Vetedorezohet kreu i bandes se Lazaratit

Vetedorezohet kreu i bandes se Lazaratit

I shumëkërkuari nga policia Razip Mahmutaj 46 vjeç, i akuzuar si kryetari i bëndës së trafikantëve që prej tre ditësh po qëllon në drejtim të policisë në aksionin antikanabis, është vetëdorëzuar mbrëmë rreth orës 21.40. I kontaktuar nga A1 Report pak para se të vetëdorëzohej në polici, ai tha ka vendosur të ndërmarrë këtë akt dhe se do të përgjigjet për çfarëdo të kërkojë shteti. “Pres të dorëzohem, por kam frikë dhe presion nga gjithë kjo situatë e krijuar këtu, dhe kam pak frikë, por kam vendosur se do të vetëdorëzohem patjetër. Unë e kam thënë edhe herë të tjera se nuk kam hashash në prona. Dua të vetëdorëzohem në polici pa dhunë dhe në mënyrë të qytetëruar. Jam gati të përgjigjem për të gjitha”.- tha Mahmutaj, para se t’i vetëdorëzohej policisë. Ndërkohë ministri i Brendshëm Tahiri, bëri të ditur në “Facebook”, se është dorëzuar personi i shtatë i shpallur në kërkim. Ai deklaroi se po ju vjen rradha të kërkuarve të tjerë dhe ka falenderuar Policinë e Shtetit për punën e saj: "Dhe i 7-ti, dorëzohet personazhi Gate Mahmutaj....Po u vjen rradha te gjithëve. Krenar për Policinë e Shtetit", u shpreh ministri. Gjatë ndërhyrjes në Lazarat, forcat e policisë kanë mundur që të zbulojnë brenda një vile, që thuhet se është e Gate Mahmutajt, një laborator përpunimi droge dhe sasi të konsiderueshme kanabisi. Në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, theksoi se forcat që po kryejnë operacionin në Lazarat kanë kontrolluar 20 shtëpi. Operacioni i policisë në Lazarat po vijon hap pas hapi, duke kontrolluar çdo banesë për lëndë narkotike. Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur sasi të konsiderueshme bimë të kultivuara, boçe kanabisi, makineri për presimin e kanabisit, si dhe municione në sasi të mëdha.

 Banda, terror në fshat

Autoblindat e policisë avancuan dje në mëngjes në zonën jugore të fshatit Lazarat, ndërsa një grup personash pozicionuar në kodër qëlloi me breshëri armësh dhe plumbat ranë në shtëpitë e banorëve të fshatit. Krismat nuk pushuan edhe gjatë natës e për pasojë një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, një 32-vjeçar efektiv i FNSHsë së Shkodrës u plagos në dorë dhe këmbë, por është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë banorët e Lazaratit kanë vijuar të djegin në masë hashashin e prodhuar një vit më parë dhe raportohen edhe fusha me bimësi të shkulur. Ndërkohë policia njoftoi se janë arrestuar 6 persona të akuzuar për sulmin ndaj gazetarëve të A1 Raport. Ata janë Matjas Muhamet Bocia, vjeç 23, banues në Lazarat Gjirokastër, Florian Nexhip Shurdhi, vjeç 29, banues në Lazarat Gjirokastër, Juxhin Avdul Bocia, vjeç 19, banues në Gjirokastër, Xhevahir Miftar Doçi, vjeç 29, banues në Dunavat Gjirokastër, Ali Mato Basha, vjeç 46, banues në Lazarat Gjirokastër dhe Emiljano Bejko Aliko, vjeç 31, banues në Lazarat Gjirokastër.

Këta shtetas janë paraqitur në Komisariatin e Policisë Gjirokastër gjatë pasdites së djeshme. Nga verifikimi i deklarimeve të tyre në polici, ku janë vërejtur mospërputhje dhe hetimeve të kryera nga policia këta shtetas janë në cilësinë e të dyshuarit dhe ndaj tyre është marrë masa e arrestit në flagrancë. Këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë janë autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj forcave të policisë në datat 15 dhe 16 qershor, në momentin që këto forca po zhvillonin operacionin policor për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe asgjësimin e tyre. Gjatë pasdites, policia njoftoi për dy të plagosur. Një 19-vjeçar nga Ura Vajgurore, që ishte bari në këtë zonë dhe që ka marrë plagë në këmbë dhe dorë, si dhe një 33-vjeçar nga Pogradeci, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Nga strukturat e policisë janë kontrolluar 20 shtëpi në fshatin Lazarat. Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur sasi të konsiderueshme bimë të kultivuara, boçe kanabisi, makineri për presimin e kanabisit, municione në sasi të mëdha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama