Në vitin 1928 gazetarja dhe shkrimtarja amerikane Roz Uajllder Llejn, e cila ka jetuar në Shqipëri rreth viteve 1921-1928, i përshkruante një mikut të saj diplomat gjendjen në Shqipërinë e Zogut, duke i thënë se "natyrisht që atje (në Shqipëri) është një psikologji mesjetare; 'Shteti jam unë'. Kjo është e paevitueshme për një kryetar malesh, familja e të cilit për shekuj ka qenë 'Mati'..." Është e çuditshme se sa ngjashmëri gjen në përshkrimet, që Llejn i bën jetës politike e shoqërore shqiptare të asaj kohe me jetën politike e shoqërore të sotme. Jo me dukjen, po me thelbin e saj. Sepse përgjatë 92 viteve që pasuan, kushdo që ka ardhur në krye të Pushtetit në Shqipëri i ka thënë vetes: Shteti jam unë!
Roz Uajllder Llejn ishte një nga themelueset e lëvizjes së re liberale në SHBA dhe u mbeti besnike bindjeve të saj deri në fund të jetës, jo si liberalët tanë që "hanë bukën e turkut e bëjnë duanë e kaurit".
Në librin e saj "Zbulimi i Lirisë - beteja e njeriut kundër Autoritetit" Llejn merret edhe me marrëdhënien e njerëzve me Autoritetin, në kuptimet që ka kjo fjalë, si: njerëz që marrin nga të tjerët të drejtën ligjore të bëjnë ligjin të funksionojë, të qeverisin, të komandojnë, të gjykojnë, të vendosin, me pëlqimin e të tjerëve, që "Të tjerët" të jetojnë e punojnë të qetë. Llejn shkruan në këtë libër se qeniet njerëzore nga vetë natyra janë të lira. Po ashtu ajo e konsideron çdo qenie njerëzore si një burim energjie të gjallë, të cilën secili e përdor me vullnetin e vet, sipas dëshirës e duke qenë përgjegjës për të.
Po pse, pyet ajo, për mijëra vite njerëzit mbartën mbi shpinë mallra apo njerëz të tjerë, pastaj papritmas, vetëm në një shekull dhe vetëm në një të gjashtën e sipërfaqes së tokës (e ka fjalën për SHBA) ata ndërtuan hekurudha, makineri, aeroplanë; apo i trajtuan dritën elektrike, banjat prej porcelani, dritaret e mëdha si minimumin e sendeve të domosdoshme? Pse njerëzit për mbi gjashtë mijë vjet ecën këmbëzbathur, me zhele, me flokë me morra, me dhëmbë të palarë, e pastaj për më pak se një shekull arritën të kenë çorape mëndafshi, të kuq buzësh, floktore, kostume, pallto, kremra pas rrojës, brisqe rroje të sigurt?
Sepse, përgjigjet ajo, për mijëra vite njerëzit i kishin përdorur keq energjinë e tyre, duke prodhuar shtëpi të mjera e ushqime të varfra. Ndërsa duke përdorur në mënyrë të dobishme energjitë e tyre, pak njerëz në vetëm tri breza, arritën të krijojnë një botë krejt të re: SHBA. Sepse ata i përdorën në mënyrë të dobishme lëndët e para bazë, që kishin rreth tyre - që nuk kishin ndryshim nga lëndët e para të vendeve të tjera, të cilat njerëzit i kishin pasur prej mijëra vitesh rreth tyre - dhe e bënë jetën e tyre më të sigurt, më të shëndetshme, më të gjatë, më të rehatshme e më të këndshme.
Njeriu është një burim energjie dhe e kontrollon vetë energjinë e tij. Vetëm dëshirat dhe vullneti ynë mund të prodhojnë energji, mund ta kontrollojë atë. Dhe secili prej nesh është përgjegjës për këtë energji. Sepse nga vetë natyra ne jemi të lirë. Po që të bëhemi të ndërgjegjshëm për këtë fakt, na duhet një standard ndërgjegjësimi, i cili arrihet duke besuar në diçka. Secili e kontrollon vetë energjinë e tij, bazuar mbi besimin e tij.
Dhe që të kontrollohet e të përdoret energjia e një grupi të madh njerëzish, duhet që në këtë grup të mbizotërojë një besim i njëjtë. Që prej fillimeve të njerëzimit njeriu mendonte se një fuqi e jashtëzakonshme, e emërtuar "Zot/Autoritet" i paarritshëm, kontrollonte energjinë e tij, veprimet, fatin e tij. Për shekuj e shekuj, madje edhe sot, shumë njerëz kanë bindjen se jeta e tyre varet nga shumë apo një "Zot /Autoritet". Autoritetin ata e kanë quajtur: Shpirti i Madh, Zeus, Zoti i Abrahamit, Krisht, Allah, Arsye, Vullneti i masave, Raca Superiore, Vija e Partisë e kështu me radhë.
Njerëzit kanë adhuruar jo vetëm Zota të paarritshëm, por edhe qenie njerëzore të prekshme si ata vetë, të cilët i kanë veshur me pushtetin e "Autoritetit" të paarritshëm. Sepse edhe dje, edhe sot pak njerëz, pak shqiptarë e dinë që nga vetë natyra ne jemi të lirë, jemi burim energjie, të cilën e kontrollojmë vetë.
Ashtu si dikur egjiptianët idhujtarë adhuronin faraonin - përfaqësues i Zotit Diell mbi dhe, shqiptarët idhujtarë adhuruan Diellin, Kanunin e Lekës, apo një mbret, apo katër regjentë, apo diktatorin, apo pastaj PD-në e PS-në.
Ashtu bënë shqiptarët për gati 40 vjet me Enver Hoxhën dhe partinë e Punës. Kështu po bëjnë sot me Berishën apo Ramën, me PD apo PS, duke u dhënë pushtetin e "Autoritetit" të paarritshëm, duke u falur lirinë e energjitë e tyre. I kanë adhuruar duke i besuar se ata do t'u siguronin mirëqenie për ta e familjet e tyre, sipas premtimeve, në këtë vend aq të pasur me burime minerale, kafshë, ujëra, pyje, ajër të pastër, peizazhe të bukura, në Shqipëri.
Edhe pse kishim/kemi një vend me shumë burime minerale, kafshë, ujëra, pyje, ajër të pastër, peizazhe të bukura, ne shqiptarët për shekuj kemi jetuar në varfëri, sepse nuk i përdorim energjitë tona që të mësojmë e punojmë si t'i përdorin pasuritë që na rrethojnë, për të përmirësuar ushqimin, banesat, jetesën tonë e të familjeve tona. Sepse edhe pse pretendojmë se tani jemi të krishterë, apo myslimanë, apo..., në fakt ne mbetemi idhujtarë, sepse në shekuj u jemi bindur e vijojmë të adhurojmë Zota apo njerëz të vdekshëm si ne vetë, të cilëve u kemi dhënë pushtetin e "Autoritetit", të cilëve u dhurojmë energjitë e lirinë tonë, u paguajmë me taksat tona një jetesë luksoze, madje u ngremë edhe këngë e i kthejmë në idhuj. Në këtë mënyrë ne vetë krijojmë diktatorët tanë.
"Autoritetet" e sotëm të shqiptarëve kontrollojnë lirinë dhe energjitë tona, duke shfrytëzuar faktin që ne shqiptarët i adhurojmë e u bindemi verbërisht. Sepse shumica e shqiptarëve nuk e di se nga vetë natyra jemi të lirë, se jemi burim energjie, se e kontrollojmë vetë energjinë tonë dhe jemi përgjegjës për këtë.
Përsëri këto "Autoritete", tanimë prej 20 vitesh, i thërrasin shqiptarët në votime, mitingje, protesta, greva që asnjëherë nuk u kanë sjellë dobi shqiptarëve, që i kanë lënë pa drita buzë burimeve energjitike, pa ujë në një vend plot lumenj, të varfër në një vend plot thesare. Sepse kaq shumë energji është shpenzuar nëpër rrugë e nuk është përdorur për të prodhuar mirëqenie për shqiptarët, po vetëm në dobi të Autoritetit.
Shqiptarët, që kanë lindur në një vend të bekuar, me shumë mundësi për të ndërtuar jetesë të begatë e të këndshme për ata e familjet e tyre, lënë punën dhe interesat e tyre e dalin në sheshe, votojnë, duke u dhuruar lirinë dhe energjitë Autoriteteve që adhurojnë, duke i veshur me pushtet e duke paguar taksat u paguajnë shpenzime luksi për familjet, kostumet, rojet, makinat, pushimet, veset. Solla shembull nga shoqëria amerikane, sepse edhe politikanët tanë e përmendin shpesh Amerikën, sepse në çdo çast ne themi se e adhurojmë demokracinë amerikane e duam të mësojmë prej saj, ne shqiptarët që si në kohët primitive, adhurojmë "Autoritetin" pa guxuar ta gjykojmë.
Para disa ditësh një nga opinionistët tanë shkroi se ambasadori amerikan përsëri u gabua në parashikimet e tij, kur i ftoi qytetarët amerikanë që janë në Shqipëri të mos iu afrohej zonës së protestave, se ja që nuk pati dhunë. Po ja që opinionisti u gabua, se thelbi i shqetësimit të ambasadorit amerikan mendoj se nuk ishte ky. Ambasadori amerikan thjesht po bënte detyrën e tij karshi taksapaguesve amerikanë që gjenden në Shqipëri, si përfaqësues i shtetit të tij në Shqipëri, gjë që autoriteteve tona as ju ka shkuar ndonjëherë ndër mend.
Jo vetëm kaq: ne shqiptarët i sigurojmë Autoritetit edhe Forcën - ushtrinë, policinë - që mendohet se ai duhet ta përdorë për të na mbrojtur nga e keqja, kurdo e ngado që të vijë, që ne të punojmë e jetojmë të qetë. Autoritet harrojnë se si ata dhe Forca e tyre mbahen me taksat që paguajmë ne shqiptarët, për të na mbrojtur nga e keqja.
Dhe e përdorin Forcën kundër nesh, taksa- paguesve, për të mbrojtur veten prej nesh. Ne paguajmë taksa për të mbajtur "Autoritetin" që e kemi lënë të kontrollojë energjitë tona, që na nxit të dalim nga shtëpia në rrugë kur të dojë ai, e na lë vetëm para grykëve të pushkëve, që edhe na hedh në erë, edhe na shan "kokëpalarë". Ne i sigurojmë Autoritetit edhe Forcën, që ai e mban me taksat tona.
Dhe ai na godet, ne taksa-paguesve, sepse nis ta përdorë Forcën - ushtrinë, policinë - për të mbrojtur jo më sigurinë e shqiptarëve, po sigurinë e tij. Energjitë e lirinë e shqiptarëve i përdor pa na dhënë më llogari. Sepse ende gjithë shqiptarët nuk e dinë se nga natyra janë të lirë, janë burim energjie, të cilën mund ta përdorin si të duan dhe për të mirën e tyre.
Sepse me idhujtarinë tonë ne mbajmë në fron diktatorët tanë.
Përdorimi i Forcës nga "Autoriteti" na kthen një ditë në viktima të kësaj Force, ngaqë Autoriteti harron që e mbajmë ne me taksat që i paguajmë çdo muaj, gjithë jetën, deri sa na vret Vdekja apo Forca e Autoritetit. Nuk mendon të na japë llogari se si e përse i përdor lirinë e energjinë tonë. Na quan "kokëpalarë", sepse harron se dushin e shampot e tij i paguajmë ne, kokëpalarët. Jo vetëm kaq. Autoriteti vendos cili është gabim, kë duhet të dënojë, kush do t'i shpërblejë viktimat, si do t'i përdorë lotët tanë.
Por gabimet harrohen, dënimi përfundon në lojë fjalësh dhe dëmshpërmblimi i viktimave nuk është paguar ndonjëherë nga fajtorët, po është paguar nga shteti, pra nga taksa e shqiptarëve, pra nga vetë viktimat. (Lotët gjithnjë shkojnë dëm). Tani ne shqiptarët paguajmë edhe për të mbajtur Autoritetin, edhe për të dëmshpërblyer viktimat e Autoritetit.
Po këtë shumica prej nesh nuk e mendon, ngaqë ne nuk e dimë se përderisa paguajmë taksa, ne kemi të drejta, që Autoriteti duhet t'i respektojë, sepse ia kemi dhënë ne statusin e Autoritetit.
Prej shekujsh shqiptarët nuk kanë mundur të përdorin lirinë, energjitë e tyre dhe pasuritë që i rrethojnë në mënyrë të efektshme, për ta bërë jetën e tyre më të sigurt, më të shëndetshme, më të gjatë, më të rehatshme e më të këndshme, ashtu si në më pak se një shekull mundën ta bënin amerikanët - që shqiptarët i citojnë gjithnjë e përpiqen t'i imitojnë.
Sepse ndonëse deklarojmë se jemi të besimit mysliman apo kristian, apo ..., në të vërtetë ne shqiptarët kemi mbetur idhujtarë. Sepse njerëz të vdekshëm si ne vetë i kemi kthyer në "Viçin e Artë", objekt adhurimi; i kemi veshur me pushtetin e Autoritetit, u kemi falur me verbëri lirinë dhe energjitë tona.
Me idhujtarinë tonë ne i kemi kthyer në diktatorët tanë. Ne shqiptarët ende nuk pyesim veten: në se u a kemi dhuruar këtë liri dhe energji tonën, i kemi veshur me pushtet, u dhamë Forcë dhe ata premtuan se do i përdorin për të na siguruar një jetë më të mirë në Shqipëri - se për këtë ne paguajmë taksa e u sigurojmë jetën dhe luksin - pse atëherë ka shekuj, dhe 50 vjet, dhe 20 vjet që ne shqiptarët jemi populli më i varfër në Evropë?
Ndërsa "Idhujt" tanë, "Viçat e Artë" të shqiptarëve hyjnë të varfër në politikë e dalin të pasur prej saj, ne na lënë gjithnjë në prapambetje. Sepse ne, taksapaguesit pa të drejta, harrojmë - apo nuk e dimë - se nga vetë natyra jemi të lirë, jemi burim energjie, të cilën mund ta përdorim për mirëqenien tonë.