Vetevrasjet plaga e madhe e shoqerise

Vetëvrasjet, plaga e madhe e shoqërisë

Në një pikë të historisë së tij njeriu zbuloi që, përveçse të vriste kafshët dhe njerëzit, kishte mundësinë për të vrarë edhe veten. Që nga ai moment, sjellja e tij ndaj vdekjes dhe jetës nuk ishte më e njëjta", shpjegojnë psikologët. Sot, duke qenë se në botë më shumë se një milion njerëz në vit vetëvriten, vetëvrasja është emergjenca më e madhe psikiatrike në botë, siç vëren Brian Mishara, një psikolog kanadez dhe president i shoqatës ndërkombëtare për parandalimet e vetëvrasjeve, që çdo vit organizon kongrese dhe mbledhje mbi këtë temë. "Akoma nuk është bërë e mundur të identifikohet një sjellje e përcaktuar para një vetëvrasjeje dhe mbi të gjitha i deduktueshëm nga faktorë të tjerë, në mënyrë që të parandalohet. Edhe sepse tendenca për t‘u vetëvrarë është një sjellje që lidhet shumë me moshën, vendin dhe kushtet sociale".

Në rrezik

Sipas kërkimeve psikologjike, është e mundur të zgjedhësh kategorinë e personave që janë më të rrezikuar. Për shembull, alkoolistët, të droguarit, personazhet e moshuar dhe depresivë, familjarët e personave të vdekur (sidomos nëse personi që ka vdekur ka bërë vetëvrasje), kush ka probleme me identitetin seksual, (të burgosurit, sidomos në ditët e para të burgosjes), të sëmurët rëndë dhe ata që kanë tentuar edhe më parë të vetëvriten. Pastaj ekzistojnë edhe komunitete kulturore, apo grupe, ku vetëvrasjet praktikohen shumë, mes të cilëve: piktorët, shkrimtarët (sidomos ata fantastiko-shkencorë dhe në përgjithësi protagonistët e spektaklit). Megjithatë, kjo nuk i ndihmon aspak të parashikojnë sjelljet e këtyre kategorive. Më e dobishme mund të jetë nëse flasim për situata. Të gjitha studimet bazohen në rolin thelbësor të dy elementeve: 1) të verifikojë ngjarjet stresuese që në përgjithësi sjellin dhimbje për një humbje, si të një personi të dashur, si të një pune, shtëpie apo një projekti dhe 2) prania e faktorëve të tillë si situatat e veçanta psikologjike (nga depresioni te problemet me humorin), ose sëmundje organike, apo degjenerative. Për pjesën tjetër, harta e vetëvrasjeve është kaq e madhe, sa është e pamundur të përcaktosh një model standard.

Të hidhesh në zjarr

Sot, për shembull, në Iran numri i vetëvrasjeve nga ana e femrave po barazohet me atë të meshkujve (dhe praktikohet kryesisht duke u hedhur në zjarr), ndërsa në Evropë, kryeqyteti i vetëvrasjeve për të rinjtë është Milano, ku sipas shoqërisë "Amico Charley" që merret me problemet e adoleshentëve, ka vlerësuar se rreth 20 mijë të tillë janë në rrezik. Edhe përkatësia fetare luan një rol të rëndësishëm. Historikisht përqindjet e vetëvrasjeve mes katolikëve kanë qenë më të ulëta, në krahasim me ato të regjistruara mes protestantëve dhe hebrenjve. Por, katolikët, që kanë emigruar në një tjetër vend, kanë një rrezik më të madh për të kryer një vetëvrasje se sa ata që jetojnë ende në vendet e tyre të lindjes.

