forma fjalësh theksi të jetë përherë i detyrueshëm, shumë herë konteksti tregon qartë se me cilën nga këto kemi të bëjmë.

Po në rasat ku mund të lindë një dykuptimsi, një ambiguitet, aty paraqitet nganjëherë nevoja e theksimit.

Tepër e ngurtë, rigide, e shtrëngueshme paraqitet edhe rregulla që emrat vetiake të burimit të huaj të shkruhen sipas shqiptimit në gjuhët përkatëse dhe në përshtatje me traditën e krijuar në gjuhën shqipe. Të paktën në shkrimet e karakterit shkencor mund të zbatohet shkrimi sipas formës origjinale të këtyre emrave në ato gjuhë, kjo aq më fort kur riprodhimi i tyre me mjetet e alfabetit të shqipes shpeshherë mbetet i pasaktë e i përafërishëm.


Këto do të ishin disa nga pikat që kanë lidhje me anën formale-fonetike e thjesht gramatikore të drejtshkrimit. Edhe kur të kenë gjetur zgjidhje shumica e çështjeve të kësaj fushe, puna e drejtshkrimit ndërkaq nuk ka mbaruar. Nuk jemi në mbarim, po jemi ende në mes të rrugës, po ta vështrojmë drejtshkrimin me një pamje më të hapët, më tërësore; po ta zgjerojmë tematikën e tij, duke përfshirë në lëmin e vështrimit, sikundër duhet, edhe disa probleme të sintaksës, të frazeologjisë e të leksikut.

Shkrimi i shqipes moderne, në krahasim me atë të periodave të mëparme të saj, karakterizohet për dy tipare kryesore: më një anë për një normim përherë e më të madh të trajtave fonetike e gramatikore të fjalëve dhe për një pasurim progresiv të leksikut me elemente pozitive të vendit; më anë tjetër për depërtimin e ngulitjen e disa ndërtimeve të huaja dhe të një shumice, sa vete më të madh, fjalësh të importuara së jashtmi. Në lidhje me këtë, në drejtshkrimin të themi sintaktik, në vend të parë duhet synuar në një ndërtim fjalish sipas frymës së shqipes, në harmoni me parimet që zotërojnë në sintaksën e kësaj gjuhe, e jo në imitim të ndërtimit sintaktik të gjuhëve të tjera. Duhet nisur së brendshmi, e jo së jashtmi.

Me rëndësi është çështja nëse një fjalë do të shkruhet me e apo me ë, me i apo me j, me j apo nj fundore, po ka rëndësi që fjalia të jetë e ndërtuar pas ndërtimit vetiak të shqipes, jo të njërës a tjetrës gjuhë të huaj. Ndërtime të tilla si rregullat fonetike dhe ato morfologjike, letërsia artistike dhe ajo popullore, e të tjera si këto, janë të huaja për gjuhën shqipe. Në përdorim të një shtrese të caktuar intelektualësh, po jo në ligjërimin popullor, ato janë italianizma sintaktike, përkthime të ndërtimit sintaktik të italishtes.

Të tilla ndërtime ndeshen edhe në rumanishten moderne të shkrimit, edhe aty pas gjedhesh (modelesh) të gjuhëve romane perëndimore, veçse atje janë më të kuptueshme, ngaqë hyjnë në sistemin e një gjuhe gjithashtu romane. Imitim është ndër të tjera edhe përdorimi i lidhëzës pse në fjali shkakore (më fort pas it. perchè), aty ku në shqipen e mirëfilltë përdoret se ose sepse. Në punë të drejtshkrimit nuk janë pa rëndësi dhe shenjat e pikësimit, të cilat peshojnë edhe në përcaktimin e drejtë të kuptimit të fjalëve e të lidhjeve të tyre. Edhe aty gjuha shqipe ka rregullat e veta, të cilat nuk duan lënë mënjanë. Vendosja e një prese para lidhëzës në fjali të tipit mendoj, se; është e qartë, që; ka depërtuar në këto vjetët e fundit nga rusishtja, e cila nga ana e saj e ka marrë këtë përdorim prej gjermanishtes.

Edhe frazeologjia në drejtshkrim nuk duhej lënë pas dore. Kështu, për të dhënë një shembull, shprehjes (i hedh) pluhur syve, e cila nuk është veçse shqipërim i një shprehjeje të gjuhëve të huaja, nga frazeologjia shqiptare i përgjigjet mirëfilli hi syve. Si kjo ka plot shprehje frazeologjike e të thëna popullore, të cilat duhej të shtriheshin në përdorim nga ata që shkruajnë. Me rëndësi të dorës së parë është më në fund puna e përdorimit të visarit të fjalëve. Aty shtrohet detyra dyfishe e pasurimit dhe e pastrimit. Pasurim me leksema të gjuhës popullore ose gjithsesi të farkuara prej brumit të saj. Pastrim nga elementet e huaja që po vërshojnë në gjuhë prej të gjitha anëve.

Neologjizmat që janë formuar gjatë historisë së gjuhës me anë përkthimi prej gjuhëve të tjera, si populloret e diel, e hënë, peshkaqen, mollatartë, vajgur-i, ose përndjek "persekutoj" te Pjetër Budi, hapësirë, vetëdije, ndërgjegje e të tjera në shekullin e kaluar, botoj e shkrimtar pak më vonë, botëkuptim, hekurudhë, largpamës, mbinjerëzor, ndërlidhje, pararojë, përballoj, përvetësoj, i pranishëm, prapavijë, rilindje e të tjera në ditët tona, përbëjnë një pasurim pozitiv të gjuhës; aty gjedhja e formimit është e huaj, lënda është e vendit. Në këtë radhë mund të vazhdohet e të shkohet përpara, duke pastruar e duke pasuruar; duke zëvendësuar ndër të tjera fenomen me dukuri, efekt me duk, përsekutim me përndjekje, krijoj me lentoj, tekstile me veglore, fjalë shumica të gjalla edhe sot nëpër dialekte.

Gjuhëtarëve u bie barra, e gjatë dhe jo e lehtë, që me një punë shumëvjetshe e të vijueshme të mbledhim visarin leksikor të gjuhës popullore. Të tjerëve, në radhë të parë shkrimtarëve, përkthyesve, arsimtarëve e teknikëve të ndryshëm, u bie ta shtien në qarkullim në botimet e tyre. Mbledhja e këtij materiali është një punë që s'pret, që nuk duron afate. Me industrializimin e vendit, gjuha, duke u modernizuar, bjerr në mënyrë të pazëvendësueshme vazhdimisht një pjesë të elementeve të leksikut të saj. Kjo detyrë duhet të ndërmerret me një plan pune të caktuar mirë edhe të kryhet në mënyrë sistematike.

Duke rrokur me një vështrim përmbledhës detyrat që duhet të përballojë në të ardhmen drejtshkrimi i shqipes i shikuar në aspektet e tij të shumëllojshme, do të përfundohet me këtë, që hartuesit e tij do të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama