Një 18-vjeçar i shpallur në kërkim pas masakrës në gazetën satirike “Sharlie Hebdo” është vetëdorëzuar në polici. Hamid Murad shkoi vetë në rajonin e policisë pasi kishte dëgjuar në lajme për përfshirjen e tij në këtë masakër. Adoleshenti ka mohuar pjesëmarrjen në këtë sulm terrorist.
Ndërkohë policia franceze është në kërkim të dy të dyshuarve të tjerë që janë dy vëllezrit Said dhe Sherif Kuashi 34 dhe 32 vjeç. Gjatë natës forcat e rendit kryen një arrestim në qytetin e Rejmsit. Policia nuk jep më shumë detaje rreth hetimeve të kësaj ngjarje.
Ndërkaq, gjatë pasdites deri në orët e vona të natës në shumë qytete franceze më shumë se 100 mijë persona kanë marrë pjesë në manifestime përkujtimore në nderim të 12 viktimave të masakrës së djeshme.