Efekti i kopjimit

Shumë i diskutueshëm është edhe i ashtuquajturi efekti "Werther", d.m.th. vetëvrasja pas imitimit të një modeli. Ky term i detyrohet "epidemisë" së vetëvrasjeve në Gjermani, pas publikimit në 1774-ën të romanit "Vuajtjet e djaloshit Verter" të Gëtes, në fund të së cilit protagonisti vret veten. Përmasat e këtij fenomeni ishin të tilla, sa qeveritë e disa vendeve ndaluan qarkullimin e librit. Sipas studimeve, sugjestionueshmëria dhe imitimi luan një rol thelbësor në dinamikën e vetëvrasjeve. Por Emil Durkheim, studiuesi i parë që u mor me këto tema në fund të viteve 1800, nuk ishte dakord. Ai u mor me statistikat e viteve të mëvonshme dhe duket se nuk i dhanë të drejtë. Për shembull, në Los Anxhelos vetëvrasjet u rritën me 40 për qind në ditët e mëvonshme, pas vdekjes së Merlin Monrosë. Por jo vetëm kaq: efekti i kopjimit është më i mundshëm nëse ka një ngjashmëri mes atij që e praktikon dhe atij që ndjek shembullin e tij. "Ekziston një ngjashmëri befasuese mes vetëvrasjes së ndonjë njeriu të famshëm dhe atyre që vendosin ta ndjekin. Nëse ai është i moshuar në moshë, vdekjet mes të moshuarve rriten, nëse i përket një shtrese sociale të caktuar, apo një profesioni X, rriten vetëvrasjet në të njëjtat ambiente".

Interneti

Japonia është vendi ku përqindja dhe rreziku i vetëvrasjeve është shumë i lartë dhe kjo lidhet kryesisht me arsye kulturore. Statistikat flasin për rreth 32 mijë vetëvrasje në vit, me një rritje të vazhdueshme. Aty përfshihen si të rinjtë që praktikojnë shinju (vetëvrasjet kolektive të organizuara përmes internetit), e deri te gratë dhe burrat e çdo moshe. "Marrim rreth 720 mijë telefonata për ndihmë në vit. Vetëvrasjet në Japoni janë ngjarje të pranuara historikisht nga kultura e këtij vendi dhe qeveria nuk ka punuar aq sa duhet për ta rrëzuar këtë traditë", thotë Yoko Saito, përgjegjës për "Inochi no Denwa" (Telefoni i jetës).

Sektet fetare

Në kohët e fundit, vetëvrasjet në masë janë tipike të sekteve fetare. Më mbresëlënësja ishte ajo e nëntorit të vitit 1978, ku rreth 900 anëtarë të sektit "tempulli i popullit", themeluar nga Jim Jones, u vetëvranë. Ishte një rit i vërtetë i bërë në Jonestown, gjatë të cilit 398 burra, 293 gra dhe 219 fëmijë pinë një shishe me cianur. Por nëse në vetëvrasjet në grup arsyet kulturore dhe psikologjike janë dominuese, në ato individuale një rol mund të luajë edhe faktori gjenetik.

E trashëgueshme?

Këtë pyetje e bëjnë shpesh të gjithë, duke u nisur nga një vëzhgim empirik. Në botë ka familje (për shembull ajo e shkrimtarit Ernest Heminguej) ku vetëvrasjet janë më të mëdha se mesatarja. Në vitet ‘80 u studiuan rastet e vetëvrasjeve nga ana e binjakëve homozigotë dhe u zbulua se "përqindja" ishte 13 te binjakët homozigotë, në krahasim me 0.7 tek ata heterozigotë. D.m.th., vetëvrasja e një binjaku homozigot korrespondonte në 13 për qind të rasteve me vetëvrasjen e tjetrit. Por, pavarësisht studimeve, psikologët tregojnë se nuk bëhet fjalë për trashëgimi.

Faktori duhan

Roli i serotoninës është konfirmuar nga një kërkim i "Max Palnck" në Mynih, që e ka lidhur vesin e duhanpirjes me rrezikun e vetëvrasjes. Nga kjo u arrit në përfundimin se përqindja e tentativave të vetëvrasjeve ishin rreth 10 herë më të mëdha tek ata që pinin duhan se sa tek ata që nuk pinin fare.

Ura e rekordeve

"Golden Gate" në San Francisko në Kaliforni është një vend "ideal" për t‘u vetëvrarë. Aty që prej 1937-ës janë hedhur 1269 persona.


 

Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama