Vetmia eshte si nje semundje ngjitese

Vetmia eshte si nje semundje ngjitese
Kur njerëzit zhyten në vetmi, nuk kanë më besim te njerëzit, duke krijuar kështu një rreth vicioz që e bën edhe më të vështirë krijimin e miqësive të reja. Vetmia përhapet mes njerëzve njësoj si gripi, apo sëmundjet e tjera ngjitëse. Këtë e thekson edhe një studim i bërë nga psikologët e Universitetit të Çikagos, Universitetit të Kalifornisë në San Diego dhe ata të Universitetit të Harvardit, të cilët kanë qenë edhe autorë të një artikulli të botuar në “Journal of Personality and Social Psychology”. “Kemi vënë re një skemë të çuditshme ngjitëse: kur ndihen më të vetmuar, njerëzit janë të prirur të spostohen drejt fundit të rrjetit shoqëror”, është shprehur John Cacioppo udhëheqësi i studimit. “Në periferi njerëzit kanë më pak miq dhe vetmia e tyre i ‘detyron’ të humbasin dalëngadalë edhe ata pak miq që u kishin mbetur”.

Para se të “mbeten krejtësisht jashtë”, personat në periferi ua transmetojnë ndjenjat e vetmisë miqve të mbetur, që edhe këta të fundit rrezikojnë të zhvillojnë në vetvete vetminë. “Këto efekte sforcimi na tregojnë se makina jonë sociale mund të konsumohet me kalimin e kohës, siç ndodh natyrshëm me çdo gjë”, shton Cacioppo.

Studiuesit u nisën nga të dhënat e “Framingham Heart Study” (FHS)në origjinë i programuar për të vëzhguar patologjitë kardiake, që kur mori jetë në vitin 1948 me 5209 persona, u përhap si nga numri i popullsisë (tashmë numëron 12 mijë subjekte, mes të cilëve fëmijët dhe nipërit e grupit të parë), ashtu edhe nga testet të cilëve u janë nënshtruar subjektet. Sot këto teste përfshijnë matjet relative si të depresionit ashtu dhe vetmisë. Objekt i studimit të tanishëm kanë qenë 5124 persona me qëllim matjen e problemit të vetmisë. Ky studim i gjatë që ka nisur prej dy vjetësh parashikon që subjektet pjesëmarrëse  t’u përgjigjen pyetësorëve dhe intervistave ku përfshihet gjithashtu lista e miqve dhe personave me të cilët janë më të lidhur. Kështu studiuesit kanë mundur të hedhin dritë mbi historitë e miqësive të subjekteve të ndryshme, si dhe marrjen e informacione nga intervistat e vazhdueshme mbi vetminë. Vetëm në këtë mënyrë studiuesit kanë arritur të hartojnë një skemë të izolimit që përhapet, ku personat e prekur nga vetmia janë të prirur ta ngushtojnë gjithnjë e më shumë rrethin e tyre shoqëror. Me pak fjalë, njerëzit e vetmuar “infektojnë” ata që kanë rreth e rrotull.

“Shoqëria do të përfitonte shumë nëse do ta përballonte në mënyrë dinjitoze problemin e personave të vetmuar duke i ndihmuar ata të krijojnë rrethin e tyre shoqëror, si dhe të ngrinin një barrierë mbrojtëse kundër vetmisë. Studimet paraardhëse kanë treguar se vetmia dhe mungesa e kontakteve kanë një efekt negativ shumë domethënës mbi shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien e njerëzve më të moshuar”, është shprehur financuesi i studimit.

Femrat janë më të prekura dhe “infektohen” më lehtë nga vetmia sesa meshkujt. Ky është edhe përfundimi i studimit shkencor të kryer nga psikologët amerikanë. Siç u nënvijëzua edhe më lart personat e vetmuar janë të prirur t’ua transmetojnë ndjenjat e tyre të trishtuara personave që i rrethojnë, fenomen që në fund i bën të izolohen nga shoqëria. Për vetminë kemi dëgjuar të flitet shumë, sidomos tani që po kalojmë një periudhë krize. Në fakt, janë të shumta femrat, por jo vetëm ato, që vuajnë nga kjo “patologji”, për shkak të stresit në punë, familje, shoqëri e kudo.

Por le t’i rikthehemi edhe një herë studimit, sipas të cilit para se të humbasin miqtë personat e vetmuar ua transmetojnë ndjenjat e vetmisë atyre pak miqve të mbetur. Bëhen mosbesues ndaj të tjerëve, duke krijuar një rreth vicioz që e bën edhe më të vështirë krijimin e miqësive të reja. Ajo që nevojitet në këto raste është ndihma. Është shumë e rëndësishme që njerëzit ta njohin vetminë dhe t’u qëndrojnë afër personave të prekur prej saj për ta përballuar më mirë këtë periudhë të vështirë, duke mos injoruar asnjëherë kambanat e alarmit para se të jetë shumë vonë.

“Sekreti për të luftuar vetminë është që të kuptoni se e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një sinjal biologjik i trupit tonë. Në një periudhë të caktuar të jetës, të gjithë njerëzit ndihen të vetmuar, ashtu siç ndiejnë urinë ose etjen. Nëse zhvillohet ndjenja e izolimit nuk duhet nënvlerësuar, por duhet kërkuar menjëherë ndihmë. Vetëm kështu mund të njihen simptomat e kësaj sëmundjeje dhe më pas të gjendet kura e mundshme. Edhe pse “virusi” është i ri, vaksina njihet prej kohësh: ‘Gjeni kohën për të qenë mik me të tjerët. Kjo është rruga e lumturisë’ thoshte Nënë Tereza”, ka përfunduar John Cacioppo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama