Vezet aty ku lind jeta

Vezët, aty ku
Bruce Griffin i Universitetit të Surreyt në Britaninë e Madhe është tërësisht i bindur se vezët nuk ndikojnë fare në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës apo në rritjen e kolesterolit në gjak. Për të mbërritur në këto përfundime të botuara në revistën "European Journal of Nutrition", kërkuesi britanik ka analizuar 30 studime të ndryshme të bëra në 30 vitet e fundit. "Efektet e vezëve mbi shëndetin janë një argument kontradiktor. Por disa studime ofrojnë të dhëna që nuk janë normale apo të bazuara shkencërisht", ka shpjeguar Griffin. Për këtë arsye, është i bindur se e vërteta është krejt ndryshe nga ajo që njerëzit dhe disa shkencëtarë të tjerë besojnë, se vezët rrisin nivelin e kolesterolit. Nëse kërkimet e mëparshme kanë arritur në përfundimin se një vezë në ditë rrit rrezikun e vdekjeve të parakohshme, Griffin mendon se t‘i konsumosh ka më shumë avantazhe se rreziqe. Ndërkaq, po sipas tij, të hash vezë në mëngjes mund t‘i ndihmojë personat të bien nga pesha. "Të hash shumë vezë është e rrezikshme vetëm nëse je diagnostikuar si një person shumë i ndjeshëm nga kolesteroli. Por të gjithë të tjerët mund t‘i konsumojnë pa frikë. Sigurisht jo më shumë se shtatë në ditë", ka saktësuar ai. Pas alarmeve të viteve ‘70 u zbulua që falë disa substancave që përmbanin ajo i bën shumë mirë mëlçisë. Për më tepër që shumë ushqime dhe gjenetika e kanë zvogëluar ndjeshëm përqindjen e yndyrave në të verdhën e saj.

Njeriu nuk mund të mos e kuptonte për një ushqim kaq të pasur dhe të rëndësishëm. Kështu që shpejt filloi ta "prodhojë". Madje, në një mënyrë shumë intensive. Pikërisht egjiptianët ishin rritës të mëdhenj të pulave, aq sa shpikën një sistem për inkubatorin artificial të vezëve. Kështu thotë Diodoro Siculos, një historian grek, duke treguar për një udhëtim që kishte bërë në Egjipt. Kështu përtej simboleve, domethënieve dhe legjendave, sot veza ngelet një ushqim shumë i vlefshëm dhe me një konsum të gjerë. Vezët e para në menytë antike nuk ishin ato të pulës. Historianët tregojnë që fillimisht kartagjenasit, ushqeheshin me vezë struci, ndërsa vezët e pulës, sipas Platonit, ishin pjesë e drithërave të ziera, baza e ushqimit të përditshëm. Etruskët përdornin jo vetëm vezët e pulës, por edhe ato të patës, mëllenjës, thëllëzës, pëllumbit. Sipas mjekut grek, Galeno, që ka jetuar në vitet 131-201 pas Krishtit, në dietën e një njeriu të moshuar nuk duhej të mungonte kurrë "gruri, veza e zier fort, djathi, zhardhokët, kërmijtë, thjerrëzat dhe mishi i derrit". Për romakët, veza e pulës e shoqëruar nga buka, ullinjtë e vera, ishte pjesë ushqimit që duhej të hahej patjetër çdo darkë. Që atëherë, vezët kanë hyrë në menynë e përditshme, me të cilën do të prodhoheshin me qindra receta në shekujt pasardhës, si për shembull "supa e hebrenjve", pjatë arabe shumë e shpërndarë në Evropë mes shekullit XIII dhe XV. Kjo ishte e përbërë me vezë të ziera, çikore dhe mish. Kështu, veza hyri edhe në letërsi. Giovanni Bocaccio, në novelën dedikuar Filipit të Francës, i përgatit markezës një banket me bazë mishin e pulës dhe vezët. Në vitin 1500, shkrimtari francez Francois Rabelais në "Gargantua et pantagruel", tregon se mes ofertave që Zoti bënte në ditët e urisë për të varfrit, ishin vezët e ziera dhe ato të skuqura. Është aq e pranishme në të gjitha ushqimet që konsumojmë sa pa të nuk do të mund të bënim dot asgjë. Për shekuj me radhë veza është konsideruar si ushqim për të larguar fatkeqësitë dhe për t‘i sjellë fat mbledhësit, ose një shtëpie të re. Por mbi të gjitha, veza, simbol i lindjes së jetës, ishte protagoniste e festave të pranverës dhe Pashkëve kristiane. Disa tradita kanë ardhur deri në ditët tona, si për shembull riti për të dhuruar vezë të kuqe ditën e Pashkëve. Edhe antikët grekë, babilasit dhe kinezët shkëmbenin vezët për të festuar ardhjen e pranverës. Egjiptianët dhe persianët i ngjyrosnin dhe i dhuronin si urim kundër fatkeqësive dhe magjive. Në Perëndim, zakoni për të pikturuar vezët u shpërnda vetëm nga viti 1176, kur mbreti Luigi VII u kthye në Francë nga kryqëzata e dytë. Për të festuar këtë ngjarje, sovranit iu dhuruan aq shumë vezë, saqë shumë prej tyre u pikturuan dhe iu shpërndanë popullit. Sot përdorimi është akoma i gjallë në vendet e Lindjes dhe në Greqi. Në të njëjtën periudhë kohe në Gjermani dhe Holandë, në kopshtin e shtëpisë, fshihen vezë me çokollatë që fëmijët duhet t‘i gjejnë mëngjesin e ditës së Pashkës. Ato përdoren gjithashtu edhe në ritet funebre, ndërsa në periudhën e kristianizmit thyerja e lëvozhgës dhe dalja e zogut simbolizonte rilindjen e Krishtit. Kështu, jo rastësisht veza është një simbol në qendër të traditave popullore dhe miteve.

Mes tyre, më e shpërndara i përket origjinës së botës. Në legjendat e egjiptianëve, keltëve, grekëve, fenikasve, por edhe popujve të Afrikës dhe të Amerikës Latine, është cituar gjithmonë një vezë e lashtë, "kozmogonike", nga e cila ka origjinën universi. Në besimin hinduist, Brahama (krijuesi) lindi nga veza e artë e bërë nga një mjellmë, ndërsa për egjiptianët e lashtë veza "kozmogonike" është bërë nga një patë; në mitet greke sumerët dhe babilonasit besojnë se është bërë nga një perëndeshë në formën e pëllumbit. Vetëm gjatë javës së Pashkës mendohet se konsumohen 300 milionë të tilla në ditë. Edhe diçka tjetër, që ndoshta nuk e dini: konsumatorët më të mëdhenj të vezëve në botë janë japonezët. Ata konsumojnë rreth 350 vezë në vit, thuajse një në ditë. Për ta veza është e rëndësishme njëlloj sa orizi. Në të gjithë botën vezët e pulës janë ato që konsumohen më shumë, ndoshta për arsyen se janë edhe shumë të ushqyeshme. Na furnizojnë me një sasi të madhe proteinash që përmbajnë të gjitha aminoacidet e nevojshme për qeniet njerëzore përveç sasive të vitaminave dhe mineraleve. E verdha e saj, përmban proteina me vlerë të madhe biologjike, aminoacide thelbësore, yndyra, fosfor, hekur, kalcium, zink, magnez, vitamina A, B1, D, E dhe albuminë që furnizon me ujë embrionin i "jep" vazhdimisht kalcium, por mbron edhe të verdhën nga bakteret që mund ta kontaminojnë. Sipas Dante Aligerit, veza e pulës me kripë ishte ushqimi më i mirë në botë. Një anekdotë tregon se një ditë, Dante takoi në shesh një zotëri, i cili pasi e ndaloi e pyeti: "Cili është ushqimi më i mirë në botë?". "Veza", iu përgjigj poeti. Një vit më vonë, në të njëjtin shesh të dy u takuan sërish dhe i panjohuri e pyeti me një frymë: "Me çfarë?". "Me kripë", ishte përgjigjja e Dantes, i famshëm për kujtesën e tij legjendare. Në vitin 2005, pas alarmit të madh mbi influencën haviare virusi H5N1, bota e kuptoi se ta përjashtoje vezën nga përbërësit ushqimorë ishte thuajse e pamundur. Motivi i një suksesi kaq të madh: sepse të rrisësh pula është shumë e lehtë. Në shumë vende të Evropës, deri pas Luftës së Dytë Botërore, shumë familje mbanin në shtëpi pula që bënin vezë tregonin ekspertët e historisë së ushqimit. Me një omëletë të thjeshtë me qepë dhe erëza hante gjithë familja. Dhe kjo vazhdon të ndodhë akoma edhe sot në shumë vende të juglindjes aziatike, në Afrikë dhe Amerikën Latine. Por ajo nuk është vetëm një ushqim. Mund të përdoret edhe për nxirjen e lëkurës, në punimin e letrës dhe në atë të fibrave tekstile. Po ashtu, ajo përdoret gjerësisht edhe në kozmetikë. Kështu, pëlhura e vezës së pulave të thara përdoret gjerësisht si një nga elementët bazë të shampove dhe maskat e bukurisë.


Studimet

Vezët nuk ndikojnë fare në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës apo në rritjen e kolesterolit në gjak. Për të mbërritur në këto përfundime të botuara në revistën "European Journal of Nutrition", kërkuesit britanikë kanë analizuar 30 studime të ndryshme të bëra në 30 vitet e fundit

Jo më shumë se 7

Të hash shumë vezë është e rrezikshme vetëm nëse je diagnostikuar si një person shumë i ndjeshëm nga kolesterolit. Por gjithë të tjerët mund t‘i konsumojnë pa frikë. Sigurisht, jo më shumë se shtatë në ditë

Tradita

Simbol i lindjes së jetës, ishte protagoniste e festave të pranverës dhe festës së Pashkëve. Disa tradita kanë ardhur deri në ditët tona, si për shembull riti për të dhuruar vezë të kuqe ditën e Pashkëve. Vetëm gjatë javës së kësaj feste mendohet se konsumohen 300 milionë të tilla në ditë

Historia

Veza ngelet një ushqim shumë i vlefshëm dhe me një konsum të gjerë. Të parat në menytë antike nuk ishin ato të pulës. Historianët tregojnë që fillimisht kartagjenasit ushqeheshin me vezë struci, ndërsa vezët e pulës, duhej të ishin pjesë ushqimit të përditshëm

Konsumi

Konsumatorët më të mëdhenj të vezëve në botë janë japonezët. Ata konsumojnë rreth 350 vezë në vit, thuajse një në ditë. Për ta veza është e rëndësishme njëlloj sa orizi. Në të gjithë botën ato të pulës konsumohen më shumë, ndoshta për arsyen se janë edhe shumë të ushqyeshme

Përbërësit

Na furnizojnë me një sasi të madhe proteinash që përmbajnë të gjitha aminoacidet e nevojshme për qeniet njerëzore përveç sasive të vitaminave dhe mineraleve. E verdha e saj, përmban proteina me vlerë të madhe biologjike, aminoacide thelbësore, yndyra, fosfor, hekur, kalcium, zink, magnez, vitamina A, B1, D, E

Anekdota

Sipas Dante Aligerit, veza e pulës me kripë ishte ushqimi më i mirë në botë. Një anekdotë tregon se një ditë, Dante takoi në shesh një zotëri i cili pasi e ndaloi e pyeti: "Cili është ushqimi më i mirë në botë?". "Veza", iu përgjigj poeti. Një vit më vonë, në të njëjtin shesh të dy u takuan sërish dhe i panjohuri e pyeti me një frymë: "Me çfarë?". "Me kripë", ishte përgjigjja e Dantes, i famshëm për kujtesën e tij legjendare


Besimet

Dikur mendohej se për të mos u sëmurur në dietën e një njeriu të moshuar nuk duhej të mungonte kurrë "gruri, veza e zier fort, djathi, zhardhokët, kërmijtë, thjerrëzat dhe mishi i derrit, ndërsa për romakët, veza e pulës e shoqëruar nga buka, ullinjtë e vera, ishte pjesë ushqimit që duhej të hahej patjetër çdo darkë

Përdorimi

Vezët kanë hyrë në menynë e përditshme, me të cilën do të prodhoheshin me qindra receta në shekujt pasardhës, si për shembull "supa e hebrenjve", pjatë arabe shumë e shpërndarë në Evropë mes shekullit XIII dhe XV. Kjo ishte e përbërë me vezë të ziera, çikore dhe mish

Suksesi

Motivi i një suksesi kaq të madh: sepse të rrisësh pula është shumë e lehtë. Në shumë vende të Evropës, deri pas Luftës së Dytë Botërore, shumë familje mbanin në shtëpi pula që bënin vezë tregonin ekspertët e historisë së ushqimit

Receta e thjeshtë

Qepet e grira hollë skuqen derisa të zverdhen e të zbuten, i hidhen domatet e qëruara nga cipa dhe vazhdohet skuqja, shtohet kripë, piper, majdanoz dhe vezët sipër. Skuqen sa të mpikset e bardha e vezës.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama